ATHINË: BETEJA KUNDËR ZJARREVE PO VAZHDON E ASHPËR NË GREQI.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Aug 13
- 2 min read

Athinë, Greqi | “Beteja vazhdon e pandërprerë në Greqi, me 4850 zjarrfikës, të mbështetur nga 62 avionë, që luftojnë zjarret e shumta që shpërthyen dje në disa rajone.
Banorët e dhjetëra vendbanimeve në Peloponez në jug të Patras, në ishullin e Kiosit në Egjeun verior dhe në veri të Prevezës kaluan një natë shumë të vështirë, të ndërprerë nga urdhra të përsëritura evakuimi, ndërsa erërat e forta vazhduan të përhapnin flakët”, raportuan mediat greke.
Zëdhënësi i zjarrfikësve, Vasilis Vathrakjanis (Vathrakogiannis), tha se sot do të jetë një ditë shumë e vështirë, pasi rreziku i zjarreve mbetet i lartë në shumicën e rajoneve.
Në njësinë rajonale të Akaisë, në jug të Patrës, po shpërthejnë dy zjarre të mëdha, një pranë Sikenës dhe tjetri pranë qytetit të Akaisë së Poshtëme (Kato Akaisë).
Sipas mediave greke, flakët kanë shkatërruar shtëpi, makina dhe fabrika në zonën industriale të Patrës.
Pas emergjencës, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e Akaisë së Poshtëme (Kato Akaia), Vracnaikës dhe 25 vendbanimeve të tjera.
Zjarrfikësit luftuan gjithashtu gjatë gjithë natës në ishullin e Kiosit, në Egjeun verior, pranë fshatit veriperëndimor të Amanit, ku u evakuuan disa vendbanime.
Zjarri dogji pyje dhe tokë bujqësore.
“Roja bregdetare, me shtatë anije dhe ndihmën e motoskafeve private, shpëtoi 63 persona të bllokuar në plazhet e Limnias dhe Shën Markelës (Agia Markella) mbrëmë”, raporton enti mediatik grek “Kathimerini”.
Zjarri kërcënon gjithashtu rajonin e konsideruar prej qeverisë greke si Epir, në komunën e Ziros, ku disa shtëpi u shkatërruan në fshatrat Shën Gjergji (Agios Georgios) dhe Pantanasa (Pantanassa).
Ndërprerje të energjisë elektrike ndodhën në zona të mëdha, me raportime edhe për humbje të bagëtive.
Pas emergjencës, një qendër pritjeje për azilkërkues në Filippiada u evakuua.
Deri më tani, tre zjarrfikës me simptoma të hipertermisë janë trajtuar nga ambulanca në Peloponez, një tjetër në rajonin Etoli-Akarnania ka pësuar një dëmtim në gjymtyrët e sipërme, ndërsa një zjarrfikës në Filipiadhë (Filippiada) ka pësuar djegie.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments