JAPONI | KRYEMINISTRI SHIGERU ISHIBA KA VENDOSUR TË JAPË DORËHEQJEN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 22 hours ago
- 1 min read

Tokio, Japoni | “Kryeministri japonez Shigeru Ishiba ka vendosur të japë dorëheqjen”, raportuan mediat vendore, ndërsa anëtarët e partisë së tij në pushtet kërkojnë një garë të re për udhëheqje pas zgjedhjeve katastrofike të Dhomës së Lartë.
Transmetuesi publik “NHK” tha se Kryeministri Ishiba mori vendimin për të shmangur përçarjet brenda partisë, ndërsa gazeta “Asahi Shimbun” tha se ai nuk arriti t'i rezistonte thirrjeve në rritje për dorëheqjen e tij.
Vendimi vjen më pak se një vit pasi 68-vjeçari u emërua kryetar i Partisë Liberale Demokratike (LDP), e cila, dominonte prej kohësh.
Që atëherë, ai ka humbur shumicën në të dy dhomat e parlamentit.
Ministri i Bujqësisë dhe një ish-kryeministër thuhet se u takuan me Kryeministrin Ishiba mbrëmë për ta nxitur atë të jepte dorëheqjen vullnetare.
Javën e kaluar, katër zyrtarë të lartë të LDP-së, përfshirë kreun e partisë Hiroshi Moriyama, ofruan dorëheqjet e tyre.
Kundërshtarët e Kryeministrit Ishiba i kishin bërë thirrje atij të jepte dorëheqjen dhe të merrte përgjegjësinë për rezultatet e zgjedhjeve, pas votimit në Dhomën e Lartë në muajin korrik.
Ligjvënësit e LDP-së dhe zyrtarët rajonalë në të gjithë Japoninë që kërkojnë zgjedhje të reja për udhëheqje do të paraqesin një kërkesë nesër.
Gara për udhëheqje do të mbahet nëse arrihet shumica e kërkuar. Mandati i Ishibës si kreu i partisë duhej të përfundonte në shtator 2027.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments