AGJENCIA E BRENDSHME GJERMANE “BfV” RAPORTON SE KRIMI EKSTREMIST ËSHTË RRITUR NË VEND.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jun 23, 2023
- 2 min read

Berlin, Gjermani | Ministrja Federale e Brendshme gjermane Nancy Faeser, dhe Presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) Thomas Haldenwang, shpalosën raportin vjetor të “BfV”-së të martën, duke theksuar kërcënimin në rritje të ekstremizmit në Gjermani, si dhe numrin e krimeve të kryera nga ekstremistët politikë, të cilat arritën një rekord të lartë në 2022.
Sipas Raportit për Mbrojtjen e Kushtetutës 2022, numri i krimeve të lidhura me ekstremizmin e raportuar në vitin 2022 ishte 35452, një rritje e ndjeshme nga 33476 raste të regjistruara një vit më parë. Ndër këto krime, 2847 (2994 në 2021) përfshinin akte të dhunshme.
Presidenti i BfV Thomas Haldenwang tha: “Raporti i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës ilustron edhe një herë rreziqet për sigurinë e brendshme në Gjermani: spiunazhi, operacionet kibernetike, dhe përpjekjet e shërbimeve të huaja të inteligjencës për të ushtruar ndikim, janë bërë më të pakufizuara dhe të sofistikuara.”
Raporti tregon se përqindja e ekstremistëve të rinj është rritur, dhe më shumë ekstremistë po kthehen në mjete të dhunshme, për të realizuar objektivat e tyre.
E goditur rëndë nga paqëndrueshmëritë sociale dhe ekonomike të kohëve të fundit, klasa e mesme shoqërore e Gjermanisë është veçanërisht e ndjeshme ndaj “teorive të konspiracionit”, dhe fushatave të dezinformimit, që përhapen në kanale të ndryshme informacioni.
Ekstremizmi i krahut të djathtë ka vazhduar të përhapet në mesin e popullatës gjermane. Disa ekstremistë të dhunshëm të krahut të djathtë kanë përdorur një mori ngjarjesh shoqërore për të zgjeruar ndikimin e tyre.
Protestat kundër masave të rrepta pandemike dhe kërdia ekonomike e shkaktuar nga lufta Rusi-Ukrainë, si inflacioni i lartë dhe një krizë energjetike e afërt, u përdorën për të nxitur pakënaqësi në publik.
Ndërsa numri i kërkesave për azil në Gjermani rritet, ekstremistët vazhdojnë të shpërndajnë informacion në lidhje me migracionin, duke rezultuar në një rritje të sulmeve ndaj refugjatëve në vend.
Në muajt e fundit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti populiste e ekstremit të djathtë, ka fituar terren në mesin e votuesve gjermanë, me vlerësimin e miratimit të saj që është rritur në 19% nga 10% një vit më parë.
Ajo tani ka të njëjtin nivel mbështetjeje si Partia Social Demokratike (SPD) e kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Pavarësisht sfidave, “BfV” është zotuar të rrisë monitorimin e grupeve ekstremiste, dhe të mbrojë demokracinë në vend.
Copyright | Agjencia Telegrafike Vox









___.png)


















































Comments