PJESA E KATËRT | BREZI I ZJARRIT I KURDISTANIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jan 7, 2024
- 8 min read
Nga znj. Françeska Salvatore.
Romë, Itali | Pothuajse tridhjetë e pesë milionë (disa thonë edhe 45) njerëz të ndarë në një territor midis Iranit, Irakut, Turqisë dhe Sirisë: kurdët përbëjnë 20% të popullsisë në Irak dhe Turqi, dhe 10% në Siri dhe Iran.
Populli kurd, pavarësisht nga madhësia e tij, dhe një identitet kaq i fortë, kurrë nuk ka arritur të marrë lindjen dhe njohjen e një Kurdistani të lirë.
Arsyeja nuk duhet gjetur vetëm në lojën e fuqive të mëdha, që ndodhi pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, por më tepër në vullnetin e kombeve të mëdha të Lindjes së Mesme, të cilët, nuk pranuan kurrë lindjen e një shteti kaq të madh në qendrën e Lindjes së Mesme.
Nga Lufta e Parë Botërore e deri më sot, popullsia dhe rajonet kurde brenda Turqisë, Iranit, Sirisë, dhe Irakut kanë mbetur në qendër të trazirave bashkëkohore gjeopolitike, që nga lufta kundër terrorit, pas 11 shtatorit, e deri te protestat në Iran, në javët e fundit.
Megjithatë, do të ishte gabim ta konsideronim botën kurde si një amalgamë homogjene: secili nga katër rajonet, në fakt, gëzon kushte të ndryshme gjeopolitike, dhe shkallë të ndryshme autonomie.
Edhe pse ata ndajnë një identitet të përbashkët etnik dhe janë kryesisht myslimanë sunitë, kurdët nuk kanë përfaqësues ndërkufitar, politika të përbashkëta, apo një njësi të përbashkët të mbrojtjes ushtarake. Kjo i ekspozon ata ndaj rrezikut të mëtejshëm të sulmit nga shtetet në rajon.
KURDISTANI TURK.
Sulmi në Stamboll disa javë më parë është shprehja paradigmatike e marrëdhënies problematike mes Ankarasë dhe botës kurde.
Ndërsa nga njëra anë qeveria qendrore ka alternuar metodën e karotës dhe shkopit për dekada të tëra, kurdët e Turqisë përjetojnë një skizofreni midis kërkesave, ngacmimeve, dhe mbizotërimit të zërit të krahut të tyre të armatosur, historia e të cilit, shpeshherë i lë në hije kërkesat paqësore nga poshtë.
Nga ana e tij, gjatë njëzet viteve të fundit Erdogan e ka trajtuar çështjen kurde mbi të gjitha duke pasur parasysh nevojat e tij politike.
Për më tepër, përcaktimi i PKK-së si një organizatë terroriste, dhe shtytja dhe tërheqja brenda NATO-s, për të detyruar vendet skandinave, të negociojnë riatdhesimin e qytetarëve kurdë, është dëshmi se si gjërat po ndërlikohen më tej.
Megjithatë, marrëdhënia mes Erdoganit dhe botës kurde, nuk kishte filluar aspak në një mënyrë të stuhishme.
Në të vërtetë, shumë menduan se bota kurde do të fitonte shumë nga ngritja e sulltanit Erdogan.
Hapat e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) për të normalizuar identitetin kurd, duke futur paketa reformash në të njëjtat vite që u përpoq të bashkohej me Bashkimin Evropian, e ndihmuan Erdoganin të fitonte zemrat e kurdëve.
Ndonëse reformat e AKP-së ishin pjesë e procesit të pranimit në Bashkimin Europian, dhe ishin krijuar gjithashtu për të minuar ndikimin e ushtrisë në politikë, këto hapa përmirësonin në mënyrë indirekte statusin dhe kushtet e popullsisë kurde të Turqisë.
Për shumë kurdë, AKP ishte më gjithëpërfshirëse se partitë e tjera opozitare, të cilat, nuk lanë të kuptohet për asnjë lloj reforme.
Kur filloi procesi i paqes në janar 2013, shumë kurdë besuan se Erdogani dhe Abdullah Oçalani (Öcalan) do të arrinin një marrëveshje, dhe për rrjedhojë, një armëpushim.
