PORTRET I NJË DISIDENTI | NUK ISHTE AS SHENJT AS HERO: ISHTE TRIM.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Feb 17, 2024
- 8 min read
Nga znj. Flavia dell’Ertole.
Londër, Britani e Madhe | Z. Navalni (Navalny) nuk është as shenjt dhe as hero, por një person që ka zgjedhur të luftojë kundër korrupsionit, pa bërë lëshime për askënd. Duke paguar, shtrenjtë, pasojat.
Z. Aleksei Navalni (Alexei Navalny) vdiq më 16 shkurt 2024 në burg, në koloninë penale nr. 3 të Okrug Autonome Yamalo-nenets.
Sipas asaj që u raportua nga departamenti rajonal i shërbimit penitenciar federal, ai “u ndje i sëmurë pas një shëtitjeje”.
Në fillim të dhjetorit 2023, një nga kundërshtarët më të njohur të presidentit rus Vladimir Putin, i cili gjendej në burg që nga viti 2021, kthehet në qendër të debatit ndërkombëtar.
Për javë të tëra nuk kishte asnjë lajm prej tij, qeveria ruse iu përgjigj pyetjeve përmes zëdhënësit të saj Dmitri Peskov, i cili, shpjegoi se Rusia nuk ka aftësinë, të drejtën, apo dëshirën për të mbajtur gjurmët e fatit të të burgosurve, që vuajnë dënimin e dhënë nga një gjykatë.
Më 25 dhjetor, u zbulua transferimi i tij në një burg tjetër, në Charp në Yamalo-Nenetsia, një rajon i largët i Rusisë veriore, përtej Rrethit Arktik, që është shtëpia e disa kolonive penale.
Disa ditë para transferimit, ekipi i disidentit kishte shpallur një fushatë kundër rizgjedhjes së Putinit, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Historia e z. Aleksei Anatolieviç Vanalni (Alexei Anatolievich Navalny) e ka origjinën shumë përpara vitit 2023.
I lindur në vitin 1976, ai ishte 24 vjeç kur filloi të interesohej për politikën, dhe iu bashkua partisë opozitare Yabloko, por, tashmë prej disa vitesh është i njohur për rusët.
Pas diplomimit për drejtësi, z. Navalni (Navalny) fillon të merret me korrupsionin, dhe e bën këtë në një mënyrë inovative, e cila, duke mbetur gjithmonë brenda kufijve të ligjshmërisë, është pothuajse e pamundur të pengohet.
Në vitin 1998, z. Navalni (Navalny) - siç tha ai vetë për gazetën britanike Rojtari (Guardian), në vitin 2011 - investoi disa para në një kompani tregtare të pasurive të paluajtshme, duke hyrë në botën e aksioneve dhe duke zbuluar se bordet e drejtorëve nuk paguanin dividentë për aksionerët.
Duke lëvizur nëpër listën e më të pasurve, në Forbes, mund ta kuptoni lehtësisht se ku shkojnë paratë.
Në atë moment, avokati vendos të blejë aksione të vogla të kompanive të kontrolluara nga shteti, kryesisht me drejtorë të emëruar nga qeveria.
Duke u bërë aksioner, dhe duke pasur të drejtën të dijë për menaxhimin e kapitalit, z. Navalni (Navalny) fillon të bëjë pyetje të pakëndshme në lidhje me vendimet e dividentit, subjektet që përfitojnë nga një donacion, dhe mbi të gjitha, të publikojë gjithçka që zbulon në internet, në blogun e tij në Live Journal.
Veprimi i z. Navalni (Navalny) është krejtësisht i ligjshëm edhe sepse informacioni në fjalë duhet të jetë publik, siç e përcakton ligji rus, por kompanitë priren të mos e shpërndajnë atë.
Nga faqet e blogut të tij, ai më pas nis fushata dhe peticione për të mobilizuar qytetarët, dhe në disa raste, hetimet e tij çojnë në gjyqe penale.
Paralelisht me angazhimin e tij civil kundër korrupsionit, angazhimi i tij politik mungon, ose më saktë, z. Navalni (Navalny) e lë partinë i zhgënjyer me efektivitetin e saj, dhe vazhdon betejën e tij, madje duke akuzuar zyrtarët e qeverisë, se kanë futur në mënyrë të paligjshme para që i përkasin disa kompanive.
|Për më tepër, avokati po i afrohet gjithnjë e më shumë nacionalizmit, në vitet 2010 në Rusi po zhvillohej një debat i nxehtë rreth trashëgimisë gjeopolitike të Bashkimit Sovjetik: nëse duhet ruajtur struktura e tij multietnike dhe shumë-fetare (edhe pse thellësisht e komprometuar nga rënia e BRSS), ose fokusimi vetëm në popullsinë etnikisht ruse.
Po dalin dy fraksione, të cilat, i shohin aktorët kryesorë në z, Navalni (Navalny), të prirur qartë drejt pozicionit të dytë, dhe presidentit Vladimir Putin, i cili, simpatizon të parin.
Pasi erdhi në pushtet në vitin 1999, që nga inaugurimi i tij, presidenti ende rus ka zhvilluar disa luftëra, dhe pason një sezon terrorizmi, që çon në përhapjen e ndjenjave ksenofobike dhe islamofobike në vend.
Në vitin 2006, z. Navalni (Navalny) mori pjesë në Marshimin Rus, një tubim ultra i djathtë, dhe vitin e ardhshëm, ai themeloi lëvizjen patriotike Narod.
Në të njëjtin vit, u publikua një video që tregonte avokatin duke krahasuar banorët myslimanë të Kaukazit të Veriut me buburrecat, duke pretenduar se nëse buburrecat mund të vriten me lopatë, njerëzit duhet të përdorin armë.
Në një video tjetër ai shfaqet i veshur si stomatolog dhe pohon: “Gjithçka që na shqetëson duhet të eliminohet me kujdes, por në mënyrë jo fleksibile përmes deportimit. Një dhëmb pa rrënjë konsiderohet i vdekur. Nacionalist është dikush që nuk dëshiron që rrënja ‘ruse’ të fshihet nga fjala Rusi. Ne kemi të drejtë të jemi rusë në Rusi, dhe ne do ta mbrojmë këtë të drejtë.”
Vite më vonë, z. Navalni (Navalny) siguroi se nuk do të shprehej më në atë mënyrë, por pa u distancuar nga përmbajtja.
Këto video dhe deklarata pro-nacionaliste, njihen ndërkombëtarisht si nxitje urrejtjeje, dhe ndezin një debat të nxehtë rreth figurës së tij, kështu që Amnesty International ia tërhoqi përcaktimin e të burgosurit të ndërgjegjes në muajin shkurt të vitit 2021 (dhe më pas, ia rivendosi atë në muajin maj të të njëjtit vit).
Për më tepër, në vitin 2008, avokati mbështeti ndërhyrjen ruse në Osetinë e Jugut dhe në Abkhazi, dhe ishte në favor të kërkesës për dëbimin e të gjithë qytetarëve gjeorgjianë nga Federata Ruse, ndërsa në vitin 2011 ai mori pjesë në fushatën Stop Feeding The Caucasus, duke argumentuar se Rusia mbështeti regjimet e përgjakshme në Kaukaz, në dëm të interesave si të rusëve, ashtu edhe të banorëve të atyre rajoneve.
Me kalimin e viteve, popullariteti i z. Aleksei Navalni (Alexei Navalny) dhe kanali i tij në YouTube vetëm janë rritur, dhe në vitin 2009 gazeta financiare ruse Vedomosti e quajti atë personin e vitit, duke pretenduar se ngjarjet e avokatit demonstrojnë që edhe një qytetar i thjeshtë mund të mbrojë të drejtat e tij.
Ndërsa investitorët e mëdhenj mendojnë vetëm për interesat e tyre, ky njeri i zakonshëm - pa ndonjë status, apo fuqi të veçantë - po përpiqet të luftojë sistemin.
Ndërkohë, situata politike ruse ndryshon: pas 10 viteve të para të Putinit si President, rritja ngadalësohet dhe kushtet e jetesës së qytetarëve përkeqësohen, kështu që një brez i ri rusësh po bën rrugën e tij, duke kërkuar mirëqenie, dhe mbi të gjitha, demokraci.
Skandalet e korrupsionit që përfshijnë njerëz të afërt me presidentin vazhdojnë, zgjedhjet politike dhe lokale po perceptohen gjithnjë e më shumë si një farsë, dhe kështu midis 2011 dhe 2013 opozita bëhet më e fortë.
Është e rëndësishme të kujtojmë se në ato vite që udhëhiqte protestat në Rusi, përkrah z. Navalni (Navalny), ishte lideri i Partisë së Lirisë së Popullit, Boris Nemtsov, i vrarë në vitin 2015, disa hapa larg Kremlinit, vetëm dy ditë para marshimit kundër z. Vladimir Putin.
Në vitin 2012 për herë të parë lideri i opozitës u dënua nga gjykata me tre vjet e gjysmë burg me kusht, dhe me detyrim paraqitje në komisariat dy herë në muaj.
Kompania shumëkombëshe ruse Yves Rocher e akuzoi z. Navalni (Navalny) dhe vëllain e tij për përvetësim të 30 milionë rublave.
Këto janë fondet e kompanisë që dyshohet se i kanë marrë me tarifa të aplikuara nga kompania e transportit të familjes Navalni.
Një vit më pas, z. Navalni (Navalny) kandidoi për kryetar të Moskës, duke marrë 29.24% të votave, ndërsa kryetari në largim, Sergei Sobyanin, rikonfirmoi veten me 51%.
Në vitin 2014, politika e jashtme rikthehet në qendër të debatit rus, me shpërthimin e konfliktit në Donbas dhe ndërhyrjen në Siri.
Z. Navalni (Navalny) nuk mban qëndrime të qarta për këto çështje, ndërsa vazhdon të sulmojë Putinin për korrupsionin, pa bërë kurrë një deklaratë në lidhje me politikën ndërkombëtare.
Në një intervistë në atë kohë, z. Aleksei Venediktov (Aleksey Venediktov) e pyeti se nëse bëhesh president, a do t'ia ktheje Krimenë Ukrainës?
Z. Navalni (Navalny) tha se “Krimea nuk është një sanduiç me proshutë, që ti e merr, dhe e kthen kështu.”
Në vitin 2017, politikani ishte viktimë e një sulmi të kryer nga sulmues të panjohur, jashtë zyrës së tij të Fondacionit Anti-Korrupsion, me zelyonka (një bojë ndoshta e përzier me përbërës kaustikë), që e bëri atë të humbte 80% të shikimit në syrin e tij të djathtë.
Në të njëjtin vit, në muajin mars, ai u arrestua gjatë një demonstrate në Moskë, dhe u dënua me 15 ditë burg, përveç pagesës së një gjobe prej 20 mijë rublash (rreth 320 euro).
Në muajin qershor dhe në muajin shtator ai u arrestua përsëri, një vit më pas Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dënoi Rusinë me kompensim prej 50 mijë € për dëmet morale, 1025 € për dëmet materiale, dhe 12653 € për shpenzimet e bëra.
Sipas gjyqtarëve, arrestimet e z. Navalni (Navalny) kishin për qëllim të shtypnin pluralizmin politik.
Ndërkohë, z. Navalni (Navalny) gëzon një popullaritet të madh - dhe e ka parë ekipin e tij të pasuruar me gazetarë, aktivistë dhe avokatë - dhe në vitin 2018 ai kandidon për president kundër z. Vladimir Putin.
Fushata e tij zgjedhore bazohet në hetimet për korrupsionin e personaliteteve të shquara ruse, por pak muaj pas shpalljes së kandidaturës së tij, gjykata e Kirov-it rihap një çështje korrupsioni të pezulluar në të kaluarën, dhe anulon mundësinë e tij për të kandiduar në zgjedhje, kështu që z. Putin gjendet praktikisht i vetëm, dhe në votime merr pa vështirësi 77% të votave.
Një nga kapitujt më domethënës në historinë jo vetëm politike, por edhe personale të z. Navalni (Navalny) hapet në vitin 2020: ndërsa ishte në bordin e një avioni, për t'u kthyer në Moskë, nga Tomsk-u, avokati rrëzohet përtokë dhe kalon ditë agonie në spital.
Mes një mijë vështirësish, familja merr një transferim në Berlin, ku vërtetohet helmimi nga noviçoku (novichok), një substancë e përdorur nga shërbimet ruse.
Moska mohon çdo përfshirje, por z. Navalni (Navalny), duke regjistruar gjithçka në video, kontakton një zyrtar të shërbimit sekret rus, që paraqitet si oficer i lartë, dhe merr zbulime, për përfshirjen e 007-ave rusë në helmimin e tij.
Sapo u kthye në Rusi, ai u arrestua në aeroportin Sheremetjevo (Sheremetyevo) të Moskës, për shkelje të paraburgimit.
Pikërisht, në momentin që ai mbahet nga policia, publikohet një video-hetim i fokusuar tërësisht tek z. Vladimir Putin, dhe në një pallat veçanërisht luksoz, që duhet t'i përkasë presidentit rus: është hera e parë që z. Navalni (Navalny) sulmon z. Putin kokë më kokë, dhe jo më njerëzit e tij të besuar.
Në të njëjtin vit, Fondacioni Kundër Korrupsionit u mbyll nga qeveria, e cila, pretendonte se kishte marrë fonde nga jashtë (asnjëherë zyrtarisht të provuar).
Në muajin shkurt, z. Navalni (Navalny) u dënua me pothuajse tre vjet burg, shumë në Rusi u mobilizuan dhe dolën në rrugë për të demonstruar.
Në mujian mars të vitit 2021, pas më shumë se dy muajsh paraburgim, avokati shpalli grevë urie, duke denoncuar stafin mjekësor të spitalit, i cili, nuk pranoi ta vizitonte; në muajin prill, ai u largua nga burgu, për të marrë trajtimin e nevojshëm për tuberkulozin e dyshuar, u kthye në muajin qershor, dhe në muajin tetor komisioni rus i burgut e përcaktoi atë si “terrorist”.
Në të njëjtin muaj ai u nderua me çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian.
Një gjyq i ri penal kundër z. Navalni (Navalny) filloi në muajin shkurt të vitit 2022, me akuzat për përvetësim të donacioneve të bëra për fondacionin e tij.
Ai është në burg, kur Rusia sulmon Ukrainën, në vitin 2022, dhe zëdhënësja e tij, në rrjetin shoqëror virtual Iks (X), shkroi se z. Navalni (Navalny) i fton rusët të dalin dhe të protestojnë kundër luftës, duke marrë një pozicion të qartë, kundër nismës së luftës.
Në maj të vitit 2022 ai u dënua me 9 vite të tjera burg për mashtrim, dhe përvetësim, në muajin qershor u transferua në një burg të sigurisë maksimale, dhe iu nënshtrua një regjimi burgu edhe më të ashpër se ai që i ishte vendosur deri në atë moment.
Një vit më pas ai u dënua me 19 vjet burg për themelimin dhe financimin e aktiviteteve dhe organizatave të përcaktuara si “ekstremiste” nga autoritetet ruse.
Z. Navalni (Navalny) edhe pse i vdekur aktualisht akuzohet në 14 gjyqe penale, dhe mund të dënohet deri në 35 vjet burg, të cilat, do t'i shtohen 30 vjetëve që ai vuan.
Ajo që del nga historia e z. Navalni (Navalny) është fakti se ai nuk është as shenjt dhe as hero, por një person që ka vendosur ta bëjë arsyen e tij të jetesës luftën kundër korrupsionit në një vend si Rusia.
Të vetëdijshëm për rreziqet që do të sillte kjo. Jo një shenjtor, jo një hero, pra, por një trim.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)



















































Comments