ARTIKULL KUNDËR RRYMËS MEDIATIKE QË MBAHET NDAJ KONFLIKTIT QË NDODHI NË HAMALLAJ.
- Erton Duka

- Jul 31, 2023
- 4 min read

Nga z. Erton Duka.
Redaksionale | Fshati Hamallaj, Manxë, Durrës | Ka një tendencë malinje mediatike për t’i demonizuar, dhe për t’i shpallur publikisht fajtorë individët meshkuj të familjes Nikolli, që u përfshinë në ngjarjen kriminale që ndodhi në fshatin Hamallaj, të Durrësit, akt i cili kryhet duke botuar në mediat kryesore kombëtare dhe lokale vetëm versionin e familjes me të cilën ata u konfliktuan (konflikt i cili përfundoi në përleshje fizike, për motive që pritet të zbardhen dhe të dokumentohen shkresërisht, gjatë hetimeve paraprake, që do të kryhen brenda afateve kohore, të parashikuara në ligjin procedurial penal shqiptar).
Kësaj tendence mediatike, që pa droje mund të quhet kriminale, i janë bashkuar edhe subjekte të ndryshëm politikë, që kërkojnë t’i shpallin fajtorë publikisht e subjektivisht vëllezërit Nikolli, pa një vendim gjykate të formës së prerë, natyrisht, për përfitime politike të atypëratysshme, duke u atribuuar statuse dhe akuza nga më të ndryshmet, dhe të pabazuara në fakte, që lidhen me statusin dhe veprimatrinë e tyre shoqërore.
Drejtori i Informacionit i Agjencisë Telegrafike Vox, z Erton Duka, i njeh me rrënjë e me dhëmballë individët meshkuj që përbëjnë familjen Nikolli, të cilët, banojnë në periferinë e Tiranës, dhe në vlerësimin e tij tejet objektiv, ata janë individë që janë përpjekur t’a ndërtojnë jetën e tyre me aq sa kanë mundur, dhe aq sa kanë ditur, në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e kësaj shoqërie, ashtu siç kanë bërë me qindra e mijëra shqiptarë si vëllezër të tyre, të cilët, janë përpjekur ta ndërtojnë jetën në një shoqëri kaotike, ku institucionet janë thellësisht të qelbëzuara nga paaftësia profesionale, dhe nga korrupsioni kapilar, dhe ku prej tyre “nuk gjen derman”, për asnjë problematikë që jeta të ve përpara.
Përpara se individët meshkuj të familjes Nikolli të shpallen subjektivisht e publikisht fajtorë, mediat e mëdha dhe konet e tyre lokale duhet të shtrojnë pyetjen se a kanë funksionuar institucionet që e kanë pasur si detyrë funksionale të trajtonin procedurialisht, në mënyrë administrative ose penale, konfliktin që degjeneroi në përleshje fizike midis tyre dhe familjes Kaçi?
Çfarë kanë bërë këto institucione për ta trajtuar problemin që i shpuri dy familjet në konflikt?
Sa akte proceduriale administrative dhe penale (nqs e ka lypur nevoja) kanë prodhur ato në funksion të trajtesës institucionale të problemit në fjalë?
E pra, të nderuar/a lexues/e të medias tonë!
Fajtorët e parë, për atë që ndodhi dje në fshatin Hamallaj, nuk janë ata që u përfshinë në konlikt verbal dhe fizik mes veti, por janë kryetari dhe kryesia e fshatit, drejtuesit dhe aparati i njësisë administrative, drejtuesit e policisë, të prokurorisë dhe të gjykatës vendore, të cilët, kanë krijuar kushtet dhe rrethanat që midis dy familjeve të lindë një konflikt i cili mund të agravojë në hakmarrje, dhe më pas në gjakmarrje.
Sa prej Jush dëgjuan sot se aksh funksionar i kësaj republike bananesh ka dhënë dorëheqje, sepse ndihet fajtor se nuk ka përmushur detyrën e tij, atë detyrë për të cilën paguhet nga paratë e buxhetit të shtetit (edhe nga paratë që paguajnë në trajtë taksash të përfshirët në konflikt), në raport me problemin e të përfshirëve në konflikt?
Zero!
Zero dorëheqje!
Sipas tyre të përfshirët në konflikt deshën dhe u konfliktuan, duke filluar nga krerët më të lartë të institucioneve, gjer tek rronxho-bonxhot analfabetë funksionalë të nivelit më të ulët.
Sipas tyre, ish-gardisti deshi dhe e shkatërroi karrierën e tij në radhët e Gardës së Republikës. Deshi të qëllonte me armë që të dukej i fortë. Deshi të bëhet objekt veprimesh proceduriale penale. Deshi të shkojë të flerë në qelira ku të çan morri dhe të mbyt qelbësirëllëku. Deshi të linte gruan dhe fëmijët në shtëpi dhe të shkonte në burg për pushime falas. Deshi të krijonte një situatë që do të prodhojë një hasmëri të re, e cila do të kërkojë gjak njeriu. Deshi të linçohet mediatikisht dhe politikisht në mënyrën më publike të mundshme si kriminel ordiner, pa një vendim penal gjykate të formës së prerë. Deshi të hynte në gojën e ujqërve dhe të çakenjve të politikës së lartë të Tiranës, të cilët, nuk lanë epitat pa i vënë. Deshi ta shihte e ta njihte e gjithë Shqipëria se kush ishte, se nuk e njihte askush.
Dje dhe sot, askush nga krerët, nuk ndërmori shkarkimin e ndonjë zyrtari shtetëror, që ka pasur detyrë funksionale të trajtonte problemin administrativ midis familjes Nikolli dhe familjes Kaçi, me të njëjtën shpejtësi të rrufeshme, me të cilën veproi kur e flaku jashtë radhëve të Gardës së Republikës z. Nikolli, a thua se ishte mish i huaj në përbërjen e trupës elitë të Ministrisë së Brendshme, dhe jo një individ që mirë apo keq ka shërbyer për nja pesëmbëdhjetë vjet brenda asaj strukture, që u ka ndenjur mbrapa bythës atyre që sot për sot njihen si klasa politike me e korruptuar dhe më gjakpirëse që ka njohur historia e shtetit shqiptar qysh nga 1912-ta, në shërbim të atyre që e shpallën fajtor aty për aty, se u interson politikëbërja ditore, dhe trushpëlarja e masave elektorale.
Më poshtë, Agjencia Telegrafike Vox, po boton versionin e ish-efektivit të Gardës së Republikës Martin Nikolli, në lidhje me atë që ndodhi dje në fshatin Hamallaj.
“Familja Kaçi ishte molla e sherrit, gjithçka ka nisur nga ta, dhe gjërat më tej janë agravuar. Qëllova me armë në ajër, që të përfundonte konflikti”, ka deklaruar z. Nikolli, përpara autoriteteve të hetimit dhe të ndjekjes penale.
Gjithashtu, ai shtoi se: “babai i familjes Kaçi ka shkuar dhe i ka ofenduar.”
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox









___.png)












































Comments