ÇFARË DO TË THOTË VDEKJA E NAVALNIT PËR RUSINË, PUTININ (VLADIMIR HELMUESIN E BREKËVE), DHE BOTËN?
- Agjencia Telegrafike Vox

- Feb 19, 2024
- 7 min read
Nga gazeta Ekonomisti (The Economist).
Londër, Britania e Madhe | Frika dhe lakmia drejtojnë regjimin e Rusisë. Udhëheqësi i opozitës i goditi të dyja.
Z. Aleksi Navalni (Alexei Navalny) nuk i pëlqente tragjeditë. Ai preferonte filmat dhe fabulat hollivudiane, në të cilat, heronjtë mposhtin zuzarët, dhe e mira triumfon mbi të keqen.
Ai kishte pamjen dhe talentin për të qenë një nga ata heronj, por ai lindi në Rusi, dhe jetoi në kohë të errëta, duke kaluar ditët e tij të fundit në një koloni penale, në permafrost, Arktik.
Një adhurues i “Star Wars”, ai e përshkroi kalvarin e tij në terma lirikë.
“Burgu (ekziston) në mendjen e dikujt”, shkroi ai nga qelia e tij, në vitin 2021.
“Dhe nëse mendoni me kujdes, unë nuk jam në burg, por në një udhëtim hapësinor... drejt një bote të re të mrekullueshme.” Ai udhëtim përfundoi më 16 shkurt 2024.
Vdekja e z. Navalni (Navalny) u konsiderua nga autoritetet e burgut rus për një mpiksje gjaku - megjithëse mjeku i tij tha se ai nuk vuante nga asnjë gjendje që e bënte këtë të mundshme.
Çfarëdo që përfundon në certifikatën e tij të vdekjes, ai u vra nga z. Vladimir Putin.
Presidenti i Rusisë e mbylli atë; në emër të tij, z. Navalni iu nënshtrua një regjimi të punës së detyruar dhe izolimit.
Z. Navalni do të festohet si një njeri me guxim të jashtëzakonshëm. Jeta e tij do të mbahet mend për atë që thotë për z. Putin, çfarë parashikon për Rusinë, dhe çfarë kërkon nga bota.
Një njeri me inteligjencë të jashtëzakonshme, z. Navalni identifikoi dy themelet mbi të cilat z. Putin ka ndërtuar fuqinë e tij: frikën dhe lakminë.
Në botën e z. Putin të gjithë mund të korruptohen ose kërcënohen. Jo vetëm që z. Navalni i kuptoi ato impulse, ai i goditi në mënyra shkatërruese.
Kuptimi i tij ishte se korrupsioni nuk ishte thjesht një ngutje anësore, por kalbëzimi moral në zemër të shtetit të z. Putin.
Kryqëzata e tij kundër korrupsionit formoi një zhanër të ri filmash të dokumentuar, në mënyrë të përsosur, dhe të ngjashëm me thrillera, që shfaqnin jahtet, vilat, dhe avionët e sundimtarëve të Rusisë.
Këto video, të postuara në YouTube, arritën kulmin me një ekspozim të pallatit miliarda dollarësh të z. Putin, në bregun e Detit të Zi, i cili, është shikuar 130 milionë herë.
Pavarësisht nga portat e hekurta të pallatit, të zbukuruara me një shqiponjë perandorake me dy koka, z. Navalni e portretizoi pronarin e tij jo si një car, aq sa një bos mafioz pa shije.
Z. Navalni e kuptoi gjithashtu frikën dhe si ta mposhtte atë.
Përpjekja e parë e z. Putin për ta vrarë ishte në vitin 2020, kur ai u helmua me agjentin nervor noviçok (novichok) të lyer brenda të brendshmeve të tij.
Me shumë fat, z. Navalni mbijetoi, rifitoi fuqinë e tij në Gjermani, dhe më pak se një vit më vonë, u kthye në Mosk,ë për të sfiduar z. Putin, në një shpërthim publiciteti.
Ai u kthye në dijeni të plotë se ndoshta do të arrestohej. Në rrugën e kthimit për t'u përballur me sundimtarin e keq që kishte tentuar ta helmonte, ai nuk e lexoi Hamletin.
Ai pa Rik end Morti (Rick and Morty), një film vizatimor amerikan. Duke tallur z. Putin, ai e zvogëloi atë.
“Unë e kam ofenduar atë për vdekje duke mbijetuar”, tha ai nga banka e akuzës gjatë gjyqit të tij, në vitin 2021.
“Ai do të hyjë në histori si një helmues. Kishim Jaroslav të Urtin dhe Aleksandrin Çlirimtar. Dhe tani do të kemi Vladimir Helmuesin e Brekëve (Mbathjeve).”
Z. Navalni (Navalny) u dënua me 19 vjet burg për akuzat për ekstremizëm. Ai e ktheu dënimin e tij në një akt kundërshtimi gazmor.
Sa herë që ai shfaqej në seancat gjyqësore përmes lidhjes video nga burgu, buzëqeshja e tij preu muret e qelisë së tij dhe rrezatonte në 11 zonat kohore të Rusisë.
Më 15 shkurt 2024, në prag të vdekjes, ai ishte sërish në gjykatë. I veshur me uniformë burgu gri të errët, ai qeshi në fytyrën e gjyqtarëve të z. Putin, duke sugjeruar që ata të vendosnin disa para në llogarinë e tij, pasi ai kishte mungesë.
Në fund, kishte vetëm një mënyrë se si z. Putin mund ta fshinte buzëqeshjen nga fytyra.
Në esenë e tij “Jeto jo nga gënjeshtra”, në vitin 1974, Aleksandër Solzhenicin (Alexander Solzhenitsyn), një nobelist sovjetik, fitues i çmimit Nobel, shkroi se “kur dhuna ndërhyn në jetën paqësore, fytyra e saj shkëlqen me vetëbesim, sikur të kishte një flamur, dhe bërtet: “Unë jam dhunë. Ik, hap rrugën për mua - unë do të të dërrmoj.”
Z. Navalni e kuptoi, por në vend që të vraponte, ai mbajti qëndrimin e tij.
Forca e tij e madhe ishte të kuptonte frikën e z. Putin nga guximi i njerëzve të tjerë. Në një nga komunikimet e tij të hershme nga burgu ai shkroi se: “Nuk janë njerëzit e ndershëm ata që i frikësojnë autoritetet...por ata që nuk kanë frikë, ose, për të qenë më të saktë: ata që mund të kenë frikë, por e mposhtin frikën e tyre.”
Kjo është arsyeja pse vdekja e tij parashikon një thellim të represionit brenda Rusisë. Vrasja e z. Navalni nuk ishte e para, dhe nuk do të jetë e fundit.
Objektivat e radhës mund të jenë z. Ilia Jashin (Ilya Yashin), një politikan i guximshëm që ndoqi z. Navalni në burg, ose Vladimir Kara-Murza, një historian, gazetar dhe politikan, i cili, është dënuar me 25 vjet burg, me akuza për tradhti, për të folur kundër luftës.
Në rrezik janë edhe avokatët dhe aktivistët që vazhdojnë të mbrojnë këta disidentë. Që nga kthimi i z. Putin në presidencë në vitin 2012, numri i të burgosurve është rritur 15 herë.
Edhe pse mbetjet e gulagut të Stalinit mbushen me të burgosur politikë, kriminelët profesionistë rekrutohen dhe lirohen për të luftuar në Ukrainë.
Vdekja e z. Navalni gjithashtu hedh një hije mbi rusët e zakonshëm. Në Moskë, dhe në të gjithë Rusinë, njerëzit vërshuan në rrugë pas lajmeve.
Para se policia të fillonte t'i arrestonte, ata i mbuluan me lule përkujtimoret për viktimat e mëparshme të represionit politik.
Megjithatë, ajo shtypje po intensifikohet.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, 1305 burra dhe gra janë ndjekur penalisht për të folur kundër tij. Një valë shtypjeje (represioni) po gëlltit edhe njerëz që kurrë më parë nuk janë përfshirë në politikë. Presidenti do të qëllojë në turmë nëse duhet.
Për Perëndimin, vdekja e z. Navalni përmban një thirrje për veprim. Z. Putin i konsideron udhëheqësit e tij shumë të dobët, dhe shumë dekadentë, për t'i rezistuar atij.
Dhe për shumë vite politikanët dhe biznesmenët perëndimorë bënë shumë për të provuar se frika dhe lakmia funksionojnë edhe në Perëndim.
