SARANDË | AGJENCIA E MBIKËQYRJES POLICORE KREU VEPRIME PROCEDURIALE PENALE NDAJ PUNONJËSIT TË POLICISË SË SHTETIT AJDIN ISLAMAJ.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 2 hours ago
- 2 min read

Sarandë, Shqipëri | Në funksion të luftës institucionale ndaj Agjenturës së Krimit Ordiner të infiltruar në Policinë e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) kreu veprime proceduriale penale ndaj:
1- Punonjësit të Policisë së Shtetit Ajdin Islamaj, në kuadër të një hetimi penal paraprak për ndërtim pa leje.
Njoftim | Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vijim të hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ka dokumentuar fakte dhe prova të reja që lidhen me procedimin penal 304/2026, ku është nën hetim edhe punonjësi i policisë A. I., në atë kohë me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë.
Nga akti i ekspertimit teknik i administruar në kuadër të hetimit ka rezultuar se në pasurinë në pronësi të babait të shtetasit në hetim, ku A. I., banon janë kryer punime ndërtimore pa lejen përkatëse të organeve kompetente, duke konsistuar në shtimin e një kati mbi një objekt ekzistues dykatësh, si dhe ndërhyrje të tjera ndërtimore e rikonstruktive me qëllim ndryshimin e destinacionit të objektit në funksion akomodimi (hotel).
Sipas konkluzioneve të ekspertëve të licencuar, struktura e realizuar përbën ndërtim të ri në kuptim të legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe për kryerjen e saj kërkohej pajisja me leje ndërtimi nga autoritetet kompetente.
Nga verifikimet e kryera nuk rezulton të jetë miratuar ndonjë leje ndërtimi për realizimin e këtij kati shtesë.
Nga hetimet ka rezultuar se sipërfaqja e ndërtuar pa leje është jo më pak se 159 m² me funksion hotel.
Gjithashtu, bazuar në analizën e pamjeve satelitore dhe hetimeve eshte provuar se punimet janë realizuar gjatë vitit 2025, kohë ne të cilën edhe ka mbuluar zonën.
AMP vlerëson se respektimi i ligjit duhet të jetë standardi i parë dhe i panegociueshëm për çdo punonjës policie.
Besimi i qytetarëve tek institucionet e zbatimit të ligjit cenohet rëndë kur vetë funksionarët publikë dyshohet se shkelin ligjin që kanë detyrimin ta zbatojnë dhe ta mbrojnë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale, identifikimin e çdo personi të përfshirë dhe verifikimin e rrethanave që kanë mundësuar realizimin e këtyre ndërtimeve në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e vendosur në misionin e saj për të goditur çdo formë paligjshmërie, pa asnjë dallim funksioni, detyre apo pozicioni, duke garantuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se integriteti i uniformës mbrohet përmes zbatimit të paanshëm të ligjit.

Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)























Comments