top of page
E BARDHË SHIRIT.png

ENTI MEDIATIK FINANCIAL TIMES: SHQETËSIM I MADH PËR KOSTON E BANESAVE NË VENDET E PASURA | NË AMERIKË 1 SHTËPI KUSHTON 40% MË SHTRENJTË SE PARA 4 VITESH.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Sep 3, 2024
  • 4 min read
ree

Londër, Britani e Madhe | Pakënaqësia me kostot e strehimit është e lartë në vendet e OECD. Rritja e kostove të huamarrjes dhe qiratë më të larta të kombinuara me mungesën kronike të banesave po krijojnë një krizë globale strehimi me pasoja të paparashikueshme.

 

Pakënaqësia me koston e banesave po arrin nivele rekord në vendet e pasura, duke tejkaluar shqetësimet e tjera të përhershme të qytetarëve si kujdesi shëndetësor dhe arsimi.

 

Gjysma e të anketuarve në vendet e OECD janë të pakënaqur me disponueshmërinë e banesave të përballueshme, sipas të dhënave nga Gallup Analytics, një rritje e mprehtë që kur bankat qendrore ngritën normat e interesit për të luftuar periudhën më të keqe të inflacionit në një brez.

 

Ndërsa normat më të larta të interesit kanë ndihmuar në uljen e çmimeve të pronave në disa vende evropiane, banesat mbeten më të shtrenjta se përpara pandemisë, edhe para se të faktorizohen në kosto më të larta të huamarrjes.

 

Në SHBA, për shembull, çmimet e banesave janë rritur pavarësisht rritjes së normave të interesit.

 

Pothuajse 60% e të anketuarve në ekonominë më të madhe në botë thanë se ishin të pakënaqur me stokun e tyre të përballueshëm të banesave.

 

Ndërkaq, qiratë janë rritur në një kohë kur çmimet më të larta për sendet e tjera thelbësore, si ushqimet dhe karburantet, po zvogëlojnë të ardhurat e disponueshme.

 

Studiuesit fajësojnë pjesërisht mungesën e ndërtimit të banesave të reja për krizën e përballueshmërisë.

 

Në thelb ne nuk kemi ndërtuar mjaftueshëm”, thotë Uillem (Willem) Adema, ekonomist i lartë në divizionin e politikave sociale të OECD, duke shtuar se ndërtuesit shpesh synojnë familjet më të pasura, duke përkeqësuar presionin ndaj atyre me të ardhura më të ulëta.

 

STREHIMI DO TË NDIKOJË EDHE NË ZGJEDHJET PRESIDENCIALE NË SHBA.

Z. Endrju Uishart (Andrew Wishart), një analist në Capital Economics, tha: “Tendencat e popullsisë mund të lëvizin shumë më shpejt sesa mund të ndryshoni ofertën e banesave”.

 

Pakënaqësia me strehimin do të luajë një rol të madh në zgjedhjet e këtij viti, veçanërisht në SHBA, ku votuesit shkojnë në qendrat e votimit në muajin nëntor për të zgjedhur midis zv/presidentes demokrate Këmellë Heris (Kamala Harris) dhe ish-presidentit republikan Danlld Tramp (Donald Trump).

 

Çmimi mesatar i shtëpisë është tani gati 38% më i lartë se kur presidenti i SHBA Xhëu Baidn (Joe Biden) mori detyrën në muajin janar të vitit 2021, sipas indeksit Case-Shiller.

 

Hulumtimi nga Qendra e Përbashkët për Studimet e Strehimit të Universitetit të Harvardit tregoi se pagesa mujore e strehimit për një shtëpi me çmim mesatar me një kredi me depozitë të ulët, e preferuar nga blerësit për herë të parë, ishte tani 3096 dollarë, nga rreth 2000 dollarë në muajin janar të vitit 2021.

 

Ndërkohë, shumë pronarë shtëpish janë të mbyllur në hipoteka 30-vjeçare me norma interesi jashtëzakonisht të ulëta dhe në përgjithësi po paguajnë më pak për shërbimin e borxhit si përqindje e të ardhurave se në çdo kohë që nga viti 1980, sipas Harvardit.

 

Të dhënat e Gallup, bazuar në përgjigjet e më shumë se 37000 njerëzve në 37 vendet që përbëjnë klubin e pasur të OECD-së, tregojnë se pakënaqësia me përballueshmërinë e strehimit është më e larta tek njerëzit nën 30 vjeç dhe qytetarët e moshës 30 deri në 49 vjeç, shumë prej të cilëve ndoshta janë në vështirësi për të marrë një pronë.

 

Rreth 44% e moshave mbi 50 ishin të pakënaqur me strehimin në vendet e OECD, por kjo u rrit në 55% për ata nën 30 vjeç dhe 56% për ata të moshës 30 deri në 49 vjeç.

 

ÇMIMET E BANESAVE JANË TETË HERË MË SHUMË SE PAGA MESATARE VJETORE.

Në Angli, çmimet e banesave tani janë tetë herë më shumë se paga mesatare vjetore, sipas statistikave zyrtare.

 

Kjo është më shumë se dyfishi i normës së parë kur qeveria e fundit laburiste mori detyrën në vitin 1997.

 

Numri i familjeve që jetojnë në strehim të përkohshëm në Angli është gjithashtu në një rekord të lartë.

 

Rreth 30% e popullsisë në vendet e pasura ishin të pakënaqur me sistemin e kujdesit shëndetësor, arsimin dhe transportin publik.

 

Pakënaqësia me standardet e jetesës u rrit në vitin 2023, por pak, nga 24 në 25%.

 

Sondazhi global i Gallup përpilohet çdo vit, me sondazhin e vitit 2023 bazuar në përgjigjet nga 145702 njerëz në 142 vende dhe të peshuara sipas popullsisë.

 

Të anketuarit përgjigjen për një sërë çështjesh socio-ekonomike dhe politike.

 

Disa vende ku të dhënat janë tashmë të disponueshme për vitin 2024 kanë treguar rritje të mëtejshme të pakënaqësisë së strehimit këtë vit.

 

Në Gjermani, përqindja e të pakënaqurve me disponueshmërinë e banesave të përballueshme u rrit në një nivel të ri prej 46%, nga 42% në 2023 dhe më shumë se dyfishi i niveleve deri në vitin 2012.

 

Në Spanjë, përqindja e pakënaqur me strehimin u rrit në 62% në 2024, më i larti që nga kriza financiare.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page