RUSIA VURI VETON NDAJ REZOLUTËS SË OKB-së PËR TË PARANDALUAR GARËN E ARMËVE BËRTHAMORE NË HAPËSIRËN E JASHTME.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Apr 27, 2024
- 2 min read
Jorku i Ri, Amerikë | Rusia vuri veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të sponsorizuar nga SHBA-ës dhe Japonia të mërkurën, e cila u bëri thirrje të gjitha kombeve të kontribuojnë në përdorimin paqësor të hapësirës dhe të parandalojnë një garë të rrezikshme të armëve bërthamore.
Për më tepër, rezoluta do t'u kishte kërkuar të gjitha kombeve të përmbahen nga veprimet në kundërshtim me këtë objektiv dhe me traktatet përkatëse ekzistuese në interes të ruajtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Projekt-rezoluta mori trembëdhjetë vota pro, një abstenim nga Kina dhe një votë kundër nga Rusia.
Meqenëse Rusia është një nga pesë anëtarët e përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, vota e saj në fakt e vrau rezolutën.
Rezoluta synonte të riafirmonte parimet e përcaktuara në Traktatin e Hapësirës së Jashtme të vitit 1967.
Traktati i Hapësirës së Jashtme - i njohur zyrtarisht si Traktati mbi Parimet që Drejtojnë Aktivitetet e Shteteve në Eksplorimin e Hapësirës së Jashtme, duke përfshirë Hënën dhe Trupat e tjerë Qiellorë - është një marrëveshje ndërkombëtare që rregullon aktivitetet në hapësirën e jashtme.
Neni 3 i traktatit i detyron shtetet palë të eksplorojnë hapësirën e jashtme në interes të ruajtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Neni 4 më tej i detyron shtetet që të mos vendosin në orbitë rreth tokës asnjë objekt që mbart armë bërthamore ose çfarëdo lloji tjetër të armëve të shkatërrimit në masë.
Ambasadorja e SHBA-së në OKB Linda Thomas Grinfilld (Greenfield) e quajti lëvizjen e Rusisë të çuditshme, duke deklaruar se ajo kishte vënë veton ndaj një rezolute të drejtpërdrejtë.
Znj. Grinfilld (Greenfield) tha: “Dhe kështu vetoja e sotme shtron pyetjen: Pse? Pse, nëse po ndiqni rregullat, nuk do të mbështesni një rezolutë që i rikonfirmon ato? Çfarë mund të keni fshehur?”
Ambasadori i Rusisë në OKB Vasili Nebenzia (Vasily Nebenzya) e hodhi poshtë rezolutën si absolutisht absurde dhe të politizuar.
Ai pohoi se Rusia mbetet e përkushtuar ndaj detyrimeve të saj në hapësirën e jashtme sipas ligjit ndërkombëtar.
Ai gjithashtu njoftoi se Rusia planifikon të paraqesë së shpejti një projekt-rezolutë alternative.
Projekt-rezoluta u njoftua pasi SHBA akuzoi Rusinë në muajin shkurt për zhvillimin e një arme bërthamore anti-satelitore për ta vendosur në hapësirë.
Kjo potencialisht mund të prishë gjithçka, nga komunikimet ushtarake te shërbimet e bazuara në telefon, megjithatë, besohet se sateliti nuk është ende funksional.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe ministri rus i mbrojtjes i kanë mohuar akuzat, duke deklaruar se “Rusia është kundër përdorimit të çdo arme bërthamore në hapësirë.”
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































