EKSKLUZIVE: DRITAN GJIKA (I DYSHUARI SI “UDHËHEQËSI I MAFIAS SHQIPTARE” NË EKUADOR) AKUZOHET PËR PASTRIM PARASH TË KOKAINËS NËPËRMJET FIRMAVE TË EMIRATEVE TË BASHKUARA ARABE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jun 4
- 3 min read

Kuito, Ekuador | Dokumentet e gjykatës ekuadoriane të siguruara nga OCCRP-ja përshkruajnë funksionimin e brendshëm të një operacioni droge dhe pastrimi parash që autoritetet pretendojnë se drejtohet nga Dritan Gjika.
Një kriminel i dyshuar shqiptar i kokainës me bazë në Ekuador dhe i arrestuar javën e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe akuzohet për përdorimin e vendit të Lindjes së Mesme si një qendër pastrimi parash, sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga OCCRP-ja.
Dokumentet vijnë nga një çështje në Ekuador, ku Dritan Gjika akuzohet për drejtimin e një organizate të fuqishme të trafikimit të drogës.
Gjika, 48 vjeç, u arrestua më 26 maj në qytetin e Abu Dhabit të Emirateve të Bashkuara Arabe me një urdhër arresti nga Ekuadori.
Në shkurt, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit e quajti Gjikën udhëheqësin e operacioneve të mafias shqiptare në Ekuador.
Dokumentet gjyqësore të siguruara nga OCCRP-ja zbulojnë detaje të operacioneve të grupit, si në Ekuador ashtu edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Prokurorët ekuadorianë akuzojnë Gjikën dhe bashkëpunëtorët e tij se kanë përdorur disa kompani për të transportuar drogë nga vendi i Amerikës së Jugut në Evropë, të fshehur në ngarkesa me banane.
“Për të pastruar fitimet e paligjshme, ata dyshohet se janë mbështetur në kompani në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe në Spanjë”, thuhet në dokumente.
Dokumentet tregojnë se provat e mbledhura nga policia dhe prokurorët ishin mjaftueshëm të forta për të bindur një gjyqtar të autorizonte një urdhër-arresti ndërkombëtar për arrestimin e Gjikës, në mënyrë që ai të mund të nxirrej në gjyq në Ekuador.
Avokati i Gjikës nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Dokumentet e gjykatës përfshijnë fragmente nga komunikimet e përgjuara nga autoritetet, të cilat, ofrojnë një dritare mbi mënyrën se si paratë e gatshme janë transferuar në banka dhe janë pastruar.
Një dokument - i njohur në Ekuador si “audiencia de vinculación a la instrucción fiscal” në të cilin prokurorët paraqesin çështjen e tyre - e regjistron Gjikën dhe një “partner financiar të paidentifikuar” duke diskutuar “nevojën për të lëvizur shuma të mëdha parash duke përdorur ndërmjetës”.
Ai dokument citon një tjetër komunikim të përgjuar midis Gjikës dhe dikujt që punonte me një kompani në Dubai.
“Mbajini transfertat nën 50000 në mënyrë që të mos i njoftojmë autoritetet”, citohet të ketë thënë Gjika.
Megjithatë, autoritetet filluan të dyshonin.
“Transaksionet në këto llogari përfshijnë depozita të parregullta, shumica e tyre në para të gatshme, të cilat, kanë ngritur alarm tek autoritetet financiare”, thuhet në dokument.
“Përveç kësaj, u zbuluan transferta të shumta në llogari ndërkombëtare, duke nxitur një kontroll më të madh”, thuhet në dokument.
Policia Kombëtare e Ekuadorit tha në një deklaratë të 26 majit, duke shtuar se tani po kalon nëpër procesin e ekstradimit të tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Policia shtoi se forcat spanjolle të ligjit ishin të përfshira në arrestimin e Gjikës.
Policia Kombëtare tha se Gjika kishte mbërritur në Ekuador në vitin 2009 me një vizë të përkohshme vizitori, por më vonë u bë “një nga burrat më të kërkuar në vend”, duke udhëhequr një grup që transportonte drogë në Amerikën Qendrore, Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.
Një gjykatë ekuadoriane dënoi tetë anëtarë të grupit kriminal në janar për “krimin e pastrimit të parave nga trafiku i drogës”.
Artikulli në origjinal mund të lexohet duke trokitur (klikuar) këtu. 👇👇👇
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)

















































Comments