TURQI | PARLAMENTI MIRATOI ZGJATJEN DYVJEÇARE TË MISIONIT USHTARAK NË LIBI.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Dec 24, 2025
- 2 min read

Ankara, Turqi | “Parlamenti turk ka miratuar një zgjatje 24-mujore të misionit të forcave të armatosura turke në Libi, duke filluar nga 2 janari 2026”.
Kështu raportoi agjencia turke e lajmeve “Anadolu”.
Sipas raportit mediatik, Asambleja Kombëtare Turke votoi në favor të një mocioni të paraqitur nga presidenca, i cili, kërkonte një zgjatje të pranisë ushtarake në vendin e Afrikës së Veriut.
Kërkesa iu dorëzua parlamentit më 19 dhjetor dhe përmendi paqëndrueshmërinë e vazhdueshme politike rajonale, kërcënimet e sigurisë dhe mbrojtjen e interesave strategjike të Turqisë në Mesdheun Lindor.
Ankaraja vendosi forcat e saj në Libi më 2 janar 2020, në përputhje me nenin 92 të Kushtetutës (i cili, autorizon vendosjen e forcave ushtarake jashtë vendit), pas nënshkrimit, më 27 nëntor 2019, të dy memorandumeve të mirëkuptimit me Qeverinë e Pajtimit Kombëtar të udhëhequr nga z. Faiez (Fayez) al-Sarraj, në lidhje me bashkëpunimin në siguri dhe mbrojtje dhe përcaktimin e juridiksioneve detare.
Që atëherë, misioni i trupave turke, i përqendruar kryesisht në Libinë perëndimore, është rinovuar çdo dy vjet përmes një mocioni nga Presidenca e Republikës të ratifikuar nga parlamenti.
Mocioni i këtij viti thotë se pamundësia e vazhdueshme për të mbajtur zgjedhje në Libi ka zgjatur pasigurinë politike dhe problemet e qeverisjes, duke rrezikuar qetësinë e arritur në terren me kosto të lartë dhe duke paraqitur një pengesë serioze për stabilitetin e qëndrueshëm.
Kjo situatë - vazhdon mocioni - ngre shqetësime për sigurinë e Libisë dhe të rajonit më të gjerë.
“Duke pasur parasysh lidhjet e thella historike, politike dhe ekonomike midis Turqisë dhe Libisë - të forcuara më tej nga Memorandumi i Mirëkuptimit mbi delimitimin e zonave juridiksionale detare në Mesdhe - vazhdimi i armëpushimit dhe procesit të dialogut politik në Libi, si dhe arritja e paqes dhe stabilitetit si rezultat i këtij procesi, janë me rëndësi të madhe për Turqinë”, thuhet më tej në mocion.
“Brenda këtij kuadri - thekson mocioni - Turqia synon të vazhdojë të ofrojë trajnime dhe mbështetje konsultative, duke kontribuar në sigurinë e Libisë sipas Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar dhe tani në fuqi mbi Bashkëpunimin Ushtarak dhe të Sigurisë”.
Ministri turk i Mbrojtjes, Jashar (Yasar) Guler, deklaroi se Forcat e Armatosura vazhduan stërvitjen, bashkëpunimin dhe aktivitetet këshillimore ushtarake në Libi me qëllim që të kontribuojnë në krijimin e një vendi të bashkuar që gëzon unitet territorial dhe kohezion politik, duke jetuar në një atmosferë paqeje, qetësie dhe stabiliteti.
Ministri theksoi se përmes dialogut dhe përpjekjeve të kryera në kuadër të një politike parimore me të gjitha palët, është bërë përparim i prekshëm drejt këtij qëllimi në Libi.
Ministri Guler theksoi se Turqia dhe Libia kanë lidhje të thella historike.
“Bashkëpunimi ynë detar, i vendosur me memorandumin e mirëkuptimit mbi përcaktimin e zonave të juridiksionit detar të nënshkruar në vitin 2019, është zgjeruar për të përfshirë fusha të tilla si siguria energjetike dhe lufta kundër migracionit të parregullt”, tha Ministri Guler, duke riafirmuar më në fund mbështetjen e Ankarasë për procesin politik të udhëhequr nga OKB-ja.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)












































Comments