TIRANË | DREJTORI I PËRGJITHSHËM I POLICISË SË SHTETIT SKËNDER HITA ZHVILLOI TAKIM ME DREJTORIN E AUTORITETIT RRUGOR SHQIPTAR AMI KOZELI.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 2 hours ago
- 2 min read
Tiranë, Shqipëri | Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe Drejtori i Policisë Rrugore, vizitoi Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut.
Ai u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARrSh), Ami Kozeli, si dhe nga drejtuesit e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut.
U diskutua gjetja e mënyrave që Policia e Shtetit të përfitojë pamjet e prodhuara nga kamerat dhe radarët funksionalë, si dhe nga pajisjet që do të vendosen.
Këto pamje do t’i shërbejnë jo vetëm Policisë Rrugore, në funksion të evidentimit dhe ndëshkimit të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, por edhe strukturave të tjera të Policisë së Shtetit, për rritjen e parametrave të sigurisë publike, parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të tyre.
Përdorimi i mjeteve bashkëkohore logjistike dhe i teknologjisë inteligjente, duke minimizuar kontaktin e drejtpërdrejtë të punonjësve të Policisë së Shtetit me përdoruesit e rrugës, do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, por edhe në forcimin e imazhit të vendit dhe të Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i ARrSh-së, Ami Kozeli, vlerësoi bashkëpunimin institucional me Policinë e Shtetit, duke nënvizuar se koordinimi ndërmjet institucioneve do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë në akset rrugore dhe në përmirësimin e standardeve të monitorimit të trafikut.
Ata u dakordësuan që bashkëpunimi për përftimin e pamjeve të finalizohet, si dhe të mundësohet kalibrimi i radarëve në akset rrugore dhe në tunele, me qëllim që pamjet dhe të dhënat e siguruara t’i vihen në dispozicion Policisë së Shtetit për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve me masa administrative.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)














Comments