MANÇESTËR | SULME ME THIKË JASHTË NJË SINAGOGE ORTODOKSE NË ANGLINË VERIORE; 4 TË VDEKUR.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Oct 2
- 2 min read

Mançester, Mbretëria e Bashkuar | Pati disa sulme me thikë jashtë një sinagoge ortodokse në Mançester, në Anglinë veriore, këtë mëngjes, në Jom Kipur (Yom Kippur).
Numri i të vdekurve nga sulmi është katër, raporton kryebashkiaku Endi Bërnhem (Andy Burnham), i cituar nga enti mediatik “BBC”, i cili, specifikon gjithashtu se personi që ka therur me thikë u godit nga zjarri i policisë.
Sulmet me thikë ndodhën jashtë sinagogës në Midllton Roud (Middleton Road), në zonën Krampsall (Crumpsall).
Është një tempull i frekuentuar nga besimtarët ortodoksë Ashkenazi, i përfunduar në vitin 1967.
Mediat britanike theksojnë se sulmi - natyra dhe motivi i mundshëm terrorist i të cilit mbeten të paqarta - ndodhi në Jom Kipur (Yom Kippur), një festë e shenjtë për hebrenjtë.
Kryeministri britanik Keër Starmër (Keir Starmer) ka njoftuar kthimin e tij të parakohshëm nga samiti pan-evropian në Kopenhagen për të ndjekur nga afër hetimin për sulmin e sotëm.
Sipas Dauning Stritit (Downing Street), Kryeministri Starmër (Starmer) ka thirrur një takim ad hoc të Komitetit të Emergjencave Kobra (Cobra) në Londër këtë pasdite - me praninë e ministrave përkatës dhe hetuesve të lartë dhe agjencive të inteligjencës - të cilin ai synon ta kryesojë personalisht.
Ndërkohë, një skuadër bombash u pa duke mbërritur në sinagogën e Mançesterit me një automjet për të neutralizuar pajisje të mundshme shpërthyese.
Aktualisht është e paqartë nëse kjo ishte thjesht një masë paraprake apo nëse pako të dyshimta u gjetën në trupin e sulmuesit apo në automjetin që ai përdori për të sulmuar kongregacionin.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)






































Comments