OBSH-ja MIRATOI MARRËVESHJEN HISTORIKE PËR PANDEMITË | IRANI + IZRAELI + RUSIA + ITALIA + SLLOVAKIA + POLONIA + DISA VENDE TË TJERA ABSTENUAN (NË TOTAL 11 VENDE ABSTENUAN; 124 VENDE VOTUAN PRO).
- Agjencia Telegrafike Vox
- 4 days ago
- 2 min read

Gjenevë, Konfederata e Zvicrës | Shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) miratuan zyrtarisht sot në Gjenevë Marrëveshjen e parë në botë për Pandeminë.
“Vendimi historik i Asamblesë së 78-të Botërore të Shëndetësisë është kulmi i më shumë se tre viteve negociatash intensive të ndërmarra nga qeveritë në përgjigje të ndikimeve shkatërruese të pandemisë COVID-19, dhe të udhëhequra nga qëllimi për ta bërë botën më të sigurt dhe më të drejtë në reagimin ndaj pandemive të ardhshme”, thuhet në një deklaratë të OBhH-së.
“Marrëveshja përcakton parimet, qasjet dhe mjetet për koordinim të përmirësuar ndërkombëtar në një gamë të gjerë sektorësh, me qëllim forcimin e arkitekturës globale të shëndetit për parandalimin, përgatitjen dhe reagimin ndaj pandemive.
Kjo përfshin akses të barabartë dhe në kohë ndaj vaksinave, terapive dhe diagnostikimit”, thotë OBSh-ja.
“Bota është më e sigurt sot falë lidershipit, bashkëpunimit dhe angazhimit të Shteteve tona Anëtare në miratimin e Marrëveshjes historike të Pandemisë së OBSh-së”, tha z. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, i cituar në deklaratë.
“Marrëveshja është një fitore për shëndetin publik, shkencën dhe veprimin shumëpalësh.
Do të sigurojë që, së bashku, ne mund ta mbrojmë më mirë botën nga kërcënimet e ardhshme pandemike.
Është gjithashtu një njohje nga bashkësia ndërkombëtare se qytetarët tanë, shoqëritë tona dhe ekonomitë tona nuk duhet të lihen pa mbrojtje përndryshe do të pësojmë përsëri humbje si ato të pësuara gjatë Covid-19”, tha ai.
Marrëveshja u miratua sot gjatë një seance plenare të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë - organit kryesor vendimmarrës të OBSH-së.
“Miratimi i sotëm - kujton njoftimi për shtyp - vjen pas miratimit që u zhvillua dje në Komision me votën e delegacioneve të Shteteve Anëtare (124 pro, 11 abstenime)”.
“Italia është ndër 11 shtetet anëtare të OBSH-së që abstenuan nga votimi mbrëmë në Gjenevë për të miratuar Marrëveshjen e parë për Pandeminë në Komision”, raporton agjencia e lajmeve “AFP”.
Përpara se të miratohej këtë mëngjes në seancë plenare, marrëveshja historike mbi parandalimin dhe kontrollin e pandemive u miratua dje në komision në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë me 124 vota pro, asnjë kundër dhe 11 abstenime nga delegacionet e shteteve anëtare.
“Vendet që abstenuan përfshinin Iranin, Izraelin, Rusinë, Italinë, Sllovakinë dhe Poloninë”, shkroi agjencia e lajmeve “AFP”.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments