IRAN | PËR HERË TË PARË QË NGA VITI 1979 NJË GRUA DIRIGJON NJË ORKESTËR SIMFONIKE NË PUBLIK.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Nov 16
- 1 min read

Teheran, Iran | Dirigjentja iraniane Paniz Farijusefi (Faryousefi) dirigjoi shfaqjet e Orkestrës Simfonike të Teheranit në Sallën “Uniteti” në kryeqytetin iranian këtë javë, duke u bërë gruaja e parë në histori që e bën këtë.
Kjo e bën atë gjithashtu dirigjenten e parë femër të ndonjë orkestre simfonike iraniane që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Këtë javë, 42-vjeçarja Farjusefi dirigjoi koncertet dy-ditore “Toka e Simurgh”-ut, duke paraqitur vepra nga kompozitorët iranianë Aftab Darvishi dhe Golfam Khajman (Khayam), së bashku me vepra nga Robert Shuman (Schumann), Zhan (Jean) Sibelius dhe Aram Khaçaturian (Khachaturian).
Në Iran, jeta profesionale dhe kulturore e grave është ende e kufizuar rëndë.
Ato nuk mund të këndojnë solo para burrave; për më tepër, në disa qytete iraniane, muzikanteve femra nuk u lejohet të performojnë në skenë, dhe madje edhe në kryeqytetin Teheran, atyre u ndalohet të ngrenë zërin ndërsa këndojnë në publik.
Pas vdekjes në paraburgim në vitin 2022 të një gruaje të re të arrestuar për shkelje të kodit të veshjes së vendit, në Iran shpërthyen protesta të gjera në rrugë për disa muaj.
Pas trazirave, qeveria lehtësoi disa kufizime dhe gratë e reja janë bërë më të pranishme në disa fusha të jetës shoqërore dhe kulturore.
Për më tepër, sipas disa analistëve, pas luftës 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit qershorin e kaluar, autoritetet iraniane po tregojnë tolerancë më të madhe ndaj lirive shoqërore të qytetarëve, veçanërisht grave, ndërsa vazhdojnë të monitorojnë çdo shenjë të mospajtimit politik.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments