FJALA E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ARTUR METANI E MBAJTUR NË NJË TRYEZË TË RRUMBULLAKËT ME KËSHILLIN E EVROPËS DHE ME BASHKIMIN EVROPIAN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 4 hours ago
- 7 min read

Tiranë, Shqipëri | Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë Artur Metani mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me objekt diskutimi “Përmirësimi i Sigurisë dhe Mbrojtjes së Gazetarëve. Ndarja e praktikave më të mira dhe përballimi i sfidave të vazhdueshme”.
Tryeza u organizua nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian në kuadër të projektit mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Shqipëri.
Inspektori i Lartë Metani ishte pjesë e panelit të institucioneve ku u diskutua mbi tematikën me objekt: “Sfidat dhe zgjidhjet për autoritetet vendase për të përmbushur standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve”.

FJALA E PLOTË E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË Z. ARTUR METANI.
Të nderuar të pranishëm,
Duke ju falënderuar së pari për ftesën në këtë aktivitet, dua ta nis fjalën me një vlerësim të madh për tryeza diskutimi me tema të tilla. Jo thjesht sepse liria e shprehjes, e shtypit dhe e medias mbetet në themel të një shoqërie të lirë, por sepse gjendja e vlerave shoqërore sot, kudo dhe në Shqipëri, ka nevojë për diskutim të vazhdueshëm dhe për reflektim të sinqertë të gjithkujt prej nesh, duke e parë si një kontribut për konsolidimin demokratik të shoqërisë në vitet që vijnë dhe jo si një debat të ditës. E në këtë kuptim, takimin mes gazetarëve dhe institucioneve e shoh si një mundësi të mirë për të ndarë, se çfarë mund të bëjmë më shumë dhe më mirë për rritjen e sigurisë për gazetarët.
Patjetër, që edhe mund të mos bihet dakord për gjithçka, por është shumë e rëndësishme të komunikohet, duke adresuar shqetësimet në institucione, por edhe përmes takimeve e tryezave, që ndihmojnë edhe informimin reciprok mbi problematika të caktuara. Dhe duke mbajtur në konsideratë parimet kushtetuese mbi të cilat organizohet e gjithë jeta jonë profesionale dhe jo vetëm, besoj se gjendja e zgjidhjeve bëhet më e shpejtë dhe në mënyrë më efikase.
Ndoqa me shumë interes prezantimet e panelit të parë mbi situatën e gazetarëve, lidhur me kushtet në të cilat ushtrojnë detyrën dhe dua të përgëzoj secilin nga folësit për panoramën që na dha. Është informacion parësor, por edhe me ndjeshmëri personale, të cilin nuk e gjen dot në debatin e përditshëm publik dhe si i tillë ka vlerë të veçantë.
Personalisht mendoj se angazhimi për një mjedis të sigurt pune për gazetarët nuk duhet parë thjesht në nivelin e respektimit të konventave ndërkombëtare apo edhe të një treguesi që duhet plotësuar në rrugëtimin tonë evropian. Por, nëse nuk e çmojmë realisht lirinë e gazetarëve për të qenë të tillë, si një mburojë për një shoqëri të shëndetshme, dhe jo sepse ne denjojmë të zbatojmë detyrat tona në raport me gazetarët, atëherë i krijojmë vetes një barrë akoma më të rëndë për të ardhmen.
Natyrisht, ndër të parat institucione publike që luajnë një rol themelor në mbrojtjen e gazetarëve dhe promovimin e lirisë së medias janë institucionet e drejtësisë, që kanë një rol të posaçëm. Reagimi me vendosmëri kundër krimeve të kryera ndaj gazetarëve, që nisin nga stigmatizimi, sulmet, kërcënimet, apo më keq, vrasjet, që fatmirësisht nuk është rasti i Shqipërisë, është një detyrë sa institucionale aq edhe njerëzore.
Pra, institucionet duhet të ushtrojnë detyrën e tyre, por nga ana tjetër, duhet edhe të kenë ndjeshmërinë e lartë për vlerat shumë specifike të shoqërisë, që përfaqësojnë mediat. Secili nga ne e ka të qartë se çdo kategori dhe vlerë shoqërore është e barabartë para ligjit, por secili nga ne, në të përditshmen e vet, mund ta ketë në vëmendje të posaçme një kategori si media dhe jo për të qenë miq me gazetarët, por për të qenë miq me lirinë e shprehjes, me vëmendje për gazetarët, si për specifikën e punës, ashtu edhe për ç’ka përfaqëson në shoqëri, zërin e publikut. Është një praktikë që ne e ndjekim në zyrën e ILD-së, pra vëmendje të shtuar kur kemi marrëdhënie me gazetarët dhe në kuadër të kësaj tryeze të rrumbullakët, pata mundësi të shoh statistikat e ndërveprimit të medias me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, të cilat do ua sjell në tre dimensione: si informuese publike, ankuese apo edhe e angazhuar direkt, përmes kërkesave për informacion drejtuar institucionit tonë.
Siç e thashë, në ILD përpiqemi ta trajtojmë median si kategori në vëmendje të posaçme. Nuk është e thjeshtë, sepse institucioni ka mungesa në burime njerëzore, sa i takon inspektimit disiplinor, por në këto 5 vite veprimtari jemi përpjekur të bëjmë më të mirën, duke respektuar të drejtën e publikut për t’u informuar mbi mënyrën sesi administrohet drejtësia në vend, kërkesë që vjen përmes medias, pasi natyrshëm, edhe informimi i medias nga institucionet bën pjesë te siguria e gazetarëve për të ushtruar lirisht misionin e tyre.
Në 5 vite ka pasur vetëm një rast nga një gazetare, që iu drejtua Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me ankesë për pengim në ushtrimin e detyrës, për shkak të mbylljes së dyerve për median gjatë një seance gjyqësore (ishte periudha e Covid-it). Rasti u verifikua nga inspektorët e ILD-së dhe u arkivua, sepse nuk kishte fakte të mjaftueshme për të justifikuar fillimin e procedimit disiplinor. Por, inspektorët e ILD-së evidentuan në vendim, se edhe pse në këtë rast nuk ka vend për përgjegjësi disiplinore, në kuptim të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Inspektori i Lartë i Drejtësisë e gjen me vend të theksojë rëndësinë që ka transparenca me median, pasi nëpërmjet garancive dhe mundësive që u japim dhe krijojmë gazetarëve për të kryer detyrën e tyre, ne garantojmë jo thjesht gazetarët, por misionin e tyre, të drejtën e shoqërisë për të pasur mundësinë për të gjykuar qeverisjen, në çdo dimension të saj, përfshi pushtetin gjyqësor. Shoqëria është dhe duhet të jetë ajo që vlerëson nëse puna e sistemit të drejtësisë apo një raportim mediatik i caktuar është korrekt dhe jo institucionet, duke kufizuar informacionin. Kjo, pasi krijimi i respektit për punën e sistemit të drejtësisë është një përpjekje që shkon përtej sistemit. Ai është edhe kontribut i faktorëve të tjerë në shoqëri, veçanërisht atyre mediatikë, si ndërlidhës të rëndësishëm me opinionin publik, pra me shoqërinë.
Nga ana tjetër, e konsideroj të rëndësishme adresimin tek institucioni dhe njohjen e kompetencave të tij. Tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të ankoheni për veprime ose mosveprime, të cilat përbëjnë mospërmbushje të detyrës, apo sjellje joprofesionale ose joetike gjatë ushtrimit të funksionit apo jashtë tij, të cilat diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve në Republikën e Shqipërisë. Këtë e parashikon ligji dhe si institucion e kemi lehtësuar në vijimësi procesin e ankimimit. Mjafton të hyhet te faqja e internetit ild.al dhe ekziston opsioni i ankesës online, që mund të bëhet edhe përmes celularit, për fare pak minuta.
Nga ana tjetër, mediat vizive, ato të shkruara por edhe mediat e reja, kanë qenë përmes informacioneve të dhëna publikisht, iniciuese të verifikimeve, që kanë çuar në hetime e madje edhe procedime disiplinore ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, prej vitit 2020 kur ka nisur nga puna Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Natyrisht, ka pasur raste kur denoncimet nuk kanë përbërë shkelje sipas ligjit. Të tilla kanë rezultuar 9 raste, kur ILD ka nisur verifikimin me iniciativë të informacioneve të bëra publike në median e shkruar dhe atë vizive.
ILD ka verifikuar 14 magjistratë, 6 gjyqtarë dhe 8 prokurorë, duke marrë 9 vendime arkivimi. Siç e bëjmë të qartë në komunikimet tona publike, veprimet apo mosveprimet e magjistratit, të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore, sipas kërkesave të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk janë vetëm ato që parashtrohen në bazë të një informacioni publik, por janë ato që analizohen nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, apo vlerësohen në bazë të një procesi verifikimi apo hetimi disiplinor.
Në bazë të një informacioni publik mund të paraqiten një tërësi faktesh, të cilat pretendohet se kanë ndodhur dhe që përbëjnë shkelje disiplinore, por Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të bëjë një cilësim të saktë apo të ndryshëm të fakteve dhe veprimeve, që lidhen me shkeljen disiplinore, pa u lidhur me përcaktimin që mund të pretendohet në këtë informacion publik.
Por në 5 vite funksionim, ka pasur edhe indicie të sakta të marra nga mediat, bazuar në të cilat Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka filluar kryesisht 12 hetime disiplinore. Këto 12 hetime kanë filluar për 13 subjekte: 6 gjyqtarë, 6 prokurorë dhe 1 anëtar Këshilli. 11 magjistratë janë dërguar nga ILD për procedim disiplinor në KLGJ e KLP dhe për 2 magjistratë të tjerë, hetimi disiplinor është mbyllur. Nga 11 magjistratët e dërguar për procedim disiplinor, në 7 raste ILD ka kërkuar masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”. Këshillat kanë pranuar kërkesën e ILD në 5 raste, pra magjistratët janë shkarkuar. Për një rast kanë vendosur “pezullim nga detyra për një periudhë prej 6 muajsh”, ndërsa rasti tjetër është i pezulluar, pasi pritet vendimmarrja e KPA. Në 4 raste, ILD ka kërkuar masën disiplinore “Vërejtje publike” në Këshilla. 1 rast është pranuar dhe 3 të tjera janë rrëzuar.
Në 5 vitet e funksionimit të ILD-së, mediat vetë kanë referuar 17 ankesa për shkelje disiplinore. Për to, ILD ka marrë 11 vendime përfundimi konkretisht: 2 janë arkivuar pas shqyrtimit fillestar, 7 pas verifikimit, 2 pasi është kryer hetim disiplinor. 6 ankesa të tjera janë në proces shqyrtimi.
Duke patur në konsideratë faktin se krijimi i kushteve për të marrë informacionin e kërkuar është një tjetër element, që garanton punën e gazetarëve dhe duke iu referuar statistikave tona, media ka ndërvepruar direkt me ILD-në përmes kërkesave për informacion në 46 raste. Vetëm në 6 prej tyre, informacioni ka qenë i kufizuar sipas ligjit dhe kjo është shpjeguar qartësisht. Konstatoj me kënaqësi që në raport me ILD-në, mediat respektojnë parimin ligjor të konfidencialitetit të veprimeve hetimore, që fillojnë me shqyrtimin fillestar apo veprimet paraprake hetimore për sjellje/shkelje të dyshuara nga gjyqtarët, pasi ky konfidencialitet i shërben mbrojtjes së integritetit të procesit dhe reputacionit të magjistratit, nëse akuzat rezultojnë të pabazuara. Në 5 vite, ILD i ka dhënë përparësi absolute transparencës ndaj publikut, si mjeti që ndihmon në forcimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë, por duke ruajtur balancën e nevojshme mes interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe respektimit të pavarësisë së magjistratëve.
Pasi, të dy këto pushtete gjejnë mbrojtje në Kushtetutë, asnjë me epërsi ndaj tjetrit, por me profile të qarta dhe të ndara në një shoqëri demokratike. Këtu sërish e nënvizoj si jetik, siç e thashë më sipër, komunikimin mes mediave e institucioneve. Një angazhim i fortë i të gjithë aktorëve publikë, përmes një dialogu sistematik, jo vetëm për të monitoruar çfarë ndodh e reaguar shpejt, por edhe për t’u informuar e informuar publikun për kontributin, që duhet të japim të gjithë për një mjedis të sigurt për mediat.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments