APELI DËNON ME 3 VITE BURG ISH-PRESIDENTIN SARKOZI | 1 VIT NË BURG, 2 VITE JASHTË ME BYZYLYK.
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 17, 2023
- 2 min read

Paris, Francë | Ish-presidenti i Republikës Franceze, Nikola Sarkozi (Nicolas Sarkozy), a dënua nga gjykata e Apelit me 3 vite burg, një prej të cilëve do ta vuajë në qeli, në kuadër të procesit gjyqësor për skandalin e përgjimeve. Z. Sarkozi (Sarkozy), 68 vjeç, është deklaruar gjithmonë i pafajshëm në këtë skandal në të cilin ai u akuzua dhe u dënua për korrupsion dhe trafik ndikimesh. Asnjë president i Republikës Franceze nuk kishte pësuar një dënim kaq të rëndë. Gjykata dha të njëjtat dënime si ai për ish- presidentin, edhe për avokatin e tij prej shumë vitesh, z. Thierr Hercog (Thierry Herzog), dhe për ish-magjistratin e lartë z. Gilbert Azibert. Për z. Sarkozi, gjykata shpalli edhe ndalimin nga të drejtat civile për 3 vjet, me pamundësi për të kandiduar për poste politike. Edhe për avokatin Hercog, u dha dënim shtesë për ndalim ushtrimi të profesionit për 3 vjet. Të njëjtin dënim e kishte shqiptuar edhe gjykata e shkallës së parë. Z. Sarkozi, u shpall fajtor se kishte marrë përsipër, në vitin 2014, nëpërmjet avokatit Hercog, të mbështeste kandidaturën e z. Azibert për një zyrë prestigjioze në Principatën e Monakos (të cilën gjyqtari nuk e mori kurrë), në këmbim të ndërhyrjeve dhe komunikimeve konfidenciale në lidhje me një çështje në atë kohë nën shqyrtimi nga Kasacioni. “Unë jam një ish-president i Republikës – tha z. Sarkozi në gjykatë në gjyqin e shkallës së parë – nuk kam korruptuar askënd dhe më pas duhet të shtojmë se do të ishte një korrupsion shumë i çuditshëm, pa para, as një cent për askënd, pa avantazhe për askënd, dhe pa viktima, pasi nuk ka persona të lënduar”. Pas shpalljes së dënimit, ish-presidenti francez përmes avokatëve të tij njoftoi se do të apelojë vendimin penal në Gjykatën e Lartë, për çështjen e përgjimeve, që e ka parë të akuzuar për korrupsion dhe trafikim influencash. Nëse konfirmohet dënimi i shqiptuar në apel, z. Sarkozi do të kryejë një vit burg, dhe dy të tjera me byzylyk elektronik në gjendje të lirë.









___.png)


















































Comments