top of page
E BARDHË SHIRIT.png

DITA KUR SHTETI POLICOR TRIUMFOI NË RUSI.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 11 hours ago
  • 4 min read
DITA KUR SHTETI POLICOR TRIUMFOI NË RUSI.

Nga z. Tomas Sniegon*.

Stokholm, Mbretëria e Suedisë | 20 dhjetori shënohet në kalendarin rus si një ditë kushtuar punonjësve të organeve të sigurisë.


Megjithatë, këto nuk janë thjesht organe të çfarëdoshme që e kanë sigurinë në përshkrimin e punës së tyre.


Në këtë rast, termi organe sigurie thekson ekskluzivisht rëndësinë e themelimit të policisë politike në Rusinë Sovjetike në zhvillim.


Më 20 dhjetor 1917, Partia Komuniste Ruse krijoi agjencinë e saj të sigurisë dhe inteligjencës, VChK-në (Всероссийская чрезвычайная комиссия), një komision të jashtëzakonshëm (Komisioni i Jashtëzakonshëm Gjithë-Rus kundër Kundërrevolucionit dhe Sabotazhit) për të promovuar interesat e saj politike dhe për të shtypur opozitën në vend.


Ky komision, i njohur me shkurtesën ruse Cheka (Çeka), në vend që të ishte një komision i jashtëzakonshëm, u bë një forcë shtypëse e përhershme dhe brutaliteti i tij i dha shkas termit famëkeq Çekism.


Organet u reformuan më vonë disa herë dhe Çeka evoluoi, për shembull, në NKVD, MGB dhe KGB.


Pavarësisht shenjave tragjike të kësaj trashëgimie sovjetike, punonjësit e sigurimit shtetëror rus ende e quajnë veten me krenari çekistë.


Revolucioni Bolshevik, i cili ndodhi një muaj e gjysmë para formimit të “Çekës”, shënoi shfaqjen e shtetit të parë me rëndësi globale bazuar në diktaturën e një partie të vetme politike dhe një ideologjie të vetme politike të lejuar.


Diktatura të tjera të ngjashme me një parti - fashizmi italian dhe nazizmi gjerman - pasuan menjëherë pas kësaj.


Por për sa i përket kohëzgjatjes, ato nuk ishin as afër aq të suksesshme sa komunizmi sovjetik.


As forcat e tyre të sigurisë politike nuk zhvilluan asgjë që mund të përshkruhej me një term kaq specifik si çekizmi (për shembull, një gestapizëm specifik).


KULTI I KONTROLLIT EFEKTIV.


Kur kreu i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) aktual, Aleksandër (Alexander) Bortnikov, u pyet nga “Rossiyskaya Gazeta” në vitin 2017, në 100-vjetorin e themelimit të Çekës, pse shërbimi i tij feston ditëlindjen e tij në ditën e themelimit të Çekës dhe jo në datat e themelimit të forcave shumë më të vjetra të sigurisë cariste, ai u përgjigj se vetëm në vitin 1917 u krijua në Rusi një sistem i unifikuar i sigurisë shtetërore nën udhëheqje të centralizuar, ndërsa shërbimet e inteligjencës që ekzistonin para vitit 1917 nuk ishin në gjendje të kontrollonin dhe mbronin Rusinë me të njëjtën efikasitet.


Në rastin sovjetik, ky efikasitet përfshinte, për shembull, Terrorin e Kuq dhe të Madh, sistemin e kampeve të përqendrimit Gulag, një uri masive të shkaktuar nga njeriu dhe persekutimin e pothuajse të gjitha pikëpamjeve dhe pozicioneve të opozitës.


Megjithatë, vitin e kaluar, një statujë e Xherzhinskit u instalua përpara ndërtesës së Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Ruse në përvjetorin e lindjes së themeluesit të Çekës, Feliks Xherxhinskit (Felix Dzerzhinsky).


Kreu i atij shërbimi të inteligjencës, Sergei Narishkin (Sergey Naryshkin), e vlerësoi themeluesin e policisë politike sovjetike për ndershmërinë e tij të qartë si kristali, besnikërinë ndaj detyrës dhe përkushtimin ndaj idealeve të mirësisë dhe drejtësisë.


Në filli të viteve 1990, për një kohë të shkurtër u duk se tradita e dhunës në shoqërinë sovjetike dhe ruse post-sovjetike dhe glorifikimi i zyrtarëve të lartë do të ndryshonte ndjeshëm në fund të fundit.


Politikanët e lartë folën për demokratizim dhe KGB-ja u shfuqizua dhe u nda në disa organizata më të vogla.


NGA SHTYPËS NË PATRIOT.


Megjithatë, reformat dhe kontrollet themelore mbi ata që kishin kryer padrejtësi më parë nuk ndodhën kurrë, dhe pas konfliktit midis presidentit Boris Jelcin dhe parlamentit rus në vjeshtën e vitit 1993, siguria shtetërore filloi të centralizohej përsëri.


Kjo nuk ndodhi për shkak të ndonjë komploti të zgjuar nga brenda këtyre organeve, por mbi të gjitha sepse sistemi presidencial kishte nevojë për një lloj të ri çekist për të siguruar interesat e tij.


Sipas rrëfimtarive të tyre të modifikuara, punëtorët në organe janë bërë patriot dhe jo ish-shtypës të bashkëqytetarëve të tyre.


Dhe falë vetëbesimit të rifituar, ata ishin në gjendje t'ua hidhnin pjesën e tyre të fajit për shtypjen dhe rënien e Bashkimit Sovjetik ekskluzivisht politikanëve, veçanërisht politikanëve me mendje reformiste.


Në fund të fundit, sipas versionit çekist, ishin reformat, dhe jo terrori dhe represioni, që nënkuptonin rënien e rendit dhe çuan vetëm në kaos.


Jelcini e riktheu festimin e 20 dhjetorit si “Dita Çekiste” ​​në vitin 1995 dhe e sanksionoi rolin e presidentit si maja e padiskutueshme e pushtetit në ligjet themelore.


Në emër të demokratizimit nga lart, shumë problematik, Jelcini e ricentralizoi sistemin, nga i cili pasardhësi i tij i zgjedhur, Putini, tani përfiton shumë me qëllime krejtësisht të ndryshme.


NJË CENTRALIZIM I JASHTËZAKONSHËM.


Nuk është aspak e vërtetë që Putini është thjesht një ish-agjent i policisë politike sovjetike.


Sipas ligjeve të mesit të viteve 1990, të përshtatura më vonë për diktaturën e re, Putini ka qenë kreu suprem si i pasardhësit kryesor të KGB-së, Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), ashtu edhe i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme (SVR), gjatë gjithë presidencës së tij.


FSB-ja, policia politike, ish-paraardhësja e së cilës, Çeka, u përshkrua si mburoja dhe shpata e Partisë Komuniste, tani është mburoja dhe shpata de facto e pushtetit të një personi të vetëm: Presidentit Vladimir Putin.


Kushdo që i kundërvihet këtij pushteti përshkruhet dhe dënohet, si më parë, si agjent i një fuqie të huaj, tradhtar, armik i popullit rus dhe dëmtues.


Në fjalimin e tij të parë para çekistëve si president më 20 dhjetor 2000, Putini theksoi se detyra kryesore e shërbimeve speciale ruse është mbrojtja e të drejtave kushtetuese të qytetarëve të Federatës Ruse.


Megjithatë, fjalimi i tij gjatë festimeve të fundit të së njëjtës festë paraqet një qëllim krejtësisht të ndryshëm: qëllimi është mbrojtja e shtetit rus, i përfaqësuar nga pushteti i presidentit, nga qytetarët e tij të pakëndshëm në emër të popullit rus.


Festa e 20 dhjetorit nuk i përket më sistemit të komunizmit sovjetik, të cilin Putini, vetë një ish-komunist, e kundërshton në disa aspekte themelore.


Është një kujtesë e shfaqjes së kultit të shtetit policor, i cili është edhe më i rëndësishëm për Rusinë bashkëkohore sesa të gjitha ideologjitë politike që ekzistojnë sot.


*Profesor i Asociuar - Qendra e Studimeve Evropiane për Gjuhë dhe Letërsi - Universiteti i Lundit.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating

LAJM RRUFE | BREAKING NEWS

Donate with PayPal
bottom of page