DIBËR | ENGJËLL KAROSHI U ARRESTUA; 50 MIJË GJOBË NDAJ BIZNESMENIT ZIJA SHULKU.

Peshkopi, Shqipëri | Në funksion të luftës institucionale ndaj Agjenturës së Krimit Ordiner strukturat vendore të Policisë së Shtetit arrestuan:
1- Z. Engjëll Karoshi, me moshë 21 vjeç.
Ai konsiderohet i përfshirë në gjobëvënie ndaj:
1- Z. Zija Shulku, pronar i një pike të tregtimit të karburanti në Peshkopi, të cilit i ishte kërkuar nën kërcënim 50 mijë €.
Njoftim | Finalizohet operacioni policor i koduar “Kërcënimi”.
Vendosi një pajisje të dyshimtë dhe kërcënoi për shpërthimin e saj, në këmbim të 50 000 eurove.
Policia zbardh brenda pak orëve ngjarjen, identifikon dhe vë në pranga autorin e dyshuar.
Më datë 02.10.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet Operacionale në DVP Dibër, finalizuan operacionin policor të koduar “Kërcënimi”.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe hetimit intensiv, brenda pak orësh u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 21 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, u krye hapja dhe kontrolli i kutisë, nga ku rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese.
Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas dyshohet se, rreth orës 14:30, në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh., kishte vendosur një kuti të dyshimtë, mbi të cilën ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.
Mbi kuti ishte vendosur një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e shumës prej 50 000 eurosh, në formën e një gjobe.
Pagesa kërkohej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi të kriptomonedhave, në adresën e përcaktuar nga autori.
Në letër, autori kërcënonte se kutia do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të përcaktuar prej tij, nëse kutia do të lëvizte ose nëse do të njoftohej Policia apo persona të tjerë.
Gjithashtu, ai pretendonte se kutia përmbante lëndë plasëse C4, ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim dhe se ambienti monitorohej me kamera.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









Comments