top of page
E BARDHË SHIRIT.png

KLINTONËT NË TELASHE | KUNDËRSHTARËT POLITIKË DUAN HAPJEN E HETIMEVE NDAJ TYRE.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • May 21, 2023
  • 3 min read

Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës | Republikanët në Kongres po bëjnë presion për të rihapur një seri hetimesh që Byroja Federale e Hetimit (FBI) nisi kundër znj. Hillëri Klinton (Hillary Clinton) dhe bashkëshortit të saj, ish-presidentit Bill Klinton (Bill Clinton), disa muaj përpara zgjedhjeve të 2016-ës, të fituara nga z. Donald Tramp. Hetimet u përshkruan në detaje në raportin e botuar së fundmi nga z. Xhon Durham (John Durham), këshilltari special i emëruar nga administrata Tramp, për të nisur një kundër-hetim mbi hetimin e FBI-së për “Russiagate”, skandalin në lidhje me ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016. Në dokumentin prej 306 faqesh, z. Durham akuzon agjencinë për “dështime serioze në aspektin e ashpërsisë analitike”, gjatë hetimit, duke nënvizuar një mospërputhje të konsiderueshme në qasjen ndaj z. Tramp nga njëra anë, dhe zotit dhe zonjës Klinton nga ana tjetër. Në veçanti, një rindërtim i publikuar sot nga gazeta britanike “Daily Mail”, i referohet deklaratave të bëra agjencisë nga një “burim konfidencial”, në vitin 2014, sipas të cilit dy qeveri të huaja do të kishin tentuar të dërgonin “donacione të paligjshme” për fushatën zgjedhore të znj. Klinton, për të forcuar ndikimin e saj politik në Shtetet e Bashkuara. Raporti i referohet gjithashtu një pagese prej 2700 dollarësh, e cila do të çonte në një “dhurim të konsiderueshëm” në një datë të mëvonshme. Z. Durham shkroi se FBI “nuk bëri asnjë përpjekje për të hetuar këto donacione të supozuara të paligjshme të fushatës” të znj. Klinton “nga një qeveri e huaj”. Dokumenti gjithashtu i referohet hetimeve të nisura nga tre zyra të ndryshme të agjencisë (në Uashington, Little Rock, Arkansas dhe Nju Jork) në fillim të vitit 2016, në lidhje me “aktivitetet e supozuara kriminale”, në lidhje me Fondacionin Klinton, organizatën jofitimprurëse të themeluar nga Bill Klinton. Hetime që pavarësisht progresit, do të mbylleshin “shpejt”, me kërkesë të drejtuesve të lartë të agjencisë. Në raport, z. Durham i referohet një takimi të 22 shkurtit 2016, të thirrur nga z. Endrju MekKeib (Andrew McCabe), i cili shërbente si zëvendësdrejtor i agjencisë në atë kohë. Gjatë takimit, z. MekKeib (McCabe) dyshohet se kërkoi që hetimi të hiqej, vetëm për t'u tërhequr për shkak të kundërshtimeve të ngritura nga pjesëmarrësit e tjerë, dhe përfaqësuesit e zyrave locale, që po kryenin hetimin. Sipas dëshmive të mbledhura nga këshilltari i posaçëm, z. MekKeib (McCabe) u shfaq i “inatosur dhe i zemëruar”, gjatë takimit, duke deklaruar disa herë se nuk i kuptonte arsyet e hetimit. Takimi thuhet se përfundoi me urdhra për të kërkuar miratimin nga zëvendësdrejtori për çdo kërkesë të re lidhur me hetimin. Në maj, sipas z. Durham, drejtuesit e agjencisë kontaktuan zyrën e Nju Jorkut, duke kërkuar mbylljen e hetimit ndaj Fondacionit Klinton në dritën e “shqetësimeve të paidentifikuara në lidhje me kundërzbulimin”. Dy muaj më vonë, në gusht, agjencia urdhëroi mbylljen e hetimeve të zyrave të Uashingtonit dhe Litëll Rokut (Little Rock), duke kërkuar që hetimet të bashkoheshin me ato të kryera nga zyra e Nju Jorkut, së cilës iu dha autoriteti për të kërkuar fletëthirrje në lidhje me rastin. Megjithatë, zyrat e avokatëve në rrethet jugore dhe lindore të Nju Jorkut nuk iu përgjigjën kurrë kërkesave, sipas raportit. Sipas gazetës britanike “Daily Mail”, një nga hetimet është nisur në dritën e disa deklaratave që përmban libri “Clinton Cash”, botuar në vitin 2015, nga gazetari Petër Shuizër (Peter Schweizer). Teksti thekson se Fondacioni Klinton do të pranonte miliona donacione nga qeveritë e huaja, në një përpjekje për të ndikuar në politikën e jashtme të SHBA, gjatë mandatit të znj. Klinton si sekretare e shtetit. Tani, republikanët po bëjnë presion për të rihapur hetimin. Kongresmeni Met Gec (Matt Gaetz), nga Florida, i tha gazetës britanike se “Klintonët kishin një ekip të vërtetë në shërbim të tyre brenda Byrosë Federale të Hetimit, i cili ishte përgjegjës për të ndërhyrë në hetim dhe për të shmangur veprimet ligjore kundër tyre”. Në raportin e tij, z. Durham shkroi se zyrat e FBI-së në Nju Jork dhe Litëll Rok (Little Rock) dëgjuan nga “burime që raportuan donacione për fondacionin nga qeveritë e huaja për të marrë trajtim të favorshëm nga znj. Klinton”. Raporti nuk përmend asnjë emër dhe as nuk identifikon shtresat e qeverive që do të kishin bërë donacione për fondacionin: megjithatë, z. Shuizër (Schweizer) tha për “Daily Mail”, se Emiratet e Bashkuara Arabe janë “një kandidat i mundshëm”.

 
 
 

Recent Posts

See All

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating

LAJM RRUFE | BREAKING NEWS

Donate with PayPal
bottom of page