MOS I HARRONI KURRË NDIHMËSIT E VEGJËL TË EPSTEINIT | BURRAT E FUQISHËM QË DININ PËR KRIMET E TIJ DHE E NDIHMUAN GJITHSESI.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 2 hours ago
- 6 min read

Nga znj. Mariana Haid (Marina Hyde).
Londër, Mbretëria e Bashkuar | Më vjen keq, por ky nuk është thjesht një skandal politik.
Është koha të përqendrohemi sërish te keqtrajtimi i tmerrshëm i grave dhe vajzave dhe roli i këtyre përbindëshave.
Si për shumë gra të tjera, edhe mua nuk ma ndien për dështimin e fundit politik të Petër Mendllsonit (Peter Mandelson) - por, mendoj se të gjithave na shqetëson shumë më tepër fakti se në të vërtetë ka pasur një rrjet me burra të jashtëzakonshëm, të famshëm dhe të fuqishëm që përpiqeshin të ndihmonin një të ish-dënuar të njohur që të minimizonte dhe t’ia dilte mbanë me krimet e tij seksuale ndaj të miturave.
Apo jo, zonja? Sigurisht, ndihem keq për ndonjë këshilltar të Gordon Braunit (Brown), të cilit, ia shpërndajnë memorandumin për shitjen e pasurive shtetërore në vitin 2009 ... por, njëkohësisht jam shumë më e shqetësuar për Billdërbergun (Bilderberg) e vërtetë të Seksit.
Kështu që, edhe tani, po shpërqendrohemi nga thelbi. A mund të përqendrohemi sërish?
Po flasim, natyrisht, për dosjet e Xhefri (Jeffrey) Epsteinit.
Qëkur doli grupi i fundit, kam mbledhur letrat elektronike nga burra tepër të famshëm, të cilët, në mënyrë aktive kërkonin të ndihmonin trafikantin e të miturave, tani të vdekur, për të banalizuar krimet e tij në vitet pas lirimit nga burgu në vitin 2009.
Riçërd Bransoni (Richard Branson), Noam Çomski (Chomsky), Stiv Benëni (Steve Bannon), Mendllsoni (Mandelson), Endri (Andrew) - natyrisht - të gjithë këta burra ofrojnë këshilla strategjike, trajnim mediatik ose solidaritet shoqëror.
Ose, në rastin e Çomskit (Chomsky), të gjitha si më sipër plus një koment mbi nocionin e viktimizimit femëror.
Sipas një teksti të nënshkruar me emrin e tij, të cilin, Epsteini ia dërgoi një avokati dhe një publicisti në shkurt të vitit 2019, disa muaj pasi Maiemi Herëlld (Miami Herald) kishte botuar një seri artikujsh bombastikë që shpalosnin përmasat e abuzimit të përsëritur seksual të Epsteinit ndaj të miturave dhe shtrembërimin e drejtësisë që e mbulonte atë, Çomski (Chomsky) përçmonte “histerinë që është zhvilluar rreth abuzimit të grave”.
Uau. Harrojeni (librin e Çomskit) “Prodhimin e pëlqimit” - lexojeni. Nuk ma ndien për pëlqimin. Mendoja që Çomski (Chomsky) kujdesej për pushtetin dhe elitat shfrytëzuese? Gjithsesi, foto e bukur e tij duke qeshur me Stiv Benonin (Steve Bannon).
Të kalojmë te Riçërd Brensoni (Richard) Branson. Këtu kemi Biznesmenin më të Dashur të Britanisë në vitin 2013, duke i thënë Epsteinit, në krye të letrës: “Do të doja shumë të të shihja. Me kusht që të sjellësh edhe haremin tënd”! (“Virgin Group ka sqaruar se ‘haremi’ i referohej tre anëtarëve të rritur të ekipit të Epsteinit dhe ka deklaruar se Brensoni (Branson) nuk do ta kishte përdorur atë term dhe as nuk do të kishte kontakte po t’i dinte faktet e plota”.
Në vazhdim do të ketë më shumë detaje mbi të gjitha faktet për të cilat ai duhej të ishte i informuar.
Pastaj vazhdon me ndihmën ndaj Epsteinit për të minimizuar krimet e tij seksuale, tri vjet pasi kishte mbaruar vuajtjen e dënimit për to.
“Mendoj se nëse Bill Geitsi (Gates) do të ishte i gatshëm të thoshte se ti i ke dhënë këshilla të shkëlqyera atij, se ti gabove shumë vite më parë pasi fjete me një grua 17 vjeçe e gjysmë …” - Riçërd (Richard), dënimi i tij ishte për prostitucion me vajza deri në moshën 14 vjeçe, por vazhdo ti - “… dhe nuk ke bërë asgjë të paligjshme që atëherë, dhe po, si një burrë beqar duket se ke një dobësi për gratë. Por, nuk ka asgjë të keqe në këtë”. Faleminderit, njeri i mirë!
E dini, pothuajse sa herë që kam shkruar për Riçërd Brensonin (Richard Branson) ndër vite, ai ose një nga vartësit e tij ka shkruar në Guardian për t’u ankuar për këtë, dhe shpeshherë letra është botuar.
Kësaj here, po i lutem që të kontaktojë.
Eja, Riçërd (Richard) - shkruaj dhe na thuaj pse nuk u lodhe të kërkoje në Google se pse miku yt me avokatët më të mirë në dispozicion gjithsesi mori një dënim me burg prej 18 muajsh, ndërsa në kohën e asaj letre kishte zgjidhur shumë procese civile të raportuara gjerësisht nga viktimat?
Do të ta ruaj një hapësirë në faqen e letrave.
Ka aq shumë peshkaqenë të mëdhenj në rrethin e Epsteinit, saqë ndoshta jemi vetëm disa orë larg që Xhef Bezosi (Jeff Bezos), tashmë i heshtur, të nisë një hashtag: #jotëgjithëmiliarderët.
Në ditët e sotme, puna me shumë, shumë miq të fuqishëm të Epsteinit, është se, nëse ndodh që ndonjëri prej tyre më në fund të dalë haptazi për shfaqjen e emrit të tij në dosje - dhe sa shumë të heshtur janë të gjithë - ata priren të thonë se nuk e kishin asnjë ide për krimet e tij.
Dhe, megjithatë, nëse një nga miqtë tuaj ose të mitë do të shkonte në burg për një vit, edhe nëse do na thoshte se ishte ndonjë gabim i madh i vjetër apo vështirësi e vogël vendore, do të kërkonim në Google se për çfarë bëhej fjalë - apo jo?
Tani, imagjino të jesh me përvojë sa Riçërd Brenson (Richard Branson), Illn Masku (Elon Musku), Petër Mendllsoni (Peter Mandelsoni), Stiv Benoni (Steve Bannoni), Bill Geitsi (Gates) dhe të mendosh se një miliarder me avokatë miliarderë në sistemin e drejtësisë të ShBA-së, përfundon në burg në Floridë për shkak të ndonjë manipulimi.
Më falni. Të gjithë ata burra e dinë që bota nuk funksionon ashtu - dhe nuk e dinë këtë rast ku Epsteini mori si dhuratë një marrëveshje tepër kontroverse dhe të fshehtë për pranim faji.
I vetmi person që mund të besoj se ishte shumë budalla për të përdorur një motor kërkimi ishte Endrju Mauntbatn-Uindsor (Andrew Mountbatten-Windsor).
Por, pastaj mendoj se ai e dinte çfarë kishte ndodhur në “mënyra të tjera”. Nuk ka hapësirë sot për ekspozim të mëtejshëm - në grumbullin e fundit të dokumenteve - të gënjeshtrave të kulluara të Endrjut (Andrew) për ndërprerjen e lidhjeve me Epsteinin.
E anashkaluan. Siç dëshmohet nga lidhja e tyre e vazhdueshme me të, ai nuk ishte i rëndësishëm për ta.
Pjesa tjetër e tmerrshme është të imagjinosh si flisnin këta njerëz nëse ky ishte lloji i gjërave që ishin të gatshëm t’i shkruanin në letra elektronike.
“Më dërgo një numër për të të telefonuar”, i thotë Epsteini producentit të filmave dhe bashkëpronarit të New York Giants, Stiv Tish (Steve Tisch), në një shkëmbim për “vajza që punojnë”: “Nuk më pëlqen të ketë regjistrime të këtyre bisedave”.
E dimë që Bill Geitsi (Gates) ishte shumë i afërt me Epsteinin, por nuk duket (deri tani në dosje) ta ketë shkruar ndonjëherë këtë miqësi me i-meill (e-mail).
Ndoshta edhe ai mendoi se ishte më mirë të fliste në telefon. Për të kaluar tani në diçka tjetër, Gisllein Maksuell (Ghislaine Maxwell) do të paraqitet para Kongresit javën e ardhshme, ku ndoshta do të zgjerohet pretendimi i saj i fundit se katër bashkëpunëtorë dhe 25 burra kanë bërë “marrëveshje sekrete” përkitazi me rastin Epstein, por nuk janë paditur.
Por, ka ende aq shumë heshtje që ushtojnë.
Puna është, siç tha JD Vens (Vance) - nënkryetar për postime koti - në vitin 2021: “Mbani mend kur mësuam se njerëzit tanë më të pasur dhe më të fuqishëm ishin të lidhur me një tip që drejtonte një rrjet të vërtetë të trafikimit seksual të fëmijëve? Dhe, pastaj ai njeri vdiq në mënyrë misterioze në një burg? Dhe, tani thjesht nuk flasim për këtë”.
Ai atëherë ishte gati për sulm. “Nëse je gazetar dhe nuk shtron pyetje për këtë rast, duhet të turpërohesh. Çfarë qëllimi ke ti”?
Hëm. Si një gazetare që ka bërë pyetje për këtë rast për të paktën 11 vjet: kush nuk po flet për të tani, JD?
Megjithëse nuk është vetë i përfshirë, ai është në një pozicion për të ndriçuar shumë më tepër sesa është ndriçuar. Prandaj, nxirre përfundim tënd se cilit qëllim i shërben.
Të gjithë i tradhtojnë gratë në fund.
Prandaj, edhe një herë, gjithçka po ngelet te viktimat. Njëzet nga të mbijetuarat e Epsteinit lëshuan së fundmi një deklaratë ku thonë se informacionet për to janë përfshirë në botimin më të fundit të dosjeve, “ndërsa burrat që na kanë abuzuar mbeten të fshehur dhe të mbrojtur”.
Kjo është zemra e errët e kësaj - dhe, megjithatë, edhe tani ne po shikojmë në drejtimin e gabuar.
Vazhdoj të dëgjoj komente të ethshme se çfarë do të thotë kjo për Keër Starmërin (Keir Starmer), për Fergin (Sarah Ferguson), për titullin e fisnikërisë të Mendllsonit (Mandelson), për çfarëdo.
Po për pyetjen më të madhe dhe më të errët nga të gjitha: çfarë do të thotë për gratë dhe vajzat që do të jenë në gjendje të shohin qartë se po jetojmë në një botë ku kaq shumë nga burrat më të pasur dhe më të fuqishëm të gjallë thjesht nuk shqetësohen fare për shfrytëzimin e tyre.
Apo edhe më keq se kaq.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)




















Comments