USHTRIA E IZRAELIT NJOFTOI SULM USHTARAK: EVAKUOUNI NGA KAN JUNISI (KHAN YOUNIS) - THUHET NË DEKLARATËN E SAJ.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 3 days ago
- 1 min read

Jeruzalem, Izrael | Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit (IDF) në gjuhën arabe njoftoi se ushtria izraelite ka nisur një operacion ushtarak të paparë kundër aftësive të grupeve të armatosura që vazhdojnë të qëllojnë me raketa drejt Izraelit nga zona Kan Junisit (Khan Younis) në Rripin jugor të Gazës.
IDF-ja urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të banorëve nga lagjet al-Karara (Qarara), Bani Suheila dhe Abasan drejt zonës al-Mauasi, në perëndim.
Sipas njoftimit, zona konsiderohet e rrezikshme dhe janë lëshuar paralajmërime të shumta në të kaluarën.
Spitalet Nasser dhe al-Amal u përjashtuan nga urdhri i evakuimit.
Urdhri i evakuimit i IDF-së në Kan Junis (Khan Younis) vjen pas urdhrave të mëparshëm të lëshuar për të gjithë zonën, përfshirë Rafahun në Rripin jugor të Gazës, përpara ofensivës tokësore të planifikuar në shkallë të gjerë.
Ushtria po u bën thirrje palestinezëve që jetojnë në zonat e shënuara me të kuqe në hartën e publikuar nga zëdhënësi në rrjetin social virtual Iks (X) që të evakuohen në drejtim të perëndimit në zonën Mauasi në bregdet, të cilën, Izraeli do ta shpallë një zonë më të sigurt.
Një paralajmërim fillestar për evakuim u lëshua më 31 mars për të gjithë Rafahun dhe pjesën jugore të Kan Junisit (Khan Younis), dhe më 19 maj ushtria izraelite urdhëroi gjithashtu që pjesa tjetër e Kan Junisit (Khan Younis) të evakuohej.
Evakuimi i sotëm ka të bëjë me të njëjtat zona nga të cilat ishte urdhëruar evakuimi më parë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments