LYPET NJË MILION $ DEPOZITË PËR TË REZERVUAR NJË DHOMË NË HOTELIN E PARË NË HËNË | NJË STARTUP KALIFORNIAN HAMENDËSON SE HOTELI DO TË HAPET NË VITIN 2032.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 1 hour ago
- 2 min read

Uashington, Amerikë | Depozita e kërkuar për të rezervuar një dhomë në hotelin e parë në Hënë është deri në një milion $.
Ideja vjen nga një startup i ri kalifornian, i cili, duke përdorur slogane tërheqëse si: “Siguro vendin tënd në histori”, synon të bindë turistët e pasur hapësinorë të paguajnë një depozitë të madhe për një qëndrim hipotetik hënor (me çmimin përfundimtar që ende nuk është përcaktuar) në një strukturë që aktualisht ekziston vetëm në letër dhe që sipas promovuesve të iniciativës, mund të hapë dyert e saj në vitin 2032.
Startup-i Galactic Resource Utilization Space (GRU), i themeluar nga 21-vjeçari i diplomuar në inxhinieri në Berkeley, Skaillër Çan (Skyler Chan), sapo ka lançuar faqen e tij të internetit për rezervime, duke zbuluar detaje të arkitekturës së hotelit hënor.
Në një deklaratë, kompania thotë se do të përdorë një sistem modulesh banimi dhe një proces të automatizuar për të transformuar tokën hënore në struktura të qëndrueshme për të përmbushur afatin ambicioz. Ndërtimi është planifikuar për vitin 2029, në pritje të miratimit rregullator.
Inxhinieri Çan (Chan) e zhvilloi projektin si pjesë të përshpejtuesit të startup-eve Y-Combinator.
Ai thotë se tashmë ka mbledhur fonde nga investitorët në SpaceX dhe Anduril, një kompani që zhvillon sisteme autonome mbrojtëse.
“Turistëve të hapësirës potencialë të përzgjedhur do t'u kërkohet të paguajnë një depozitë prej 250 mijë $ ose 1 milion $ varësisht nga opsioni i zgjedhur”, thuhet në faqen e internetit.
Ju mund të kërkoni një rimbursim të plotë të depozitës suaj në çdo kohë pas 30 ditëve të para.
Depozita do të aplikohet në çmimin përfundimtar të rezervimit tuaj sapo hoteli të jetë gati për të akomoduar mysafirët.
Çmimi përfundimtar, i cili, nuk është përcaktuar ende, ka të ngjarë të kalojë 10 milion $.
Pritet gjithashtu një tarifë regjistrimi e pakthyeshme prej 1000 $.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments