FILIPINE | ISH-KRYETARI I PARLAMENTIT MARTIN ROMUALDEZ U ARRESTUA; 101 MILIONË € RRYSHFET; RREZIKON BURGIM TË PËRJETSHËM.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 3 hours ago
- 2 min read
Manilë, Filipine | “Ish-Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Martin Romualdez, kushëri i presidentit Ferdinand Markos i Riu (Marcos Jr.), u arrestua dje, më 7 shtator, pasi u akuzua për përvetësim në lidhje me një skemë të dyshuar ryshfeti që lidhet me projektet e kontrollit të përmbytjeve”.
Kështu njoftoi sekretari i Brendshëm Jonvik (Jonvic) Remulla.
Urdhër-arresti, i lëshuar nga Divizioni i Tretë i Gjykatës Antikorrupsion të Sandiganbaian-it, iu dorëzua z. Romualdez ndërsa ai ishte i shtruar në spital në Qendrën Mjekësore “Cardinal Santos”, në Manilë.
Ai tani konsiderohet një person i privuar nga liria, deklaroi Remulla, duke vënë në dukje se akti procedurial penal u mbajt në prani të avokatëve, mjekëve dhe një djali të ish-kryetarit.
Ai kishte pësuar së fundmi një episod kardiovaskular, me presion të paqëndrueshëm të gjakut dhe një atak ankthi.
Urdhëra arresti janë lëshuar gjithashtu për ish-kongresmenin e Ako Bikol (Bicol), z. Zaldi Ko (Zaldy Co), kryetarin e “Samchan Foreign Exchange Corp”, dhe një qytetar privat të paidentifikuar.
Avokati i Popullit, Jesus Krispin Remulla, njoftoi sot se çështja përfshin një total prej 7.4 miliardë peso (afërsisht 101.7 milionë euro) në ryshfete të dyshuara, parregullsi buxhetore dhe alokime projektesh.
Përvetësimi në shkallë të gjerë nuk është i pranueshëm për lirim me kusht dhe dënohet me burgim të përjetshëm.
Mbrojtja ka paraqitur mocion për ta mbajtur atë në paraburgim spitalor, duke argumentuar se ish-kryetari i parlamentit vuan nga sëmundje kronike kardiovaskulare, duke përfshirë sëmundjen e arteries koronare dhe një histori angioplastike, si dhe diabetin e tipit 2 dhe hipotiroidizmin, të cilat do të kërkonin trajtim që nuk mund të ofrohet në një qendër paraburgimi.
Peticioni specifikon se ai nuk kërkon përjashtim nga arrestimi, paraburgimi ose paraqitja në gjykatë, por vetëm trajtim të bazuar në arsye mjekësore të dokumentuara dhe të verifikueshme.
Ministria e Brendshme do të monitorojë gjendjen e Romualdez çdo ditë për të përcaktuar se kur ai mund të transferohet në një qendër paraburgimi, duke theksuar se ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve nuk mund të fshihet pas pasurisë së tij.
Procedurat kundër tij vijnë më shumë se një vit pasi presidenti Ferdinand Markos i Riu (Marcos) Junior, kushëriri i tij, vendosi projektet e infrastrukturës fantazmë, që besohet se u kanë kushtuar taksapaguesve filipinas miliarda dollarë, në qendër të Fjalimit të tij për Gjendjen e Kombit.
Ish-kryetari Romualdez gjithmonë i ka mohuar akuzat.
Avokati i tij, Ade Fajardo, deklaroi se ish-kryetari do të përballet me akuzat në përputhje me ligjin dhe nuk po kërkon asnjë trajtim të veçantë, por vetëm një proces të rregullt ligjor të garantuar për çdo qytetar filipinas.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)




Comments