VERBËRIA E KORNESË | INJEKSIONI I QELIZAVE ZËVENDËSON TRANSPLANTIN.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 1 hour ago
- 3 min read

Romë, Itali | Një injeksion i thjeshtë i qelizave endoteliale, në vend të një transplanti të kornesë, së shpejti mund t'u rikthejë shikimin mijëra pacientëve që vuajnë nga mosfunksionimi endotelial.
E thënë kjo sipas një studimi të botuar në revistën “Nature Biotechnology”, i cili, është rikthyer në qendër të vëmendjes në kongresin e përbashkët kombëtar të Shoqërisë Italiane të Shkencave Oftalmologjike (SISO) dhe Shoqatës Italiane të Oftalmologëve (AIMO), i planifikuar të zhvillohet në Romë nga 6 deri në 8 nëntor.
Kjo terapi premton të revolucionarizojë praktikën klinike; jo më ndërhyrje kirurgjikale invazive, por një shiringë e aftë të rikthejë transparencën në një korne të turbullt nga sëmundja.
Verbëria e kornesë | “Verbëria e kornesë është një shkak kryesor i humbjes së shikimit, që prek afërsisht 10 milionë njerëz në të gjithë botën çdo vit”, tha z. Vinçenco Sarnikola (Vincenzo Sarnicola), drejtor i klinikës së syve “Sarnicola në Grosseto”, një kirurg ekspert transplantimi dhe profesor vizitor në shumë klinika ndërkombëtare të syve, por edhe anëtar i këshilltarit të SISO-s (Shoqata Italiane e Kirurgëve Ortopedikë).
Kornea, indi transparent që formon pjesën e përparme të syrit, është thelbësore për të lejuar që imazhe të qarta të hyjnë në sy.
Kur dëmtohet, ajo bëhet e errët, duke e shndërruar botën në një mjegull të vazhdueshme.
Në shekullin e fundit, transplantet depërtuese të kornesë (me trashësi të plotë) nga donatorët kanë rikthyer shikimin te miliona njerëz në të gjithë botën, megjithëse komplikime intraoperative dhe postoperative, ndonjëherë serioze, kanë ndodhur me një farë frekuence.
Disponueshmëria e indeve për transplantim mbetet problematike në shumë pjesë të botës.
Megjithatë, në Itali, falë përpjekjeve të shkëlqyera të mbledhjes nga bankat e syve, indi i mbledhur është i tepërt dhe eksportohet gjithashtu jashtë vendit.
Kjo ndodh, ndër të tjera, në Sri Lanka dhe Shtetet e Bashkuara.
Shumica e transplanteve bëhen në Shtetet e Bashkuara. Disa vende të tjera po ankohen për mungesën e donacioneve.
Që nga fillimi i këtij shekulli, një përparim i madh është arritur falë transplanteve lamellare.
Italia, me kirurgët e saj, është dhe ka qenë ndër pionierët e kirurgjisë lamellare.
“Kjo e fundit po fiton gradualisht terren dhe po bëhet standardi i artë falë invazivitetit të reduktuar të procedurës, duke përmirësuar mbijetesën e indeve të shartuara dhe duke zvogëluar refuzimin”, tha z. Sarnikola (Sarnicola).
Terapitë celulare | Fatkeqësisht, në botën në zhvillim, nuk ka ind të disponueshëm as për transplante lamellare dhe as për transplante perforuese.
Terapitë e ardhshme qelizore për sëmundjet endoteliale, të cilat, përbëjnë afërsisht 50 përqind të humbjes së shikimit të kornesë, mund të jenë një ndihmë e madhe.
“Teknika do të jetë shumë e thjeshtë; një injeksion në sy do t'u lejojë qelizave të injektuara të rivendosin transparencën në një korne që është bërë e errët për shkak të mosfunksionimit endothelial”, thekson z. Sarnikola (Sarnicola).
Ku merren këto qeliza, kush mund të dhurojë, kush është donatori më i mirë dhe çfarë rezultatesh mund të arrihen?
Këto janë pyetjet e përsëritura. Rezultatet deri më sot (faza e tretë e provave është duke u zhvilluar në Amerikën e Veriut) tregojnë se donatorët më të mirë janë të rinjtë nën 30 vjeç.
“Hipoteza është se qindra injeksione mrekulli, ndoshta një mijë, mund të përgatiten nga një korne nga një donator i ri.
Shkurt, një korne e re mund t'u rikthejë shikimin deri në një mijë syve të prekur nga mosfunksionimi endotelial.
Prandaj, terapitë qelizore rigjeneruese përfaqësojnë kufirin e ri të vërtetë për trajtimin e verbërisë endoteliale të kornesë”, tha z. Vito Romano, Profesor i Asociuar i Oftalmologjisë në Universitetin e Breshias.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments