TIRANË | DISA QYTETARË ITALIANË U BËNË OBJEKT SULMI VERBAL DHE FIZIK NË MES TË TIRANËS NGA SUBJEKTE QË I PËRKASIN KLASËS SHOQËRORE TË HALABAKËRISË.

Updated: Aug 2

Tiranë, Shqipëri | Në funksion të luftës institucionale ndaj Agjenturës së Krimit Ordiner strukturat vendore të Policisë së Shtetit morën dijeni se disa qytetarë italianë u përfshinë në konflikt me disa subjekte tash për tash të paidentifikuar (dyshohen të mitur).
Njoftim | Në lidhje me një video të publikuar, ku shfaqet një shtetas italian i dëmtuar lehtë, sqarojmë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, më datë 29.07.2026, në zonën pas Pallatit të Kulturës, dhe është trajtuar menjëherë nga Policia për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Konkretisht, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas njoftimit të marrë nga Salla Operative për një konflikt, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin italian G. M., me dëmtime të lehta sipërfaqësore.
Në vendngjarje ndodheshin edhe dy shokët e tij, të cilët e shoqëronin.
Shtetasi italian ishte ndihmuar fillimisht nga punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët ndodheshin në afërsi.
Më pas, shtetasi është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas deklarimeve të personelit mjekësor dhe këqyrjes së kartelës mjekësore, ai ka qenë i vetëdijshëm, jashtë rrezikut për jetën dhe me dëmtime të lehta sipërfaqësore në gjymtyrë.
Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është larguar me dëshirën e tij, pa përfunduar ekzaminimet mjekësore dhe pa njoftuar stafin mjekësor për largimin e tij.
Gjithashtu ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallzim në lidhjen me konfliktin dhe personat që e kishin dëmtuar.
Edhe dy shtetasit që e shoqëronin nuk kanë dhënë informacion lidhur me rrethanat e konfliktit.
Pavarësisht mungesës së kallëzimit nga shtetasi italian, grupi hetimor ka vijuar veprimet hetimore, duke këqyrur pamjet filmike, nga të cilat ka rezultuar se shtetasi italian ishte përfshirë në një konflikt me një grup të miturish në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës.
Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Njoftim | Identifikohen, shoqërohen dhe procedohen penalisht 8 të mitur, të moshës 13-15 vjeç, për plagosjen e lehtë të një shtetasi italian 20 vjeç.
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, lidhur me rastin e ndodhur pranë Pallatit të Kulturës, më datë 29.07.2026, ku mbeti i dëmtuar lehtë një 20-vjeçar italian, ju informojmë se:
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, të kryera menjëherë pas konfliktit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë të mundur identifikimin, shoqërimin dhe procedimin në gjendje të lirë të 8 shtetasve të mitur, të moshës 13-15 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në konflikt, gjatë të cilit 20-vjeçari italian pësoi lëndime të lehta trupore.
Puna vijon për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar si të përfshirë në konflikt, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit








Comments