OKB: SHËNDETËSIA E GAZËS ËSHTË NË PRAG TË KOLAPSIT TOTAL.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Dec 31, 2024
- 2 min read

Gjenevë, Konfedeara e Zvicrës | Kujdesi shëndetësor në territorin palestinez është në prag të kolapsit për shkak të sulmeve izraelite ndaj spitaleve në Rripin e Gazës, thonë Kombet e Bashkuara në një raport të botuar sot (31.12.2024).
“Modeli i sulmeve vdekjeprurëse të Izraelit në dhe pranë spitaleve në Gaza, dhe luftimet e lidhura me to, e kanë shtyrë sistemin shëndetësor në prag të kolapsit total, me efekte katastrofike në aksesin e palestinezëve në kujdesin shëndetësor dhe mjekësor”, tha zyra e të drejtave e Kombeve të Bashkuara në një deklaratë që shoqëron raportin.
Deklarata i konsideron gjithashtu si të paqarta pretendimet e Izraelit që justifikojnë këto sulme me faktin se grupet e armatosura palestineze përdorin këto ndërtesa.
“Deri më tani, publiku nuk ka informacion të mjaftueshëm për të vërtetuar këto pretendime, të cilat, mbeten të paqarta dhe të përgjithshme dhe që në disa raste duket se kundërshtohen nga informacioni publik”, thuhet në raport.
“Spitalet e Gazës janë kthyer në kurthe vdekjeje”, nënvizoi Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.
“Sikur të mos mjaftonin bombardimet e pandërprera dhe situata e tmerrshme humanitare në Gaza, i vetmi vend i shenjtë ku palestinezët duhet të ishin ndjerë të sigurtë është kthyer në një kurth vdekjeje”, tha ai.
“Mbrojtja e spitaleve në kohë lufte është parësore dhe duhet të respektohet nga të gjitha palët, në çdo kohë”, shtoi ai.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) të hënën theksoi se sistemi shëndetësor në Gazën veriore është fshirë nga konflikti dhe se spitalet e tij janë plotësisht të papërdorshëm.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)
























Comments