RRUGA “HYSNI GËRBOLLI”; TIRANË | SAMUEL TAHIRAJ U ARRESTUA; SAJMIR PASMAÇIU U SHPALL NË KËRKIM POLICOR; GJENK KARABEGU U PLAGOS ME ARMË ZJARRI.

Rruga “Hysni Gërbolli”, Tiranë, Shqipëri | Në funksion të luftës institucionale ndaj Agjenturës së Krimit Ordiner strukturat vendore të Policisë së Shtetit arrestuan:
1- Z. Samuel Tahiraj, me moshë 20 vjeç.
Shpallën në kërkim policor:
1- Z. Sajmir Pasmaçiu, me moshë 54 vjeç.
Ata konsiderohen se kanë gisht në plagosjen me armë zjarri të:
1- Z. Gjenk Karabeg, me moshë 33 vjeç.
Njoftim | Tiranë.
Zbardhet brenda 24 orëve, autorësia dhe rrethanat e plagosjes me armë zjarri, të ndodhur dje, në rrugën “Hysni Gërbolli”.
Identifikohet autori i dyshuar dhe shpallet në kërkim.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Vihet në pranga një 20-vjeçar dhe procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë, të përfshirë në konflikt.
Vihet në pranga dhe i dëmtuari, pasi rezultoi person në kërkim nga autoritetet e Kosovës.
Sekuestrohen një armë gjahu, një mjet prerës (thikë) dhe municion luftarak.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, u bë e mundur zbardhja e rrethanave dhe dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më datë 25.09.2026, në rrugën “Hysni Gërbolli”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se, gjatë një konflikti në një lokal, shtetasi S. P., 54 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur në këmbë shtetasin Gj. K., 33 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
54-vjeçari, u shpall në kërkim për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. P., u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë gjahu, një mjet prerës (thikë) dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve hetimore, rezultoi se gjatë konfliktit ishte përfshirë edhe shtetasi S. T., 20 vjeç, i cili dyshohet se është konfliktuar me disa persona me sende të forta, duke mbetur i dëmtuar shtetasi A. P., 18 vjeç.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi S. T. u arrestua në flagrancë për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”.
Ndërkohë, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit B. P., 49 vjeç, dhe S. P., 18 vjeç, pasi dyshohet se gjatë konfliktit kanë goditur me sende të forta shtetasin S. T.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën së 49-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan disa fishekë.
Në vijim, gjatë verifikimeve të kryera, rezultoi se shtetasi Gj. K., 33 vjeç, ishte person në kërkim nga autoritetet e Kosovës.
33-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimi, pasi rezulton i dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 50 ditë burgim, për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, u tha në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit








Comments