ANKARA: TAKIM MES PRESIDENTËVE ERDOGAN DHE AL SHARAA; DISKUTIME ME DYER TË MBYLLURA PËR SHUMË ÇËSHTJE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 25
- 2 min read

Ankara, Turqi | Marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet e fundit rajonale ishin në fokus të takimit të zhvilluar dje në Stamboll midis presidentëve të Turqisë dhe Sirisë, Rexhep Taip Erdogan (Recep Tayyip Erdogan) dhe Ahmed al Sharaa.
Në takimin, i cili, u zhvillua me dyer të mbyllura, morën pjesë edhe Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan dhe Ministri i Mbrojtjes Jashar (Yasar) Guler, kreu i agjencisë së inteligjencës MIT Ibrahim Kalin, kreu i Industrive të Mbrojtjes Haluk Gorgun, Këshilltari Kryesor i Presidentit Sefer Turan dhe Këshilltari i Presidentit për Politikë të Jashtme dhe Siguri Aqif Kagatai Kiliç (Akif Cagatay Kilic).
Siç thuhet në deklaratë, gjatë diskutimeve, presidenti Erdogan deklaroi se beson që Siria do të ketë ditë shumë më të ndritshme dhe më paqësore, dhe Turqia do të vazhdojë ta mbështesë atë siç ka bërë deri më sot.
Presidenti turk përshëndeti gjithashtu heqjen e sanksioneve kundër Sirisë dhe theksoi rëndësinë e sigurimit të integritetit dhe unitetit territorial të vendit.
Gjatë takimit, kreu i shtetit turk theksoi se pushtimi dhe sulmet e Izraelit në territorin sirian janë të papranueshme dhe Ankaraja do të vazhdojë ta kundërshtojë atë në çdo platformë.
Lidhur me marrëdhëniet dypalëshe, presidenti Erdogan theksoi se bashkëpunimi midis Turqisë dhe Sirisë do të vazhdojë të forcohet në të gjithë sektorët, veçanërisht në energji, mbrojtje dhe transport.
Sipas deklaratës, presidenti Al Sharaa falënderoi presidentin turk për mbështetjen e tij themelore dhe përpjekjet që synojnë heqjen e sanksioneve ndërkombëtare.
Vizita e djeshme në Stamboll ishte vizita e parë e presidentit sirian në Turqi pas vendimit të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për të hequr sanksionet.
Siç raportojnë mediat siriane, presidenti Al Sharaa shoqërohej nga një delegacion i përbërë nga ministri i Jashtëm Asaad al Shaibani dhe ministri i Mbrojtjes Murhaf Abu Kasra (Qasra).
Takimi në Stamboll pasoi bisedimet në Siri më herët këtë javë midis shefit të inteligjencës turke, Ibrahim Kalin, dhe presidentit Al Sharaa.
Turqia ishte ndër vendet e para që tregoi mbështetje për administratën e re siriane pas rënies së regjimit të diktatorit Bashar al-Assad dhjetorin e kaluar, duke premtuar mbështetjen e saj për rindërtimin e Sirisë.
Sipas raporteve të fundit nga mediat arabe dhe turke, Ankaraja synon gjithashtu të krijojë baza ushtarake për të forcuar luftën kundër terrorizmit, në veçanti kundër Shtetit Islamik, qelizat e mbetura të të cilit janë ende të pranishme në Siri, si dhe në Irak.
Portali i lajmeve “Middle East Eye” raportoi muajt e fundit se Turqia është gati të vendosë sisteme të mbrojtjes ajrore në Sirinë qendrore.
Në veçanti, Ankaraja thuhet se po planifikon të vendosë sistemin raketor Hisar të prodhuar në Turqi, si dhe të vendosë dronë zbulimi dhe sulmi për të forcuar mbulimin ajror dhe për të kryer operacione kundër Shtetit Islamik.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments