TIRANË | KËSHILLI NDËRFETAR I SHQIPËRISË U BËRI THIRRJE UDHËHEQËSVE BOTËRORË T’I JAPIN FUND LUFTËS NË GAZË.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Aug 28
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë u bëri thirrje udhëheqësve botërorë t’i japin fund luftës në Gazë.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë përbëhet nga krerët shpirtërorë të 5 feve kryesore.
Për Komunitetin Mysliman ka nënshkruar kryetari Bujar Spahiu.
Për Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë ka nënshkruar Joan Pelushi.
Për Kishën Katolike ka nënshkruar Gjergj Meta.
Për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane ka nënshkruar Kryegjyshi Dedë Edmond Brahimaj (Baba Mondi).
Për Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë ka nënshkruar kryetari Ergest Biti.
Deklarata e plotë e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë | Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si përfaqësues i pesë komuniteteve fetare të vendit, ka ndjekur me vëmendje ndër vite çdo shqetësim kombëtar dhe ndërkombëtar, që ka cenuar paqen sociale dhe bashkëjetesën shoqërore.
Sot, ne komunitetet fetare në Shqipëri, bashkojmë zërin tonë me thirrjet ndërkombëtare të organizatës Religions for Peace Europe, institucion ku ne bëjmë pjesë, thirrjes së fundit të Patriarkanës Latine dhe asaj Ortodokse të Jeruzalemit, thirrjes së 80 rabinëve ortodoksë nga e gjithë bota, komuniteteve islame dhe të krishtera nga mbarë bota, OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, ku me apelin e tyre, ata shprehin shqetësimin e thellë për situatën dramatike humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke kërkuar përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe lirimit të të gjithë pengjeve.
KNFSh kërkon ndalimin e dhunës dhe garantimin e mbrojtjes së jetës së civilëve të pafajshëm, veçanërisht grave dhe fëmijëve, të cilët janë viktimat më të mëdha të këtij konflikti.
Shpërngulja e detyruar e popullsisë, pengimi i ndihmës humanitare dhe shkatërrimi i infrastrukturës bazë nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.
Në frymën e solidaritetit ndërfetar dhe të përgjegjësisë morale që feja mbart, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë riafirmon se paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi, mëshirë dhe respekt të ndërsjellë.
Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve botërorë, institucioneve ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë të shtojnë përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, për të siguruar menjëherë ndihmën e nevojshme humanitare dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë dhe përreth saj.
Zoti i bekoftë paqendërtuesit.

Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments