HUNGARI | ISH-KRYEMINISTRI NIKOLA GRUEVSKI MORI SHTETËSINË HUNGAREZE NË VITIN 2022; GJYKATA KA REFUZUAR EKSTRADIMIN E TIJ NË MAQEDONINË E VERIUT KU ËSHTË I DËNUAR ME BURG.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 1 hour ago
- 2 min read
Budapest, Hungari | “Ish-Kryeministri Nikola Gruevski, mori shtetësinë hungareze në vitin 2022, katër vjet pas arratisjes së tij në Hungari, një zhvillim që e bën pothuajse të pamundur ekstradimin e tij në vendin e tij”.
Kështu raportoi enti mediatik hetues hungarez “VSquare”, duke cituar burime qeveritare.
Ish-Kryeministrit Gruevski i është dhënë shtetësia hungareze për shkak të interesit të shtetit hungarez dhe besohet se vazhdon të jetojë në Budapest.
Çështja e qëndrimit të ish-Kryeministri Gruevski në Hungari u rikthye në qendër të vëmendjes së fundmi, kur Kryeministri i ri i Hungarisë, Pjetër Magjar (Peter Magyar), deklaroi se vendi i tij nuk do të bëhej strehë për kriminelët, duke iu referuar ish-ministrit polak të Drejtësisë, ish-Zv/Ministrit të Drejtësisë të të njëjtit vend dhe ish-Kryeministrit të Shkupit, të cilëve u është dhënë azil politik në Hungari nga ish-Kryeministri Viktor Orban.
Pas deklaratave të mësipërme nga kryeministri i ri hungarez, dy ish-zyrtarë polakë, ekstradimi i të cilëve po kërkohet nga qeveria e Kryeministrit Donald Tusk në Poloni, janë larguar nga Hungaria, ndërsa Nikola Gruevski mbetet në Budapest.
“Pozicioni i Gruevskit është dukshëm më i sigurt. Azili politik mund të revokohet, por heqja e shtetësisë është një proces ligjor shumë më i vështirë”, raportoi enti mediatik “Vsquare”.
Ish-Kryeminsitri Gruevski, me moshë 56 vjeç, shërbeu si kryeministër nga viti 2006 deri në vitin 2016.
Në muajin nëntor të vitit 2018, ai iku në Hungari, ku iu dha azil politik nga aleati i tij politik, ish-Kryeministri Viktor Orban, për të shmangur vuajtjen e një dënimi me dy vjet burg për një rast korrupsioni që lidhej me kohën e tij në detyrë.
Atij iu dha azil në Hungari me arsyetimin se po përndiqej politikisht nga Kryeministri Zoran Zaev.
Që atëherë, ai është dënuar në raste të tjera të formës së prerë, me dënime totale që tejkalojnë dhjetë vjet burg.
Kryeministri Hristian Mickoski, tha se qeveria nuk ka informacion nëse z. Gruevski ka marrë shtetësinë hungareze.
Kohët e fundit ai kishte thënë se nuk e konsideronte të mundshme kthimin e ish-kryeministrit në vend, duke shtuar megjithatë se nëse kjo ndodh, ai do të arrestohet dhe do të dërgohet në burg për të vuajtur dënimet e dhëna.
Në vitin 2019, qeveria e atëhershme socialdemokrate kishte kërkuar ekstradimin e tij, por gjykata hungareze e refuzoi kërkesën proceduriale penale.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)








Comments