top of page
E BARDHË SHIRIT.png

557 VJET NGA VDEKJA E HEROIT KOMBËTAR GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEUT | ATLETI I KRISHTIT.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Jan 18
  • 3 min read
ree

Tiranë, Shqipëri | Gjergj Kastriot Skënderbeu ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborret e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet.

 

Me Kuvendin e Lezhës Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbër të organizuar - as para tij as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit.

 

Më 17 janar shënohet përvjetori i 557 i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (6 maj 1405 - 17 janar 1468), figurës më të shquar në historinë e shqiptarëve, heroit kombëtar të popullit shqiptar, Atletit të Krishtit, arbënorit e të krishterit të flaktë, sikur e quajtën Papët e Romës.

 

Si çdo vjet, më datën 17 janar, populli shqiptar, kudo, e përkujton heroin kombëtar, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, në ditën e kalimit të tij në amshim.

 

Atleti i Krishtit, siç e quajti bota e krishterë, Gjergj Kastriot Skënderbeu ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare.

 

Ai ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e asaj kohe.

 

Për 25 vjet me radhë, Gjergj Kastrioti e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët dhe vendlindjen nga sundimi i huaj.

 

Gjergj Kastriot Skënderbeu jo vetëm që mbrojti dhe shpëtoi popullin e vendlindjen, po me luftën e tij e pengoi, madje e ndaloi edhe ekspansionin osman drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes.

 

Duhet përmendur se, me Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti vuri edhe themelet e një Shteti Arbër të organizuar - as para tij, as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit.

 

Lidhur me figurën madhore të heroikut kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut e 557-vjetorin e vdekjes së tij, po përkujtojmë fjalët kuptimore të Papës Shën Gjon Palit II shqiptuar në aeroportin e Tiranës më 25 prill 1993 gjatë vizitës së tij papnore historike në Shqipëri: “Është detyrë të kujtojmë në këtë rrethanë heroin kombëtar e të krishterin e flaktë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, mbrojtësin e Jezu Krishtit, i cili, këtë vit (1993) kishte 525 vjetorin e vdekjes.


Si në kohët e tij shumë të vështira, Kisha edhe sot nuk do të mungojë të ofrojë kontributin e vet të mundshëm për zhvillimin e plotë material e shpirtëror të popullit shqiptar”.

 

Ndërsa në fjalimin e tij në Sheshin Skënderbe në Tiranë në 23 prill të vitit 1993 Ati i Shenjtë Karol Vojtila (Wojtila) duke u fol shqiptarëve mes tjerash theksoi: “Sa herë në të kaluarën ju është dashur të mbroni me forcë identitetin tuaj. Me një angazhim të tillë, sikur edhe vetë ky shesh na e kujton, u shqua figura e lartë e të krishterit Gjergj Kastrioti Skënderbeut, i respektuar nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e popullit shqiptar” (Gjon Pali II 25 prill 1993 Tiranë).

 

Pra, në qiellin shqiptar emri i Gjergj Kastriot Skënderbeut ka qenë dhe është një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve, për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin, vlerat dhe  për t’i hapur rrugën e përparimit të mirëfilltë.

 

Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, atdhedashurisë, harmonisë e demokracisë.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page