FSHATI PALASË; HIMARË | U SHOQËRUAN PËR INTERVISTIM POLICOR BRUNO ÇELA; PASHK GJINI (ANTON GJINAJ); LEONARD HASA; AFRIM KASTRATI.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 2 hours ago
- 3 min read

Fshati Palasë, Himarë, Shqipëri | Në funksion të luftës institucionale ndaj Agjenturës së Krimit Ordiner strukturat vendore të Policisë së Shtetit shoqëruan për intervistim policor:
1- Z. Bruno Çela, me moshë 31 vjeç; anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës; përfaqësues i subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë (PSD); i biri i sipërmarrësit Geront Çela (pronar i shoqërisë tregtare “Brunes”); njëkohësisht dhëndri i sipërmarrësit Tom Doshi.
2- Z. Pashk Gjini ose Rrapi, ose Anton Gjinaj, i njohur rëndom edhe si “El Çapo” - e thënë shqip “Shkurtabiqi”), me moshë 60 vjeç.
4- Z. Leonard Hasa, me moshë 31 vjeç.
4- Z. Afrim Kastrati, me moshë 49 vjeç.
Ata u konsideruan të lidhur me të shtënat me armë zjarri të ndodhura në një mjet lundrues (jaht).
Pavarësisht se strukturat vendore të Policisë së Shtetit kryen kontrolle të imtësishme në mjetin lundrues arma e zjarrit nuk u gjet.
Dyshohet se arma e zjarrit u hodh në det.

Njoftim Nr. 2 | Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku rreth orës 21:00 është marrë njoftim se, në det, përballë Palasës, dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër nga një mjet lundrues, ju informojmë se:
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë/Stacionit të Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS), u vunë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka, pasi jahti po lëvizte në drejtim të Himarës.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë e mundur ndalimi i jahtit në det, përballë Himarës, si dhe shoqërimi i tij së bashku me personat që ndodheshin në bord, konkretisht shtetasit B. C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në ambientet e jahtit dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, ku nuk u konstatua asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.
Nga grupi hetimor vijuan veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Njoftim Nr. 1 | Himarë.
Informacion paraprak.
Rreth orës 21:00 është njoftuar se nga një jaht në det, përballë Palasës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në ajër.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare janë vënë në ndjekje të jahtit.
Njëkohësisht, janë njoftuar edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe të Stacionit të Policisë Dhërmi, të cilat po kryejnë kontrolle nga toka përgjatë vijës bregdetare.
Vijon ndjekja e mjetit lundrues, me qëllim verifikimin e informacionit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Në përfundim të operacionit për ndalimin e jahtit dhe të veprimeve të para hetimore do të jepet informacion i plotë për rastin, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)