Megjithatë, negociatat përfundimisht nuk arritën të prodhonin një paqe të qëndrueshme mes palëve.
Kjo për shkak të vendimit të Partisë Demokratike Popullore (PDP) pro-kurde, për të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit 2015, si parti e vetme, në vend të kandidatëve të pavarur.
PDP-ja argumentoi se procesi i paqes do të ishte i suksesshëm vetëm nëse AKP e konsideronte PDP-në si një aktor politik legjitim, dhe do të toleronte interesat e saj politike.
Në fund, PDP arriti të kapërcejë pragun prej 10% për përfaqësimin elektoral në parlament, duke fituar 80 mandate.
Suksesi i PDP-së ndryshoi përbërjen e parlamentit, dhe AKP humbi shumicën e saj për herë të parë, që kur erdhi në pushtet në vitin 2002.
Pas dështimit zgjedhor të AKP-së, ato rifilluan në verën e vitit 2015 përleshjet midis forcave turke të sigurisë dhe PKK-së.
Zgjedhjet e vitit 2023 u kryen me të gjitha ngarkesat që sollën. Fërkimet e dukshme midis dy liderëve politikë të kurdëve të Turqisë, Abdullah Oçalan (Öcalan), dhe Selahattin Damirtash (Demirtaş), ofruan mundësi dhe pengesa për Erdoganin.
KURDISTANI IRANIAN.
Kurdët iranianë u rikëthyen në qendër të vëmendjes në vazhdën e protestave që ndezën Iranin. E gjitha rrodhi nga fakti se e reja Mahsa Amini, simbol i protestave kundër regjimit, ishte me origjinë nga Saqqez, kryeqyteti i Shahrestān- it të Saqqezit, në provincën iraniane të Kurdistanit, pjesa veri-perëndimore e vendit, ku jetojnë rreth 8 milionë kurdë.
Protestat e u dukën si një mundësi joshëse për regjimin që të intensifikonte shtypjen e tij ndaj grupeve kurde, përfshirë Irakun. Në këtë zonë, në fakt, Mahsa Amini u ngrit në një heroinë etnike dhe pikërisht këtu filluan rebelimet.
Forcat e sigurisë, të cilat, dukej se kishin filluar të humbnin terrenin e tyre në qytetet Izeh, në provincën Khuzestan, dhe Malekshahr, në provincën Esfahan, vazhduan të qëllonin mbi protestuesit, duke vrarë të paktën dy djem në Malekshahr, dhe disa të tjerë në Izeh, duke përfshirë një djalë 10 vjeç.
Fëmija - Kian Pirfalak - u bë menjëherë një ikonë e re e protestave. Sulmet ishin aq brutale sa Republika Islamike zgjodhi të mos merrte përgjegjësinë për to.
Më pas u ndez edhe në Mahabad, një qytet i vogël me shumicë kurde në provincën e Azerbajxhanit Perëndimor, ku banorët barrikaduan rrugët dhe lëvizën në formacione taktike, për të marrë kontrollin e qytetit.
Republika Islamike vendosi automjete ushtarake dhe shtypi protestuesit.
Kurdët në Iran vuajnë diskriminimin institucional, që ndikon në aksesin e tyre në shërbimet bazë si strehimi, puna, dhe arsimi.
Situata është veçanërisht komplekse për ata që bëhen operacionalë, ose që perceptohen si të tillë, në aktivitetet politike kurde.
Autoritetet nuk tolerojnë asnjë aktivitet të lidhur me grupet politike kurde, dhe hapin dyert për arrestime arbitrare, ndalime të zgjatura, dhe abuzime fizike për të përfshirët.
Kjo justifikon, sipas qeverisë së Teheranit, inkursionet e Republikës Islamike në Irak, e konsideruar si bazë e rebelëve kurdë. Midis tyre, Komala, partia e Kurdistanit iranian dhe KDKI, Partia Demokratike e Kurdistanit të Iranit.
Marrëdhëniet midis Iranit dhe Kurdistanit irakian mbeten të ndjeshme ndaj kuadrit ndërkombëtar, dhe jo vetëm ndaj ngjarjeve të brendshme: çështja e pazgjidhur e kthimit në marrëveshjen bërthamore, dhe pasojat e saj të mundshme, reduktimi gradual i gjurmës ushtarake të SHBA-së në Irak, dhe forcimi i fuqisë së Konservatorët iranianë.
Përgjigja e Iranit, ndaj referendumit të pavarësisë së kurdëve të Irakut në vitin 2017, dhe shtypja e ringjalljes së aktivitetit të armatosur, nga partitë kurde iraniane, që veprojnë nga Iraku, e bën të qartë se Teherani nuk do të hezitojë të ndërhyjë për të mbrojtur interesat e tij të sigurisë, në vitet në vijim.
KURDËT NË SIRI.
Kurdët përbëjnë 5% të popullsisë së Sirisë, duke i bërë ata pakicën më të madhe etnike në vend.
Ata janë të përqendruar kryesisht në veri dhe veri-lindje, dhe që nga shpërthimi i luftës civile, shumica e rajoneve me shumicë kurde në Siri janë përfshirë në të ashtuquajturën Administrata Autonome e Sirisë Veri-Lindore, e njohur më mirë si Rojava.
Gjendja e kurdëve sirianë është një viktimë e trefishtë e presionit të ushtruar nga Turqia, nga lufta civile që po gjakon vendin, dhe nga ngjarjet që lidhen me inkursionet e Shtetit Islamik.
Kurdët sirianë janë sulmuar sërish që kur presidenti Erdogan nisi operacionin ajror “Kthetra-Shpata” në Sirinë verilindore, si hakmarrje për sulmin vdekjeprurës në Stamboll.
Ankaraja ia atribuoi sulmin, i cili shkaktoi gjashtë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, YPG-së kurde siriane (Njësia e Mbrojtjes së Popullit Kurd), e cila mohoi me forcë përgjegjësinë për sulmin.
Forcat Demokratike Siriane (FDS) të dominuara nga kurdët, një aleancë milicie e mbështetur nga SHBA, e dominuar nga YPG, akuzon Turqinë për përdorimin e bombardimeve, si pretekst për të nisur një ofensivë ndërkufitare të planifikuar prej kohësh.
Nëse Turqia i zbaton kërcënimet e saj, ne do të detyrohemi të zgjerojmë fushëveprimin e kësaj lufte për të përfshirë të gjithë zonën kufitare, tha Mazloum Abdi, komandanti i përgjithshëm i FDS-së.
FDS-ja e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ka udhëhequr luftën kundër ISIS, duke e shtyrë shtetin islamik nga zonat jetike strategjike, duke përfshirë kryeqytetin e tij de fakto, Raka (Raqqa).
Por Turqia e konsideron YPG-në një grup terrorist, duke e parë atë si krahun sirian të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.
Midis viteve 2016 dhe 2019, Turqia kreu tre operacione të mëdha në veri të Sirisë kundër milicive dhe organizatave kurde, dhe presidenti turk ka thënë vazhdimisht se dëshiron të krijojë një “zonë të sigurt” 30 km përgjatë kufirit jugor të vendit.
Kjo “e drejtë” turke për të bombarduar kufirin është një mbetje e një pakti të vjetër, të quajtur “Marrëveshja e Adanas-it” e vitit 1998, e cila, lejoi Ankaranë të hynte në Siri, për të ndjekur “terroristët” të lidhur me PKK.
Kjo gërryente sovranitetin e Sirisë, për të cilën, regjimi sirian u pajtua, sepse kishte frikë nga një pushtim turk.
Kurdët sirianë nuk u besojnë më as Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni nuk ndërhyri kur Turqia mori Afrinin në vitin 2018, dhe aq më pak në muajin tetor të vitit 2019, kur pushtoi Tal Abyad dhe Ras al-Ain.
Në çdo rast, ndihmësit arabë dhe turkmenë të ushtrisë turke, kryenin një spastrim të vërtetë etnik të popullatës kurde.
Perëndimi po ofron ndihmë emergjente për rajonin, por, kjo nuk mjafton për një proces rindërtimi, i cili, nuk është në axhendën e donatorëve.
Për më tepër, ndihma humanitare dhe ekonomike gjeneron korrupsion të paturpshëm, ashtu si në Afganistan.
Popullsia është e frustruar që ndihmat po devijohen nga një pakicë vetë-pasuruese, dhe kjo rrezikon të shërbejë si lëndë djegëse, për ringjalljen e Shtetit Islamik.
KURDËT NË IRAK.
Ngjarjet e kurdëve të Irakut janë të lidhura jo vetëm me trazirat në rajon, por janë gjithashtu të ndjeshme ndaj marrëdhënieve komplekse midis Iranit dhe Irakut: në shpërthimin e luftës midis dy kombeve, në fakt, autoritetet irakiane urdhëruan deportimet e mijëra kurdëve në Iran.
Të dëbuarit ishin kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, ndërsa meshkujt u arrestuan dhe u burgosën.
Kurdët përbëjnë rreth një të pestën e popullsisë irakiane, dhe jetojnë kryesisht në tre provincat e Irakut verior, të cilat, së bashku, formojnë Kurdistanin irakian.
Për momentin, gjendja e kurdëve të Irakut i sheh ata të kapur nën kontrollin e Turqisë dhe Iranit. Iraku po mbyll kufijtë e tij me Turqinë dhe Iranin për të kundërshtuar shkeljet e shpeshta të sovranitetit të tyre kombëtar nga të dy vendet.
Këtë e vendosi kryeministri i ri Mohammed Shia' al-Sudani, i cili, urdhëroi forcimin e të gjitha pozicioneve në zonat e përfshira.
Në këtë drejtim do të dërgohen armë dhe pajisje të reja të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e monitorimit dhe parandalimin e shkeljeve.
Elementi i vetëm i pasigurt do të ketë të bëjë me mbrojtjen e Kurdistanit irakian, i shënjestruar kohët e fundit nga Teherani për të shkatërruar grupet e brendshme të opozitës kurde.
Udhëheqësit ushtarakë në Bagdad, në fakt, nuk e kanë emëruar rajonin në mesin e atyre që do t'i nënshtrohen një përmirësimi të kordonit të sigurisë. Nga ana tjetër, megjithatë, Erbili mund të llogarisë në shumë partnerë ndërkombëtarë.
Në mes të protestave në Iranin veriperëndimor për vdekjen e Mahsa Amini, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike iraniane (KGRI) sulmoi vendet e grupeve disidente kurde iraniane, të vendosura pikërisht midis guvernatave irakiane të Erbilit, dhe Sulejmanijes.
Irani akuzon grupe rebele kurde të internuara, se kanë nxitur kryengritjen e fundit në veriperëndimin e vendit.
Analistët rajonalë, në këtë fazë, shohin se Irani dhe Turqia po luftojnë për të legjitimuar mbulimin e ndërhyrjeve të tyre në Irak, përmes pjesëmarrjes në samitin e Amanit, Irak.
Teherani dëshiron të distancojë Irakun nga ndikimi i Gjirit, pasi vendet kryesore të rajonit janë të zënë me riorganizimin e marrëdhënieve të tyre me fuqitë e mëdha botërore.
Fuqitë rajonale joarabe duan të legjitimojnë ndërhyrjet e tyre në Irakun verior dhe lindor kundër kurdëve, dhe të zgjerojnë pushtimin e tyre territorial pa frikën e ndonjë përgjigjeje të prekshme nga Bagdadi.
Irani mund të jetë duke shfrytëzuar shpërqendrimin e shteteve të Gjirit për rishikimin e angazhimit të tyre me fuqitë e mëdha, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, pasi zhvillimet e naftës dhe gazit e kanë bërë rajonin një magnet për vendet e mëdha të industrializuara.
Prandaj, objektivi i Teheranit mund të shkojë përtej kontrollit politik të Irakut, duke kërkuar të bëhet partnerë me Francën dhe Turqinë, në projektet ekonomike të Irakut. Në lëkurën e kurdëve.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)



















































Comments