AUTORITETI PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTET E ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT KRIJOI UEBSAIT PËR DOKUMENTIMIN E VUAJTJEVE DHE HISTORIVE TË TË ISH-TË DËNUARVE POLITIKË | www.spac.al
- Agjencia Telegrafike Vox
- 16 hours ago
- 1 min read

Tiranë, Shqipëri | Historitë e ish-të dënuarve politikë në burgun mizor të Spaçit nga sot mund të aksesohen nga gjithkush nëpërmjet uebsaitit www.spac.al
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e ka ndërtuar uebsaitin duke dokumentuar përmes letrave, dëshmive dhe materialeve të ruajtura ndër vite, kalvarin e vuajtjeve të 2000 të burgosurve dhe familjeve të tyre.
“Përmes arkivave, dëshmive dhe kujtimeve ne sigurojmë që e vërteta nuk harrohet.
Kjo punë na ndihmon të krijojmë një memorie kolektive, jo vetëm për ta njohur por edhe për të nxjerrë mësime nga e kaluara dhe të edukojmë brezin e ri për çmimin e lirisë”, deklaroi znj. Gentiana Sula, kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
“Kampi i Spaçit ka shfrytëzuar për minierat mbi 2000 të burgosur, që kanë punuar në mënyrë çnjerëzore dhe në shumë raste janë futur në minierë dhe nuk kanë dalë më. Edhe sot e kësaj dite janë pa varre”, deklaroi z. Agron Hoxha.
Uebsaiti www.spac.al do të jetë një kujtesë për të gjithë ata të dënuar që kanë vuajtur dënimet në burgun e Spaçit për agjitacion dhe propagandë, tradhti ndaj atdheut, apo tentativë të rrëzimit të pushtetit popullor.
Uebsaiti do të vijojë të pasurohet me dëshmi apo dokumentacione të reja që vijnë në lidhje me historitë e ish-të burgosurve.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments