top of page
E BARDHË SHIRIT.png

QYTETI I JORKUT TË RI | KRYEMINISTRI EDI RAMA: NË KOHËN KUR U BËNË PUBLIKE MASAT PROCEDURIALE PENALE NDAJ SHEFES SË SHISH-it ISHA NË GJUMË; KUR TË VIJ DO TË ZGJEDH SHEF TË RI PËR SHISH-in.

Writer: Agjencia Telegrafike Vox
Agjencia Telegrafike Vox
43 minutes ago
2 min read

Qyteti i Jorkut të Ri, Amerikë | Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë.


Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor.


Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik.


Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj.


E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.


As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.


Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi:


Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.


Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”.


Kështu shkroi kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama në rrjetin shoqëror virtual Iks (X).


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Recent Posts

See All

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating

LAJM RRUFE | BREAKING NEWS

Donate with PayPal
bottom of page