NIGERI | NJË PRIFT DHE 11 BESIMTARË TË KRISHTERË U RRËMBYEN NË NJË SULM TERRORIST NË NJË KISHË NË NIGERI.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 5 days ago
- 2 min read

Lagos, Nigeri | Të paktën dymbëdhjetë veta, përfshirë një pastor, u rrëmbyen sot gjatë shërbesave në një kishë rurale në Nigerinë qendrore, akti terrorist i fundit në një seri rrëmbimesh masive në javët e fundit.
Nigeria është e përfshirë rregullisht nga rrëmbime masive, një praktikë që u përhap gjerësisht pas rrëmbimit në vitin 2014 të gati 300 nxënëseve të shkollës në Çibok (Chibok), në shtetin lindor Borno, nga enti terrorist Boko Haram.
Megjithatë, javët e fundit kanë parë një rritje të këtyre incidenteve, duke bërë që presidenti i Nigerisë të shpallë një gjendje të jashtëzakonshme të sigurisë kombëtare - të mërkurën.
“Kisha në fshatin Ejiba, e vendosur në zonën zgjedhore Jagba Uest (Yagba West) të shtetit Kogi, u sulmua nga banditë sot”, tha z. Kingslei Femi Fanuo (Kingsley Femi Fanwo), komisioneri i informacionit i shtetit.
“Dymbëdhjetë persona janë të zhdukur dhe policia, e cila, mbërriti me helikopter, po vazhdon kërkimin”, shpjegoi z. Fanuo (Fanwo).
Gjatë dy javëve të fundit, disa qindra veta janë rrëmbyer në të gjithë vendin, përfshirë mbi 300 nxënës nga një shkollë katolike në shtetin Niger (Nigeria qendrore) dhe 38 anëtarë të kishës në shtetin Kuara (Kwara) në Nigerinë perëndimore, të cilët, që atëherë janë liruar.
Vala e rrëmbimeve vjen menjëherë pas denoncimeve të Presidentit Danlld Tramp (Donald Trump) se të krishterët në Nigeri po masakrohen nga terroristët islamikë.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)











































Comments