top of page
E BARDHË SHIRIT.png

EPOKA E INTERNETIT FALAS KA PËRFUNDUAR | GJITHÇKA QË RUAN NË INTERNET ËSHTË NË RREZIK.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Oct 12
  • 4 min read
ree

Nga z. Jonathan Margolis.

Londër, Mbretëria e Bashkuar | Nuk ka gjë më bezdisëse sesa të detyrohesh të paguash për diçka që dikur ishte falas.


Përdoruesit e Snapchat-it janë të irrituar nga lajmi se së shpejti do të duhet të paguajnë për të ruajtur videot dhe fotot e tyre të vjetra - nëse ato kalojnë kufirin prej 5GB.


Snapchat-i deklaroi se veçoria e tij, “Memories”, tashmë ka të ruajtura një trilion materiale gjë që nuk është aspak e lirë për t’u mbajtur të sigurta. Por, kompania po akuzohet gjerësisht për lakminë e korporatave.


Pakënaqësia e përdoruesve ka qindra shembuj që nga koha e Romës së Lashtë e deri më sot.


Në Romë, uji, banjat publike dhe madje edhe gruri ishin falas. Sa herë që përhapej fjala se do të vendosej një tarifë ekonomike për këto shërbime bazike - sidomos për grurin falas - shpërthenin trazirat.


Kur në Anglinë Viktoriane tualetet me pagesë u prezantuan në Ekspozitën e Madhe të vitit 1851 - për një qindarkë merrje një tualet të pastër, një peshqir dhe lustrim këpucësh - pati zemërim të madh për këtë risi.


Një qindarkë përbënte koston e ushqimit për një ditë për të varfrit.


Në kohën tonë, interneti nisi si shërbim plotësisht falas - dhe një pjesë e madhe e tij vazhdon të jetë i tillë. Deri në vitin 2008, ideja e “ekonomisë falas” po shihej nga disa si e ardhmja.


Megjithatë, në të njëjtën kohë zëra të tjerë me ndikim - ndër ta edhe gurutë e teknologjisë Mellkollm Glleduell (Malcolm Gladwell) dhe Kllei Shërki (Clay Shirky), si edhe autorët kryesorë në entet mediatike “Financial Times” dhe “The Wall Street Journal” - argumentuan se “falas” nuk është parim i qëndrueshëm ekonomik dhe se bizneset, në fund, do të duhej të paguheshin.


Z. Shërki (Shirky) e donte modelin falas, por pranoi se ai mund të zgjaste vetëm deri kur “mbaron subvencioni” - që do të thotë reklamat, kapitali investues, ose thjesht durimi i investitorëve.


Mund ta krahasosh këtë me ditën kur prindërit sugjerojnë se mbase duhet të kontribuosh me pak qira për të jetuar në shtëpinë e tyre - tani që nuk je më student i varfër, por ke një punë.


Sigurisht, një mënyrë për të fituar para nga shërbimet në internet është dinakëria.


Kur sheh gamën e gjërave që Google na ofron - në dukje falas - nga kërkimi te hartat, përkthimi, emaili e deri te inteligjenca artificiale, kjo duket një gjë e mrekullueshme.


Por, nuk është.


Siç kanë thënë analistët e zgjuar të teknologjisë - në forma të ndryshme që nga viti 1999; nëse nuk paguan për diçka, ti nuk je klienti - ti je produkti që po shitet.


Me fjalë të tjera, për të marrë të dhënat tua, detajet, vendndodhjen dhe preferencat e tua si konsumator, ia vlen të të ofrojnë disa shërbime falas.


Në teknologji tashmë kemi parë një mori gjërash falas që janë bërë me pagesë, nga lajmet te argëtimi e deri te transmetimet sportive.

 

Na pyesin çdo ditë nëse duam të paguajmë për të hequr reklamat bezdisëse, dhe nëse nuk je i kujdesshëm - ose i gatshëm të shtrëngosh dhëmbët për të parë të njëjtën reklamë të padurueshme disa herë çdo natë - do ta gjesh veten duke paguar një shumë të madhe çdo muaj në abonimet e frikshme.


Snapchat-i e botoi një shpjegim mjaft të habitshëm për vendimin e tij për të vendosur pagesë për ruajtjen e të dhënave.


Këto ndryshime do të na lejojnë të vazhdojmë të investojmë në përmirësimin e Memories për të gjithë komunitetin tonë”, thuhej në një postim në blog.


Ndoshta do të ishte më e zgjuar të përdorte një frazë në stilin e Greta Thunbergut dhe të publikonte disa detaje për koston mjedisore të mbajtjes së gjithë këtij materiali në serverë - gjë që nuk është e vogël, sidomos nëse përdoruesit rrallë i hapin klipet e tyre të vjetra.


Kur mendon jo vetëm për aspektet shqetësuese të privatësisë, në mënyrën se si është zhvilluar bota në internet, por edhe për vërshimin e mbeturinave dhe dezinformimit, nuk është e vështirë të imagjinohet se do të hapet një internet krejtësisht privat, më i zgjedhur dhe jo i korruptuar - pak a shumë si segmenti privat dhe i shtruar mirë i autostradës M6 që u lejon atyre që paguajnë tarifën të shmangin trafikun rreth Birmingemit.


Tashmë ekziston të paktën një motor i garantuar privat kërkimi dhe një shfletues i “pastër”, me pagesë, ndërsa nuk është aspak e paimagjinueshme që, ashtu si një sistem shëndetësor privat, krahas NHS-së, kjo lloj gjëje të bëhet shpejt më e zakonshme.


Motori i kërkimit quhet Kagi, shfletuesi i tij partner, Orion, dhe ato kushtojnë 10 dollarë (8.54 euro) në muaj, duke premtuar mungesë ndjekjeje (tracking) dhe mos shitje të të dhënave.


Themeluesi, një inxhinier serb me bazë në Kaliforni, Vladimir Prelovaç, beson se Google është “një fyerje për inteligjencën e njerëzve”.

 

Kemi qenë të pavetëdijshëm për dy dekada që Google nuk është optimizuar për ne si konsumatorë, por për reklamuesit”, thotë ai.


Kagi është ende shumë i vogël - rreth 50 mijë përdorues deri tani - por, është fitimprurës dhe shumë i pëlqyeshëm.


Madje, disa e kanë shpallur si kërkuesin më të mirë që mund të marrësh.


Në përdorimin e parë, nuk është e lehtë të kuptosh pse Kagi është vlerësuar nga disa si kërkuesi më i mirë në dispozicion.


Ka pak veçori, por kur e përdor, shumë shpejt fillon të mbështetesh te rezultatet e thjeshta, të ndershme dhe me integritet më të lartë që merr.


Snapchat-i mund të jetë aplikacioni i parë i këtij lloji që thyen modelin dhe bën atë që një biznes duhet, në fund të fundit, të bëjë. Por, do të ketë të tjerë që do ta ndjekin.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page