TRAZIRA DHE ARRESTIME GJATË DEMONSTRATËS NË NOVI SAD PAS SHEMBJES SË ÇATISË SË STACIONIT HEKURUDHOR | PROTESTUESIT HODHËN FEKALE TE ZYRAT E BASHKISË.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Nov 6, 2024
- 2 min read

Novi Sad, Serbi | Mijëra njerëz u mblodhën mbrëmjen e djeshme në qytetin e Novi Sadit të Serbisë, në shenjë proteste pas shembjes së çatisë së stacionit të trenit të qytetit të premten e kaluar.
Në mitingun, i cili, filloi para stacionit të trenit, u kërkua dorëheqja e kryeministrit serb Millosh Vuçeviç dhe kryetarit të komunës së Novi Sad Milan Gjuriç, si dhe dënimi i të gjithë përgjegjësve për aksidentin.
Më pas, pjesëmarrësit e takimit arritën në bashkinë e kryeqytetit të Vojvodinës, duke e mbuluar me bojë të kuqe dhe duke zbrazur një sternë me ujë dhe fekale para ndërtesës.
Edhe një grup qytetarësh kanë tentuar të hyjnë në bashkinë, por policia ka penguar duke hedhur gaz lotsjellës.
Atmosfera u ndez veçanërisht para ambienteve të Partisë Përparimtare (SNS) dhe vetë bashkisë, ku persona të maskuar hodhën gurë dhe bojë.
Në përgjigje të tentativave për të thyer, policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe sprej piper.
Për shkak të trazirave të mbrëmjes u arrestuan këshilltari i qytetit të koalicionit “Bravo”, z. Miran Pogaçar dhe aktivisti i grupit “Svice”, z. Ivan Bjeliç.
Udhëheqësi i Lëvizjes Popullore Serbe (NPS) Miroslav Aleksiç ka thënë se personat që shkaktuan trazirat në Novi Sad ishin punësuar nga shërbimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Në demonstratë ishin 50 mijë persona, të cilët e duan vendin dhe qytetin e tyre, pa maska, për të shprehur protestën e tyre kundër relativizimit të tragjedisë dhe për të kërkuar llogari. Asnjë prej tyre nuk dëshiron të shkatërrojë qytetin e tyre”, tha z. Aleksiç.
Në orët e vona të mbrëmjes, në Novi Sad, në ambientet e partisë së tij, mbërriti edhe presidenti Vuçiç, i cili, deklaroi se shteti ka marrë të gjitha masat për të ndëshkuar përgjegjësit për tragjedinë e ndodhur të premten.
“Këtu sonte ne dëshmuam diçka që nuk u bën asnjë meritë atyre që e organizuan. Kur njerëzit janë të trishtuar dhe qajnë, ata nuk e shembin apo shkelin flamurin e tyre”, tha presidenti Vuçiç.
Kreu i shtetit u tha mbështetësve të opozitës se asgjë nuk do të arrihet kurrë me dhunë.
Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç nga ana e tij ka thënë se gjatë protestës ka pasur shkelje drastike të rendit dhe qetësisë publike, sulme dhe shkatërrime të ndërtesave, kërcënime ndaj pronës dhe sulme ndaj policisë.
“Të gjitha veprimet janë evidentuar dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi”, nënvizoi ministrja.
Pas shembjes së kulmit të premten e kaluar, e cila, shkaktoi 14 viktima, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Goran Vesiç ka dhënë dorëheqje.
Ndërkaq, Prokuroria e Përgjithshme e Novi Sadit ka intervistuar gjithsej 48 persona për incidentin në tri ditët e fundit.
Në të njëjtën kohë u sekuestruan dokumentet e institucioneve të ndryshme, personave fizikë dhe juridikë dhe u bënë vlerësimet e nevojshme për të konstatuar shkaqet e shembjes së çatisë, si dhe përgjegjësitë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments