“PARTIZANËT E ZOTIT” (HUTHITË) PRETENDOJNË SULM ME RAKETA BALISTIKE NDAJ IZRAELIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Feb 2, 2024
- 2 min read
Jeruzalem, Izrael | Rebelët jemenas Huthi - të mbështetur nga Irani - thanë sot se kryen një sulm me raketa balistike në Eilat, në jug të Izraelit.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi ushtarak i Huthive, Jahja (Yahya) Saree, në një deklaratë të rilansuar nga stacioni televiziv me bazë në Bejrut “Al Masirah”, i afërt me grupin shiit.
“Forca raketore e Forcave të Armatosura të Jemenit kryen një operacion ushtarak kundër objektivave specifike të armikut izraelit, në zonën e Umm al Rashrash (Eilat), në jug të Palestinës së pushtuar, me një sërë raketash balistike”, tha z. Saree.
Më herët, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) raportuan se sistemi i mbrojtjes ajrore “Arrow” kapi me sukses një raketë tokë-tokë që i afrohej territorit izraelit në zonën e Detit të Kuq.
Huthitë janë një grup i armatosur që i përket një varianti të islamit shiit, Zajdizmit, i përhapur në Jemen, dhe emri i tyre rrjedh nga themeluesi, Hussein al Huthi.
I njohur zyrtarisht si Ansar Allah (Partizanët e Zotit), lëvizja u formua në vitet 1990, për të luftuar atë që ata e panë si korrupsion, nga presidenti i atëhershëm, Ali Abdullah Saleh.
Ish-presidenti Saleh, i mbështetur nga ushtria e Arabisë Saudite - atdheu i islamit sunit, i cili, pret dy nga vendet kryesore të shenjta fetare islamike, Mekën dhe Medinën - ishte përpjekur të eliminonte rebelët Huthi në vitin 2003, të cilët, u përfshinë në një luftë civile, duke filluar në vitin 2014 me qeverinë e Jemenit me qendër në Aden.
“Partizanët e Zotit” Huthitë janë pjesë e të ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës Islamike”, dhe marrin frymëzim nga Hezbollahu libanez, i cili, sipas analistëve, u siguron atyre ekspertizë ushtarake.
Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite ka akuzuar Iranin për furnizimin me raketa lundrimi dhe dronë të përdorur nga Huthitë, për të goditur vendet e naftës saudite, që nga viti 2019.
Kalaja e Huthive është në Sana'a, dhe ata kontrollojnë qytetin e Hodeida në Detin e Kuq, portë për dhe nga tranziti përmes Kanalit të Suezit.
Pas shpërthimit të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor 2023, Huthitë shprehën solidaritetin me lëvizjen palestineze, duke sulmuar anijet që kalojnë tranzit në Detin e Kuq, ku kalon një pjesë e rëndësishme e trafikut global.
Paqëndrueshmëria e krijuar nga Huthitë, ka bërë që gjigantët kryesorë të kompanive të transportit detar, të braktisin rrugën e kryer normalisht, dhe të preferojnë tranzitin nga Kepi i Shpresës së Mirë, me një rritje konsekuente në kohë dhe kosto financiare, të cilat reflektohen në rritjen e çmimeve në mbarë botën.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)

























Comments