Kur z. Putin bombardoi Çeçeninë për herë të parë në fillim të viteve 2000, politikanët perëndimorë mbyllën një sy, dhe vazhduan të bënin biznes me miqtë e tij.
Kur ai vrau kundërshtarët e tij në Moskë, dhe aneksoi Krimenë, në vitin 2014, ata i rrahën shpatullat.
Edhe pasi ai kishte pushtuar Ukrainën në vitin 2022, ata hezituan të siguronin armë të mjaftueshme që Rusia të mundej.
Sa herë që Perëndimi tërhiqej, z. Putin bënte një hap përpara. Sa herë që politikanët perëndimorë shprehnin “shqetësimin e tyre të madh”, ai buzëqeshte.
Perëndimi duhet të gjejë forcën dhe guximin që tregoi z. Navalni. Duhet të kuptohet se vrasja e z. Navalni, numri në rritje i të burgosurve politikë, torturimi, dhe rrahja e njerëzve anembanë Rusisë, vrasja e kundërshtarëve të z. Putin në Evropë, dhe granatimet e qyteteve të Ukrainës, janë të gjitha pjesë e së njëjtës luftë.
Pa vendosmëri, epërsia ushtarake dhe ekonomike e Perëndimit nuk do të ketë vlerë.
Qeveritë perëndimore duhet të fillojnë duke i trajtuar njerëz si z. Kara-Murza si të burgosur të luftës së z. Putin, të cilët, duhet të shkëmbehen me të burgosur rusë në Perëndim, ose me robër lufte në Ukrainë.
Ata nuk duhet të stigmatizojnë rusët e zakonshëm që jetojnë nën një diktator paranojak dhe budallenj të tij, ose të vënë përgjegjësinë mbi njerëzit e zakonshëm, për të rrëzuar diktatorin që po i shtyp.
Përgjigja më e mirë për z. Putin është armatosja e Ukrainës. Sa herë që Kongresi Amerikan voton kundër ndihmës, Rusia ngushëllohet.
Udhëheqësit e mbledhur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, të cilët, dëgjuan gruan e z. Navalni, Julian, të fliste për drejtësinë për vdekjen e burrit të saj, duhet të forcojnë vendosmërinë e tyre për të kaluar luftën.
Nga ana e tyre, politikanët ukrainas duhet të shohin se mbrojtja e aktivistëve, dhe e të burgosurve rusë është gjithashtu një mënyrë për të ndihmuar vendin e tyre - ashtu siç bëri thirrje z. Navalni për paqe, për rindërtimin e Ukrainës, dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës ruse.
Çlirimi i Ukrainës do të ishte mënyra më e mirë për të çliruar edhe Rusinë.
UDHËTIMI PËRFUNDON.
Pasi u helmua, z. Navalni u kthye në shtëpi, sepse besonte se historia ishte në anën e tij, dhe se Rusia po çlirohej nga kontrolli vdekjeprurës i së kaluarës së saj perandorake.
“Putini është akordi i fundit i ish-Bashkimit Sovjetik (BRSS), i tha ai gazetës Ekonomisti (The Economist), disa muaj përpara se të bënte atë udhëtim të fundit fatal.
“Njerëzit në Kremlin e dinë se ka një rrymë historike që po lëviz kundër tyre.”
Z. Putin pushtoi Ukrainën për ta kthyer atë rrymë. Tani ai ka vrarë z. Navalni.
Z. Navalni nuk do të donte që mesazhi i z. Putin të mbizotëronte. “(Nëse më vrasin) gjëja e qartë është: mos u dorëzo”, u tha ai dikur regjisorëve amerikanë.
“Gjithçka që duhet që e keqja të triumfojë, është mosveprimi i njerëzve të mirë. Nuk ka nevojë për mosveprim.”
Vdekja e z. Navalni është dukur e pashmangshme për muaj të tërë. E megjithatë ka diçka dërrmuese në lidhje me të. Ai nuk ishte i vetëm që besonte se e mira triumfon mbi të keqen, dhe se heronjtë mposhtin zuzarët.
Guximi i tij ishte një frymëzim. Të shohësh atë rend moral të përmbysur kaq brutalisht, është një fyerje e tmerrshme.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)



















































Comments