PO SIKUR E ARDHMJA E PRODHIMIT TË ISHTE NË HAPËSIRË?
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 15
- 5 min read

Kaliforni, Amerikë | Disa kompani synojnë të shfrytëzojnë mungesën e gravitetit në orbitë për të zhvilluar procese prodhimi që do të ishin të pamundura të replikoheshin në Tokë, me perspektiva inkurajuese.
Hapësira është kufiri i ri i prodhimit: Znj. Xhesika Frik (Jessica Frick) dëshiron të ndërtojë furra industriale në hapësirë.
Kompania e tij, Astral Materials me seli në Kaliforni, po projekton makineri që mund të zhvillojnë lëndë të para të vlefshme në orbitë, për përdorim në farmaceutikë, prodhim gjysmëpërçuesish dhe më shumë.
“Po ndërtojmë një kuti për të fituar para në hapësirë”, tha ajo.
Shkencëtarët kanë hipotezuar prej kohësh se mikrograviteti në orbitën e Tokës mund të mundësojë prodhimin e produkteve me cilësi më të lartë sesa ato të prodhuara në Tokë.
Që në vitin 1973, astronautët kryen eksperimente mbi kristalet - një komponent kyç në qarqet elektronike - në stacionin hapësinor Skylab të NASA-s.
Por përparimi në këtë linjë kërkimi ka qenë mjaft i ngadaltë dhe për dekada të tëra, prodhimi hapësinor ka pasur një karakter më eksperimental sesa komercial.
Por gjërat po ndryshojnë. Disa kompani të reja, përfshirë Astral, po përfitojnë nga rënia e kostove të lëshimit në hapësirë dhe mënyrat e reja të rihyrjes në Tokë për të investuar në prodhimin industrial në orbitë.
Industria po bëhet shumë më aktive, siç thekson z. Maik Kërtis-Rus (Mike Curtis-Rouse), kreu i mbështetjes, montimit dhe prodhimit në orbitë në Satellite Applications Catapult, një organizatë britanike kërkimore.
Z. Kërtis-Rus (Curtis-Rouse) parashikon që deri në vitin 2035 ekonomia globale hapësinore do të bëhet një industri prej trilion dollarësh, dhe vetëm prodhimi në orbitë mund të vlejë rreth njëqind miliardë dollarë.
Përparësitë e prodhimit në hapësirë: Në përgjithësi, prodhimi në orbitë i referohet çdo gjëje që prodhohet në hapësirë dhe mund të përdoret në Tokë ose në hapësirë.
Mungesa e gravitetit, e cila, pothuajse eliminon plotësisht peshën e objekteve, lejon përdorimin e proceseve shumë të veçanta të prodhimit, të cilat, do të ishin të pamundura të përsëriteshin në planetin tonë.
Një nga këto procese përfshin rritjen e kristaleve dhe në veçanti të të ashtuquajturve kristale farë, thelbësorë për prodhimin e gjysmëpërçuesve.
Teknikat e përdorura në Tokë fillojnë nga një kristal i vogël me pastërti të lartë, i cili, zhytet në silikon të shkrirë për të krijuar një kristal silikoni më të madh dhe me cilësi të lartë, i cili, nga ana tjetër mund të pritet në shtresa shumë të holla (të quajtura napolitane) dhe më pas të përdoret në elektronikë.
Por prania e gravitetit mund të ndryshojë procesin e rritjes duke futur papastërti.
“Aktualisht, silici paraqet një problem të pakapërcyeshëm”, shpjegon z. Xhoshua Uestërn (Joshua Western), drejtor ekzekutiv i kompanisë britanike Space Forge.
Sipas tij, rritja e këtyre kristaleve në hapësirë mund të mundësojë prodhimin e pllakave të silikonit shumë më të pastra: “Do të ishte pothuajse si të rivendosnim idenë tonë për kufirin e gjysmëpërçuesve”, thotë ai.
Kompania Astral, planifikon ta bëjë këtë duke përdorur një furrë me madhësinë e një mini-frigoriferi, e aftë të arrijë temperatura rreth 1500 gradë Celsius.
Por zbatimet e këtyre teknikave të rritjes së kristaleve nuk kufizohen vetëm në prodhimin e gjysmëpërçuesve: ato gjithashtu mund të çojnë në zhvillimin e barnave me cilësi më të lartë dhe zbulime të reja në shkencën e materialeve.
Përfitime të ngjashme mund të vijnë nga prodhimi i llojeve të tjera të materialeve në hapësirë.
Në janar, për shembull, Kina njoftoi se kishte krijuar një aliazh metalik të ri të teknologjisë së fundit në stacionin e saj hapësinor Tiangong, i cili, është shumë më i lehtë dhe më i fortë se çdo aliazh i prodhuar në Tokë.
Por kushtet mjedisore në hapësirë, ku forca e gravitetit është më e vogël, mund të hapin mundësi të reja për kërkime mjekësore.
“Pa pengesën e gravitetit, mund të jeni në gjendje të prodhoni struktura komplekse si organe artificiale”, tha z. Maik Goulld (Mike Gold), president i hapësirës civile dhe ndërkombëtare në Redwire, një kompani me seli në Florida që ka eksperimentuar me prodhimin në hapësirë për vite me radhë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
“Nëse do të përpiqeshit ta bënit këtë në Tokë, organet do të shtypeshin”, tha ai.
Sfidat dhe perspektivat: Nga perspektiva e prodhimit në shkallë të gjerë, një sfidë e madhe për prodhimin hapësinor lidhet me transportimin e pajisjeve në hapësirë dhe të produkteve përsëri në Tokë.
Ndërsa përdorimi i anijeve kozmike si Falcon 9 i SpaceX ka ulur ndjeshëm koston e aksesit në hapësirë, kompani si Space Forge dhe Varda Space Industries me seli në Kaliforni po zhvillojnë kapsula pa pilot që mund të transportojnë pajisje - përfshirë furrën e Astralit - në hapësirë dhe të sjellin materiale përsëri në Tokë.
Varda ka nisur tashmë tre misione hapësinore për të testuar këtë metodë.
Kapsulat e saj zbarkuan në shkretëtirën e Utahut dhe në zonat e thella australiane.
Në misionin e saj të parë vitin e kaluar, kompania arriti të rriste kristale të një ilaçi antiviral, ritonavir.
Drejtori i të Ardhurave të Varda-s, Erik Laskër (Eric Lasker), thekson se produkte të tilla mund të kenë potencial të konsiderueshëm si nga perspektiva e tregut ashtu edhe nga ajo e përfitimeve shëndetësore.
“Ato mund ta përmirësojnë vërtet jetën e njerëzve këtu në Tokë”, komenton ai.
“Nëse sistemet e prodhimit industrial në orbitë përmirësohen në vitet e ardhshme, sektori mund të rritet me shpejtësi.
Mendoj se këto lloj industrish do të duken si fabrika hapësinore”, tha ai.
“Do të shohim stacione ose automjete të parafabrikuara. Nuk është një skenar i vështirë për t'u imagjinuar.
Në të ardhmen e afërt, perspektiva është të përdoren burimet që tashmë janë të pranishme në hapësirë për prodhim në orbitë, në vend që t'i dërgohen ato nga Toka”, tha ai.
Disa kompani i kanë vënë syrin nxjerrjes së asteroideve për lëndë të para: AstroForge me seli në Kaliforni planifikon të ulet në një asteroid potencialisht të pasur me metale vitin e ardhshëm për të provuar të nxjerrë materiale të dobishme prej tij.
Dhe trupat qiellorë mund të fshehin metale të vlefshme të grupit të platinit, si dhe ujë dhe burime të tjera.
Por e gjithë kjo ka të bëjë me të ardhmen.
“Prodhimi hapësinor ende duket si një risi”, tha z. Kërtis Rus (Curtis-Rouse), por brenda një dekade a më shumë, do të konsiderohet si një gjë e zakonshme.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)
















































Comments