SPAK-u MORI TË PANDEHUR KLOTILDA BUSHKËN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jul 23
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mori të pandehur Deputeten e Partisë Socialiste dhe njëherësh kryetaren e Komisionit të Ligjeve në Kuvend, Klotilda Bushka, në kuadër të hetimeve penale paraprake të lidhura me kryetarin e arrestuar të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Sipas SPAK-t ajo konsiderohet e përfshirë në veprime aktive për trembjen e dëshmitarëve dhe pengimin e hetimeve penale paraprake ndaj z. Veliaj (duke u marrë telefonat që të mos i dorëzonin në SPAK).
Ajo ka tentuar të manipulonte dëshminë e znj. Ina Goxhaj, e cila, ishte vënë fiktivisht në krye të kompanisë “BYL-A” edhe pse ajo kontrollohej nga znj. Bushka dhe më pas nga znj. Ajola Xoxa.
Pas thirrjes së saj nga SPAK-u, znj. Goxhaj (e cila, u amnistua duke mos iu ngritur akuzë pasi bashkëpunoi me hetuesit) tregoi për një përpjekje të koordinuar për të ndikuar deklarimet e saj si dhe për të fshehur faktet gjatë hetimit penal paraprak.
Ajo deklaroi se ishte takuar disa herë me znj. Bushka, znj. Xoxa dhe disa avokatë, të cilët, e kishin udhëzuar atë që të mohonte gjithçka si dhe të fshihte faktet penale.
Në një takim në një zyrë avokatore, znj. Ajola Xoxa i kërkoi znj. Goxhaj që t’i dorëzonte telefonin; të cilin, më pas e ka kontrolluar në lidhje me bisedat që kishte kryer.
Sipas saj, znj. Ajola Xoxa i kishte sjellë një telefon të ri të markës “Iphone 12”, ndërsa telefoni i vjetër i përdorur prej saj, dyshohet të jetë asgjësuar nga deputetja Bushka në shtëpinë e prindërve të vet.
Znj. Bushka i ka mohuar këto pretendime; ajo ka pranuar takimet me znj. Goxhaj dhe ka deklaruar se ajo i ka transformuar bisedat mes tyre në dëshminë e dhënë para prokurorëve të Posaçëm.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
댓글