top of page
E BARDHË SHIRIT.png

POLICIA E SHTETIT E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PARAQITI PLANIN E MASAVE PËR MBARËVAJTJEN E ZGJEDHJEVE TË PJESËSHME VENDORE NË DISA BASHKI.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 3 hours ago
  • 2 min read
ree

Tiranë, Shqipëri | Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ruajtjen e objekteve zgjedhore (KZAZ, QV e VNV), si dhe parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për Policinë e Shtetit”, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit hartoi një plan të detajuar masash për zbatim nga strukturat vendore ku do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme.


Në 5 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe ditën e shtunë do të marrë në ruajtje 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi.


Lista me 612 punonjës policie dhe automjete policie, që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve, është dërguar në KQZ dhe është miratuar.


Shërbimet e Policisë që janë të planëzuara për ruajtjen e objekteve që do të shërbejnë si qendra votimi, do të instruktohen ditën e shtunë paradite dhe më pas do të shpërndahen në qendrat ku janë të planëzuara me shërbim.


Ditën e diel, që është dita finale, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.


Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të ketë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.


Më datë 09.11.2025, në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.


Janë marrë të gjitha masat që në çdo komisariat dhe drejtori, në territorin e të cilave do të ketë zgjedhje, të ketë grupe të gatshme për të vepruar në terren, në rast nevoje.


Të gjithë këta punonjës janë të trajnuar dhe të miratuar nga KQZ-ja, dhe do të jenë të pajisur me mjetet e identifikimit dhe me jelekë të Policisë. Strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, të ngritura për hetimin e krimeve zgjedhore, janë në terren, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të tjetërsuar votën nëpërmjet shitblerjes apo formave të tjera.


Gjithashtu, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i koordinimit dhe drejtimit për procesin zgjedhor.


Policia e Shtetit është e angazhuar për të siguruar deri në fund mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në mënyrë që qytetarët e bashkive ku do të zhvillohen zgjedhje, ta ushtrojnë qetësisht dhe të sigurtë të drejtën kushtetuese për të votuar.


Apelojmë për qytetarët që të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar apo që synon të tjetërsojë votën e tyre.


Gjithashtu, apelojmë për të gjitha subjektet politike që të zbatojnë me korrektësi detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, për çdo rast të cenimit të ligjit, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page