TIRANË | U ARRESTUA KRISTJAN NIKOLLI; U SHPALL NË KËRKIM POLICOR ANTON HULI DHE KEVIN VUTHAJ; BASHKËPUNËTORË ME JOZEFIN MARKUN NË USHTRIM DHUNE FIZIKE DHE VERBALE NDAJ EDUARD KUÇIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 2 days ago
- 2 min read
Tiranë, Shqipëri | Në funksion të luftës institucionale ndaj Agjenturës së Krimit Ordiner strukturat vendore të Policisë së Shtetit arrestuan:
1- Z. Jozefin Marku, me moshë 30 vjeç, i njohur rëndom si Jozi, ndikues në mediat shoqërore virtuale dhe ish-banor i emisionit televiziv të tejçuar në kohë të atypëratyshme (reale) “Big Brother Vip Albania”.
2- Z. Kristjan Nikolli, me moshë 31 vjeç.
Shpallën në kërkim policor:
1- Z. Anton Huli, me moshë 48 vjeç.
2- Z. Kevin Vuthaj, me moshë 27 vjeç.
Njoftim | Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një konflikt ndërmjet disa shtetasve, sqarojmë se:
Nga verifikimet e kryera rezultoi se pamjet ishin filmuar në afërsi të mbikalimit të Rinasit.
Për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, u ndaluan shtetasit J. M., 30 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”, si dhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”.
Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. N., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni, si dhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje.
Këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin E. K., 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre.
Punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, u tha në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)




Comments