REVISTA “ISCIENCE”: U IDENTIFIKUAN NEURONET QË SHKAKTOJNË ANKTHIN.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Nov 15, 2025
- 2 min read
Updated: Mar 31

Madrid, Mbretëria e Spanjës | Neuronet që shkaktojnë ankth janë identifikuar në tru; ato gjenden në qendrën e kontrollit emocional, rajonin e amigdalës, dhe hiperaktiviteti i tyre gjithashtu kontribuon në zhvillimin e depresionit dhe ndryshimeve në sjelljen shoqërore (sociale).
Në eksperimentet mbi minj, rivendosja e ngacmueshmërisë së tyre normale (përmes modifikimeve të një gjeni të quajtur Grik4) lejoi eliminimin e shumicës së simptomave, siç demonstrohet nga studimi i botuar në revistën “iScience” nga studiuesit në Institutin e Neuroshkencave në Spanjë.
“Ne e dinim tashmë që amigdala është e përfshirë në ankth dhe frikë, por tani kemi identifikuar një popullatë specifike neuronesh, aktiviteti i pabalancuar i të cilëve është i mjaftueshëm për të shkaktuar sjellje patologjike”, tha koordinatori i studimit Juan Lerma.
Ekipi i tij përdori minj të modifikuar gjenetikisht me shprehje të shtuar të gjenit Grik4, i cili, rrit prodhimin e receptorëve të glutamatit të tipit GluK4 dhe gjithashtu ngacmueshmërinë neuronale.
Këta minj treguan ankth dhe izolim social të ngjashëm me simptomat e vërejtura tek njerëzit me gjendje të tilla si autizmi ose skizofrenia.
Studiuesit ishin në gjendje të normalizonin shprehjen e Grik4 posaçërisht në neuronet e vendosura në amigdalën bazolaterale përmes redaktimit të gjeneve.
“Ky rregullim rivendosi komunikimin normal me një grup neuronesh frenuese në amigdalën centrolaterale; rregullim i thjeshtë ishte i mjaftueshëm për të eliminuar sjelljet që lidhen me ankthin dhe deficitet shoqërore (sociale), gjë që është e jashtëzakonshme”, tha z. Alvaro Garsia (Álvaro García), autori i parë i studimit.
E njëjta qasje u aplikua më pas tek minjtë normalë që shfaqnin natyrshëm nivele më të larta ankthi.
Trajtimi gjithashtu uli simptomat e tyre.
“Kjo vërteton rezultatet tona dhe na jep besim se mekanizmi që identifikuam nuk është ekskluziv për një model specifik gjenetik, por mund të përfaqësojë një parim të përgjithshëm për mënyrën se si këto emocione rregullohen në tru”, tha z. Lerma.
Synimi i këtyre qarqeve specifike nervore mund të bëhet një strategji efektive dhe më e lokalizuar për trajtimin e çrregullimeve afektive.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)











Comments