A NDIHMOJNË QELIZAT STAMINALE NË SHËRIMIN E SËMUNDJEVE? | ATO PËRDOREN PËR LEUÇEMINË DHE OSTEOARTRITIN NDËRSA KËRKIMET JANË DUKE U ZHVILLUAR PËR SËMUNDJEN E PARKINSONIT DHE ALZHEIMERIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jul 21
- 5 min read

Uashington, Amerikë | Qelizat staminale shpesh përshkruhen si “Graali i Shenjtë” i mjekësisë rigjeneruese, të afta të transformohen në pothuajse çdo lloj qelize në trupin e njeriut.
Por a mund të kurojnë ato vërtet sëmundje si Alzheimeri, Parkinsoni dhe tumoret, apo përdoren për të rigjeneruar indet?
Deri më sot, përgjigjja është shumëplanëshe.
Ndërsa zbatimi i tyre është tashmë i vendosur mirë në disa fusha, siç është për disa çrregullime të gjakut dhe për rigjenerimin e indeve të dëmtuara të kyçeve, në të tjerat skenari është ende eksperimental.
Dhe ndërsa, nga njëra anë, ka shumë trajtime premtuese që kërkojnë konfirmim të mëtejshëm shkencor, nga ana tjetër, ka shumë oferta të mrekullueshme në internet, të cilat, i mashtrojnë pacientët dhe e vënë shëndetin e tyre në rrezik.
Siç demonstrohet nga Rasti Stamina, i cili, pretendonte se shëronte sëmundje shumë serioze dhe të pashërueshme si atrofia muskulore kurrizore dhe paraliza cerebrale me infuzione.
Le të fillojmë duke kuptuar se çfarë janë ato. Qelizat staminale janë qeliza primitive që kanë aftësinë të transformohen në lloje të tjera të qelizave të specializuara, të tilla si ato të muskujve, kockave, gjakut dhe trurit.
Ekzistojnë disa lloje: qeliza staminale embrionale, ato të pranishme në kordonin umbilikal që mund të bëhen çdo qelizë në trup.
Qelizat staminale të të rriturve, të tilla si qelizat staminale hematopoietike ose mezenkimale, të pranishme në palcën e kockave; dhe qelizat staminale pluripotente të induktuara, të marra në laborator duke riprogramuar qelizat e të rriturve.
Në luftën kundër sëmundjes së Alzheimerit, qelizat staminale mezenkimale të nxjerra nga palca e kockave kanë demonstruar në minj laboratorikë aftësinë për të zvogëluar inflamacionin e trurit, për të kufizuar vdekjen e neuroneve dhe për të ulur akumulimin e pllakave amiloide, një nga shenjat kryesore të sëmundjes.
Disa studime kanë vëzhguar kujtesë të përmirësuar në modelet shtazore. Megjithatë, provat klinike tek njerëzit janë ende në fazat e tyre të hershme.
Në rastin e sëmundjes së Parkinsonit, qelizat staminale duken edhe më premtuese.
Për herë të parë në botë, neuronet e nxjerra nga qelizat staminale embrionale njerëzore janë implantuar në trurin e njerëzve me sëmundjen e Parkinsonit.
Prova klinike, e cila filloi në shkurt 2023 në Evropë (në Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar), u bë e mundur falë studimeve të kryera nga tre konsorciume evropiane të koordinuara gjatë 16 viteve të fundit nga Universiteti i Milanos përmes laboratorit të udhëhequr nga znj. Elena Kataneo (Cattaneo).
Megjithatë, deri më sot, asnjë terapi me qeliza staminale nuk është miratuar nga autoritetet kryesore rregullatore si Agjencia Evropiane e Barnave ose Administrata e Ushqimit dhe Barnave për trajtimin e kësaj sëmundjeje neurodegjenerative.
Shoqata Italiane për Parkinsonin dhe Çrregullimet e Lëvizjes, Limpe-Dismov, hedh dritë mbi situatën.
“Ofertat për terapi të supozuara të bazuara në qeliza staminale për sëmundjen e Parkinsonit po përhapen në mediat sociale dhe në internet”, paralajmëron z. Xhovani (Giovanni) Fabbrini, president i shoqatës shkencore.
“Shumë prej tyre nuk kanë bazë të fortë shkencore, nuk mbështeten nga prova klinike të kontrolluara dhe paraqesin rrezik për shëndetin, përveçse janë jashtëzakonisht të shtrenjta.
Deri më sot, nuk ka aplikime klinike të validuara në praktikën mjekësore. Është thelbësore të përmbahemi te trajtimet e miratuara, duke shmangur zgjidhjet e paprovuara ose mrekullibërëse”, tha ai.
Një histori tjetër vlen për sëmundjet e gjakut. Në këtë fushë, transplantimi i qelizave staminale hematopoietike është një praktikë e mirë-vendosur, e përdorur për të trajtuar leuçeminë, mielomën dhe limfomën.
Konkretisht, Departamenti i Hematologjisë-Onkologjisë në Spitalin Bambino Gesù në Romë, i drejtuar nga z. Franko Lokateli (Franco Locatelli), kryen, mesatarisht, më shumë se një të katërtën e transplanteve të qelizave staminale të palcës së kockave në Itali çdo vit.
Ndërkohë, IRCCS Casa Sollievo della Sofferenza në San Giovanni Rotondo (Foggia) koordinon qendrën IsbreMit, një nga më të përparuarat në botë për prodhimin e qelizave staminale, të përdorura në sprovat klinike për beta-talaseminë dhe leukodistrofitë.
Qelizat staminale po tregojnë gjithashtu potencialin e tyre në fushën e sëmundjeve autoimune.
Në sklerozën multiple, disa sprova kanë treguar se infuzioni i qelizave staminale mezenkimale mund të përmirësojë funksionin motorik dhe të stabilizojë përparimin e sëmundjes.
Në veçanti, studiuesit në Spitalin IRCCS San Raffaele në Milano kryen studimin e parë klinik në botë, të botuar në revistën “Nature”, duke përdorur qeliza staminale nervore.
Trajtimi (një shpim lumbar që injekton qeliza staminale në lëngun cerebrospinal) tregoi një reduktim të atrofisë së trurit.
Trajtimi është i sigurt dhe tolerohet mirë, por nuk zëvendëson terapitë ekzistuese imunomoduluese.
Mjekësia rigjeneruese e aplikuar në ortopedi e sheh Universitetin dhe Poliklinikën e Modenës në ballë të testimit të qelizave staminale për lezione të kërcit.
Dhjetëra studime klinike mbi pacientët me osteoartrit kanë treguar një reduktim të dhimbjes së kyçeve dhe funksion të përmirësuar të kyçeve me infiltrimin e qelizave staminale.
Dhe ato tashmë po përdoren për këtë qëllim në Itali. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë nevojën për të standardizuar procedurat e mbledhjes, përgatitjes dhe administrimit.
Progres interesant është bërë në fushën e oftalmologjisë. Transplanti i parë në botë i qelizave epiteliale të retinës të nxjerra nga qelizat iPS u krye në Japoni tek pacientët me degjenerim makular të lidhur me moshën, një shkak kryesor i verbërisë tek të moshuarit.
Në mjekësinë estetike, qelizat staminale tani janë në qendër të trajtimeve të shumta kundër plakjes, për rigjenerimin e indeve të lëkurës dhe për alopecinë.
Megjithatë, disa nga këto qasje ende nuk kanë prova të forta klinike dhe nuk kanë kaluar vlerësimin e autoriteteve shëndetësore.
Sipas Institutit Australian të Mjekësisë Rigjeneruese, është thelbësore të bëhet dallimi midis përdorimit eksperimental në një mjedis klinik dhe aplikimeve komerciale, të cilave, shpesh u mungon kontrolli.
Qelizat staminale nuk janë ende një kurë universale, por ato nuk janë as një ëndërr e parealizuar.
Për disa sëmundje, siç janë sëmundjet e gjakut, ato tashmë përfaqësojnë një standard kujdesi.
Për të tjerat, ato ofrojnë premtime në rritje. Megjithatë, është thelbësore të bëhet dallimi midis asaj që po hulumtohet aktualisht dhe asaj që është klinikisht e sigurt dhe efektive.
Dezinformimi mund të gjenerojë pritje të gabuara dhe të vërë shëndetin në rrezik.
Sot, ato përfaqësojnë një fushë të gjallë kërkimore shkencore, me studime të shumta të botuara nga institucione të akredituara globalisht, të tilla si Qendra e Kërkimit të Qelizave Staminale UCLA dhe Instituti Australian i Mjekësisë Rigjeneruese.
Potenciali terapeutik i qelizave staminale shoqërohet me një sërë sfidash.
Kryesoret kanë të bëjnë me sigurinë (me rrezikun teorik të transformimit të tumorit), refuzimin e mundshëm imunologjik, kostot e prodhimit dhe nevojën për rregullore më të qarta ndërkombëtare për të siguruar cilësinë e trajtimeve dhe për të mbrojtur pacientët nga spekulimet.
Së fundmi, një fakt interesant: qelizat e rritura në hapësirë rriten më shpejt.
Studiuesit e Klinikës Mayo e kanë demonstruar këtë duke studiuar sjelljen e qelizave staminale në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, duke i krahasuar ato me binjakët e tyre në Tokë.
Rezultatet janë botuar në revistën “NPJ Microgravity”.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments