1 MILION € PËR VRASJEN E NUREDIN DUMANIT | NË LOJË FRANC ÇOPJA + ARBEN LAMÇE + 1 I DYSHUAR SI POLIC.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Aug 24, 2024
- 6 min read
Tiranë, Shqipëri | Kapja dhe vrasja e z. Nuredin Dumani, gjatë periudhës korrik-nëntor të vitit 2020, ishte kthyer ndër prioritet kryesore të grupit të Dubait, që drejtohet nga vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja.
Gjatë kësaj kohe grupi investohet në mënyrë sistematike të gjente subjekte kriminale, dhe njeriu që vepronte në teren për të lidhur marëveshjet për llogari të Francit, ishte z. Arben Lamçja.
Ky i fundit nuk është i panjohur për policinë kriminale dhe SPAK-un, që aktualisht e akuzon për “Sigurim të kushteve për të kryer vrasje” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”.
Z. Lamçja që njihet ndryshe dhe me mbiemrin “Dobrova” u arrestua dhe u ekstradua tre ditë më parë nga Kosova, ndërsa kjo nuk është eksperienca e parë penale e tij me drejtësinë në Shqipëri.
Fillimisht emri i tij del në regjistrat e dënimeve të gjykatave italiane, pasi në muajin mars të vitit 2011, ai është dënuar nga gjykata e Breshias me 12 vite burgim për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe bashkëpunimit kriminal.
Fakti konsistonte në shfrytëzimin si prostitutë të një shtetase të huaj gjatë periudhës nëntor-dhjetor të vitit 1999 deri në muajin shkurt të vitit 2000.
Por ky dënim është rritur dhe me dy vite të tjera nga Gjykata e Apelit të Breshias, duke e dënuar z. Lamçe me 14 vjet heqje lirie.
Ai u ekstradua në Itali me qëllim vuajtjen e dënimit penal, por për shkak të një amnistie, ai ka vuajtur vetëm 3 vjet heqje lirie.
Më datë 8 nëntor të vitit 2011, Sektori Kundër Krimit të Organizuar dhe të Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë Elbasan, ka kryer arrestimin e z. Arben Lamçe, mbi bazën e urdhër arrestit nr.6559/00 R GIP, datë 26 mars 2011, të lëshuar nga Gjykata e Brescia, Itali.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka regjistruar procedimin pasuror të vitit 2011 ndaj z. Lamçja, duke hetuar për pasuritë e tij dhe të afërmeve të tij, për periudhën 2000-2011 e në vijim.
Por kjo çështje në vijim nuk pati sukses pasi u shkërrmoq rrugës dhe të gjitha pronat e sekuestruara u kthyen sërisht pas.
Duke analizuar komunikimet në aplikacionin “Sky”, ka rezultuar se z. Lamçja ka pasur kontakte të vazhdueshme me njërin nga vëllezërit Çopja, konkretisht me z. Franc Çopja.
Ky i fundit e udhëzon z. Lamçe të gjejë njerëz në mënyrë që kundrejt pagesës të vrasin z. Nuredin Duman, pasi i kishte nxjerë shumë probleme.
Sipas z. Franc Çopja të gjithë këta, z. Nuredin Dumani dhe z. Dashnor Dumani, kanë qënë në krahun e tij por gjërat u prishën dhe i kanë dalë jashtë binarëve, për një gjë kot, për punën e një makine që mori ai i shkurtri.
Por z. Franc Çopja i tha z. Lamçja se tashmë z. Nuredin Dumani ka kaluar në krahun e kundërshtarit të tij, dhe personin që e kishte problemin në Shqipëri, konkretisht z. Erjon Alibej (i njohur edhe si Krymi).
Për realizimin e kësaj ngjarje janë zhvilluar biseda ndërmjet z. Franc Çopja dhe z. Arben Lamçja, ku z. Çopja ofroi në rastin e parë 1 milion euro.
Ndërsa në rastin e dytë ofrohen 250 mijë euro për lokalizimin dhe gjetjen e z. Nuredin Dumani si dhe 500 mijë euro për vrasjen e tij, me qëllim nxjerrjen e tij jashtë qarkullimit.
Në total 750 mijë euro.
Në rastin e parë z. Arben Lamçja mer takim me një person që quhet Asllan dhe besohet se është mik i ngushtë i z. Nuredin Dumani, tashmë i arrestuar tek operacioni “Plumbi i artë”.
Z. Franc Çopja i tha z. Lamçja që të takojë Asllanin me qëllim marrjen e informacionit apo ndonjë treguesi se ku mund të ndodhet z. Nuredin Dumani.
“Madje ai i ka kërkuar z. Lamçja që ti ofrojë 1 milion euro Asllanit për ta vrarë, vetëm të iki Nuredini nga qarkullimi”.
Në 7 tetor të vitit 2020 z. Arben Lamçja e informon z. Çopja se është takuar me Asllanin dhe se ai është gati të bashkëpunoj me ta.
“…sa u ndava nga Asllani, për të mirë është muhabeti. Gati e kena Asllanin, të s’qaroj mas dite…”- i tha z. Lamçja z. Franc Çopja.
Por organizata nuk ka varur shpresat vetëm tek goditja që do të duhej t’i jepej Nuredin Dumanit përmes Asllanit.
Një plan i dytë vihet në zbatim, ku dyshohet se një skuadër policie vihet në veprim, e cila është në gjëndje të gjurmojë edhe përmes përgjimeve që kryejnë vetë.
Në datën 29 tetor 2020 z. Arben Lamçja i tregon z. Franc Çopja se atë ditë është takuar me një person, me të cilin ka biseduar në lidhje me një çështje për të cilën z. ata janë takuar dhe biseduar në Dubai, në muajin tetor të vitit 2020.
Sipas z. Arben Lamçja, personi me të cilin ka biseduar e ka marrë përsipër ta kryente veprën e kërkuar por fillimisht i duhet të gjej makinën që ai lëviz, një numër telefoni ose vendodhjen e tij.
Z. Arben Lamçja i tha z. Franc Çopja se personi është komandant grupi dhe se i do me 1000% të sakta të dhënat e personit.
Z. Franc Çopja i tha z. Arben Lamçja se është një person që takon z. Nuredin Dumani dhe merret me automjete (Auto Borova) dhe më pas i ka dërguar dhe fotografinë e z. Vilson Balla.
Sipas z. Arben Lamçja personi që ka takuar i ka sugjeruar që informacioni që do i japin të jetë i saktë pasi ai do të vendoste njerëz në lëvizje që të bëjnë ndjekjen e personave.
Z. Arben Lamçja e pyet z. Franc Çopja se sa lekë do që ti premtojnë këtij personi lidhur me këtë punë.
Dy ditë më pas, më 1 nëntor të vitit 2020, z. Arben Lamçja i tregon z. Franc Çopja se është takuar me personin që ka marrë përsipër vrasjen e z. Nuredin Dumani.
Sipas z. Lamçe, personit që ai ka kontaktuar i ka ofruar 2500000 € për kapjen e z. Nuredin Dumani dhe 500000 € për vrasjen e tij.
Z. Lamçe i tha z. Çopja se personi që ka marrë përsipër vrasjen e z. Nuredin Dumani i është shprehur se ato kanë përgjimet e veta, duke krijuar dyshime se personi është punonjës i strukturave policore.
“Nga bisedat evidentohet se, personi i cili ka takuar z. Lamçe në javët në vijim para se të bëjnë punën (ekzekutimin) ka kërkuar që ta njoftojnë me qëllim që të lëvizin personin që do ruaj atë”.
Z. Franc Çopja i ka treguar z. Lamçe se z. Nuredin Dumani është takuar ditën e djeshme me z. Ilirjan Feçi nga Kavaja dhe i ka dhënë porosi për të ekzekutuar z. Dine Çami (Abedin Mamën).
Sipas z. Franc Çopja ka shumë mundësi që z. Nuredin Dumani të jetë në zonën e Kavajës dhe të jetë tek shtëpia e z. Ilirjan Feçi.
Sipas tij dy pikat më të mundshme ku mund të jetë z. Nuredin Dumani janë z. Vilson Balla dhe z. Ilirjan Feçi.
Në vijim të bisedave z. Arben Lamçe i tregon z. Çopja se është takuar me personin që ka marrë përsipër vrasjen e z. Nuredin Dumani dhe se i ka dhënë emrat e personave, konkretisht të z. Vilson Balla dhe të z. Ilirjan Feçi.
Në vijim z. Arben Lamçe i shkruan z. Çopja se personi që ka marrë përsipër vrasjen e z. Dumani tani do turret, vetëm se i duhet pak kohë.
Më 30 nëntor të vitit 2020, z. Arben Lamçe i tregoi z. Çopja se është takuar me personin dhe se ai po punon së bashku me persona të tjerë dhe se rëndësi ka që z. Nuredin Dumani mos të ketë lëvizur nga Shqipëria.
Për këto dy episodet SPAK ka ngritur ndaj z. Franc Çopja dhe z. Arben Lamçe akuzën e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” kundër z. Nuredin Dumani (edhe ky i fundit vrasës me pagesë).
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments