top of page
E BARDHË SHIRIT.png

HUNGAREZËT RRËZUAN VIKTOR ORBANIN.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 20 hours ago
  • 3 min read

Nga Kolegjiumi i redaksisë së entit mediatik “The Wall Street Journal”.

Uashington, Amerikë | Hungaria e Viktor Orbanit mbase nuk është model për konservatorizmin amerikan.


Të dielën, hungarezët votuan në mënyrë masive për të rrëzuar kryeministrin dhe partinë e tij Fidesz, pas 16 vitesh në pushtet, një zhvillim që sjell mësime për Partinë Republikane (amerikane).


Në momentin që po shkruajmë këtë, udhëheqësi i opozitës së qendrës së djathtë, Pitër Magiar (Péter Magyar), me partinë e tij Tisza është në rrugë për të fituar rreth 138 nga 199 vende në Parlamentin e Hungarisë.


Kjo super-shumicë do të mundësonte shfuqizimin e ndryshimeve antidemokratike që z. Orban ka bërë në institucionet hungareze, dhe tregon se sa shumë Fidesz-i e kishte tepruar me qëndrimin në pushtet.


Pjesëmarrja në votime, sipas të gjitha raportimeve, ishte e lartë.


Z. Magiar (Magyar), një ish-anëtar i larguar nga Fidesz-i, zhvilloi një fushatë të fortë të përqendruar te ekonomia, e cila, u rrit vetëm me 0.4 përqind në vitin 2025.


Inflacioni ka qenë i lartë, duke u rritur me më shumë se 57 përqind që nga fundi i vitit 2019 (krahasuar me rreth 27 përqind në ShBA gjatë të njëjtës periudhë).


Rreth 39650 hungarezë emigruan jashtë shtetit në vitin 2025, një shifër kjo më e lartë se ajo prej më pak se 7350 personash kur z. Orban u bë kryeministër në vitin 2010.


Politika e përzier e z. Orban mbështetej fort te subvencionet shtetërore për industri të favorizuara, si bateritë për automjetet elektrike.


Agjenda e tij kombinonte gjithashtu retorikën pro familje, me përfitime financiare për prindërit që kanë fëmijë.


Ky etatizëm djathtist fitoi fillimisht vota, por tërheqja ndaj tij është zbehur ndërsa rritja ekonomike dhe të ardhurat reale kanë mbetur prapa.


Shkalla e lindshmërisë në Hungari ishte vetëm 1.5 në vitin 2025 - më e ulët se në Francë, një bastion i asaj që z. Orban e përçmon si majtizëm kulturor evropian.


Politikat e tij të natalitetit nuk funksionuan, edhe pse Zv/Presidenti JD Vens (Vance) lavdëroi subvencionet bujare për familjet - gjatë fushatës së tij në mbështetje të z. Orban javën e kaluar.


Socializmi dështon po aq lehtë si në të djathtën, ashtu edhe në të majtën.


Partia Tisza ka theksuar gjithashtu rikthimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit, të cilat janë përkeqësuar gjatë qeverisjes së z. Orban.


Këto reforma do të jenë të mirëpritura dhe duhet të çlirojnë fondet të cilat Bashkimi Evropian i kishte bllokuar gjatë qeverisë së tij.


Megjithatë, z. Magiar (Magyar) mund të kërkojë këshilla nga kryeministri grek Qirjakos Micotaqis (Kyriakos Mitsotakis), për mënyrën se si të rrisë ekonominë pas viteve të populizmit të gabuar.


Ai ka nevojë për një agjendë rritjeje të bazuar në ofertë, që nuk mbështetet në subvencione për të joshur investimet kineze.


Fitorja e z. Magiar (Magyar) do të jetë zhgënjim si për Vladimir Putinin ashtu edhe për presidentin Tramp (Trump).


Orbani është i preferuar i Kremlinit dhe ka tentuar vazhdimisht të pengojë mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ukrainën.


Magiari (Magyar) synon ta largojë Hungarinë nga Rusia dhe ta afrojë me Evropën, një ndryshim që do t’i shërbente interesave të ShBA-ës.


Hapi i tij i parë mund të jetë përfundimi i bllokimit nga ana e Orbannit e një kredie prej 105 milionë dollarësh nga Bashkimi Evropian për Kievin, teksa vendi përballet me pushtimin brutal të Rusisë.


Administrata Tramp (Trump) do të ishte e mençur po ta linte pas romancën për z. Orban dhe të angazhohet me z. Magiar (Magyar) për ta ndihmuar atë të ketë sukses.


Këto zgjedhje janë gjithashtu një paralajmërim për ata në të djathtën amerikane që mendojnë se rishpërndarja e të ardhurave dhe politikat industriale janë rruga drejt një shumice të qëndrueshme konservatore.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating

LAJM RRUFE | BREAKING NEWS

bottom of page