PRISHTINË: AGJENCIA E USHQIMIT DHE VETERINARISË KONSTATOI SE NË KOMPANINË “MEKA HALAL FOOD” U KAPËN 20 TONË MISH PULE I BARDHË ME BAKTERIN E RREZIKSHËM SALMONELLA.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 4 days ago
- 2 min read

Prishtinë, Republika e Kosovës | Kompania “Meka Halal Food”, që propgandohet për reklamimin e produkteve të saj hallall dhe me cilësi të lartë, është përballur me një rast administrativ që ka vënë në dyshim sigurinë ushqimore të produkteve të saj.
Sipas një vendimi të siguruar nga portali Veriu.info, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konstatuar se në depon e kompanisë “Meka Food” janë gjetur:
1- 20 mijë e 740 kilogramë mish pule të infektuar me bakterin Salmonella, i cili, paraqet rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.
Në vendimin e AUV-së thuhett se inspektimi është bërë në depon e kompanisë dhe se është përpiluar një procesverbal që konstaton se mishi në fjalë është i kontaminuar dhe i papërshtatshëm për konsum njerëzor.
AUV i ka urdhëruar kompanisë që ta kthejë produktin në vendin e origjinës ose ta asgjësojë, në përputhje me legjislacionin përkatës.
Z. Burim Piraj, pronari i kompanisë, në një prononcim për entin mediatik “Insajderi”, ka hedhur poshtë pretendimet se ka pasur ndonjë përpjekje për të futur në treg mish të kontaminuar.
“Kjo që po thuhet nuk qëndron aspak. Nuk bëhet fjalë as për mish të bardhë pule, as për ndonjë pretendim tonin të tillë.
Ka qenë fjalë për mish pule të destinuar për përpunim.
Gjatë importit, është marrë mostra nga Dogana dhe në bazë të asaj mostre është përpiluar procesverbali përkatës, ku na është urdhëruar që malli të vendoset në depo dhe të mos shfrytëzohet. Kështu edhe kemi vepruar”, deklaroi z. Piraj.
Sipas tij, mostra që doli pozitive me salmonellë i përket një importi të datës 21.06.2024, dhe pas rezultateve, kompania ka bashkëpunuar me AUV-në për kthimin e produktit sipas procedurave ligjore.
“Nuk është përgjegjësi e imja pse një mall arrin në doganë. Nuk kam si ta di paraprakisht nëse një produkt ka apo jo salmonelë.
Përveç analizave që i bën Agjencia, ne i kryejmë edhe vetë analizat në laboratorin tonë”, shtoi ai.
Sipas raportimeve, ky mish është importuar nga Rumania, përkatësisht nga kompania “SC Avicarvil Food & Distribution SRL”, e cila vite më parë ishte përfshirë në skandale në vendin e saj lidhur me mish të infektuar dhe madje edhe me evazion fiskal, thuhet në shkrimin e botuar nga enti mediatik “Insajderi”.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments