ISH-KRYEMINISTRI ITALIAN: FRANCA DONTE TË VRISTE GADAFIN | RRËZOI AKSIDENTALISHT AVIONIN ITALIAN.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Sep 3, 2023
- 3 min read

Romë, Itali | Në një intervistë të botuar dje, në gazetën italiane “La Repubblica”, ish-kryeministri italian Xhuliano Amato (Giuliano Amato), deklaroi se një raketë e forcave ajrore franceze, kishte rrëzuar aksidentalisht një avion italian me pasagjerë - mbi Detin Mesdhe - akt i ndodhur në vitin 1980. Sipas tij, kjo tragjedi ndodhi në kuadër të një përpjekje të dështuar të qeverisë franceze, për të vrarë udhëheqësin e atëhershëm politik të Libisë, z. Muhamer Gadafi (Moammar Gadafi). Dy herë kryeministri italian i bëri thirrje presidentit francez Emanuel Makron (Emmanuel Macron), që, ose ta përgënjeshtrojë ose ta konfirmojë pohimin e tij, lidhur me shkakun e rrëzimit të avionit të pasagjerëve më 27 qershor të vitit 1980, avion i cili kryente fluturime të brendshme në Itali, rënia e të cilit, u mori jetën 81 udhëtarëve, që gjendeshin në bord. Pavarsisht deklarimeve të lartparashtruara ai pranoi se nuk kishte prova materiale konkrete për ta mbështetur denoncimin e tij, por, ai deklaroi gjithashtu se shërbimet sekrete kishin informuar fshehurazi z. Gadafi, i cili, po kthehej në Tripoli, nga një takim në ish-Jugosllavinë tititse. Me të marrë informacionin ai nuk kishte hipur në avionin ushtarak libian, por kishte vazhduar udhëtimin me mjete alternative. Aksidenti i vitit 1980 mbetet sot e kësaj dite, mbetet mister në Italinë e kohëve moderne. Ka zëra që thonë se ngjarja ishte pasojë e një bombe, që kishte shpërthyer në bordin e avionit, që po fluturonte nga Bolonja drejt Siçilisë, ndërsa të tjerë zëra, thonë se nga ekzaminimi i mbetjeve të nxjerra nga fundi i detit, disa vite më vonë, rezultoi se avioni ishte goditur nga një raketë. Gjurmët e radarit tregonin një mori aktivitetesh me avionë, në atë pjesë të qiellit, në momentin e aksidentit. “Versioni më i besueshëm është ai i përgjegjësisë së forcave ajrore francez,e për çka ndodhi atë mbrëmje të 27 qershorit, në bashkëpunim me amerikanët”, deklaroi ish-kryeministri italian. NATO planifikonte të “simulonte një stërvitje, me shumë avionë në veprim, gjatë së cilës supozohej të hidhej dhe një raketë”, që do të kishte si objektiv avionin ku gjendej z. Gadafi, deklaroi ai. Pas rrëzimit të avionit, zyrtarët francezë, amerikanë dhe ata të NATO-s, e mohuan që atë ditë të ishin zhvilluar aktivitete ajrore ushtarake. Sipas kryeministrit italian, raketa dyshohet se është gjuajtur nga një avion luftarak francez, i cili, ishte nisur nga një aeroplanmbajtëse, që ndodhej ndoshta në brigjet jugore të Korsikës. Presidenti Macron, 45 vjeç, ishte fëmijë në kohën kur ndodhi aksidenti. “Pyes veten se përse një president i ri në moshë si Makroni, nuk do të donte të hiqte turpin që rëndon mbi Francën”, deklaroi ish-kryeministri italian. “Dhe ai mund ta heqë këtë vetëm në dy mënyra – ose duke demonstruar se kjo tezë është e pabazuar ose pasi të verifikohet themeli i (tezës), duke i kërkuar faljen më të thellë Italisë dhe familjeve të viktimave në emër të qeverisë së tij”. Kryeministri italian Amato aktualisht është 85 vjeç, tha se në vitin 2000, kur ishte kryeministër, ai u kishte shkruar presidentëve të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara dhe Francës, përkatësisht z. Bill Clinton, dhe z. Zhak Shirak, për t’i bërë presion për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi. Por kërkesat e tij tha ai, kishin ndeshur në heshtjen totale të tyre. E pyetur nga Associated Press, zyra e presidentit aktual francez, e z. Makron, tha të shtunën se nuk do të komentonte menjëherë rreth deklaratave të ish-kryeministrit italian. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i bëri thirrje z. Amato të thotë nëse ka elementë konkretë për të mbështetur pohimet e tij, në mënyrë që qeveria e saj të mund të ndjekë mëtej këtë çështje. Fjalët e z. Amato “meritojnë vëmendje”, tha znj. Meloni, në një deklaratë të lëshuar nga zyra e saj, ndërsa vuri në dukje se pohimet e ish-kryeministrit ishin “ishin deduksione personale të tij”. Pohimet për përfshirjen e Francës në këtë aksident nuk janë të reja. Në një intervistë televizive të vitit 2008, ish-presidenti italian Françesko Kosiga (Francesco Cossiga), i cili shërbente si kryeministër kur ndodhi incidenti, tha se një raketë franceze kishte goditur avionin, por, sipas tij, objektiv i saj kishte qenë një avion ushtarak libian. Ai tha gjithashtu se kishte mësuar se dega ushtarake e shërbimeve sekrete italiane kishte informuar z. Gadafi mbi sulmin e mundshëm. Moammar Gadafi u vra në luftën civile të Libisë në vitin 2011. Disa javë pas rrëzimit të avionit italian me pasagjerë, mbetjet e një avioni ushtarak libian MiG, me trupin tejet të dekompozuar të pilotit të tij, u zbuluan në malet e largëta, në jug të Kalabrisë. Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox









___.png)


















































Comments